E Shtunë, 31 Tetor 2026

18-vjeçarja i jep fund jetës me fostoksinë

Një 18-vjeçare i ka dhënë fund jetës në kushte të pashpjegueshme, duke u vetëhelmuar me fostoksinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Ndroq të Tiranës, ku Denisa Tresa, duke mos u menduar dy herë, ka pirë helmin vdekjeprurës. Sipas të dhënave policore, vajza e re mendohet se ka pasur një debat me të atin, ashtu siç mund të ketë çdo i ri me prindin. Nga kjo mendohet se ajo, rreth orës 18.00 të së hënës, ka siguruar fostoksinën dhe e ka pirë. Kanë qenë familjarët e saj, të cilët e kanë gjetur atë në gjendje të rëndë dhe e kanë nisur për në Spitalin Ushtarak. Vajza u ka treguar prindërve se kishte konsumuar helm për të vrarë veten dhe nuk kishte menduar më gjatë. Megjithatë, ajo ishte shprehur e penduar për këtë akt të kryer, por ka qenë shumë vonë. Mjekët kanë bërë të pamundurën për ta kthyer atë në jetë, por rreth orës 22.50 të së hënës, ajo ka ndërruar jetë. Sipas grupit hetimor, menjëherë ata janë njoftuar nga mjekët e spitalit, të cilët kanë rrëfyer se çfarë kishte ndodhur. Pas kësaj, uniformat blu kanë marrë në pyetje familjarët e vajzës, të cilët me dhimbje kanë rrëfyer motivet që mund ta kenë çuar adoleshenten në vetëvrasje. Megjithatë, policia tha se motivi i lartpërmendur mund të jetë vetëm një nga dyshimet e familjarëve dhe që po punohet për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Pas vdekjes së vajzës së re, ajo është dërguar në morgun e Tiranës, ku ekspertët kanë kryer veprimet procedurale, nga ku ka rezultuar se 18-vjeçarja kishte kryer aktin e vetëflijimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›