E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: T‘i hiqet imuniteti Lulzim Bashës

Prokuroria e Përgjithshme tha dje se është në pritje të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për imunitetin e ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, dhe më pas do të vendosë për procedurat që do të ndjekë. 24 orë pas dëshmisë në prokurori të shefit të diplomacisë shqiptare, hetuesit e çështjes thanë se kërkesa e dorëzuar në Kuvend është kryer mbi fakte dhe dokumente që vërtetojnë abuzimet e Bashës gjatë tenderit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Qëndrimet e grupit hetimor për këtë çështje, megjithëse në krye të akuzës qendrore nuk qëndron Theodhori Sollaku, janë të njëjta që nga momenti i fillimit të hetimeve. "Dëshmia e ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, po verifikohet me faktet, provat dhe dëshmitë që ndodhen në dosje. Gjatë dëshmisë, deputeti ka mohuar në mënyrë kategorike implikimin e tij dhe të ministrisë që drejtonte për procedurat e tenderit të rrugës Durrës-Kukës", thanë burimet nga akuza qendrore, duke saktësuar se mohimi i akuzave është normale nga personat që akuzohen. Burimet pohojnë se organi hetimor ka prova që vërtetojnë se zyrtarët e Ministrisë së Transporteve kanë abuzuar gjatë tenderit të rrugës që lidh më afër Shqipërinë me Kosovën. Sipas tyre, provat janë parashtruar në kërkesën që Prokuroria e Përgjithshme i ka drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Lulzim Basha.

Hetuesit e çështjes, duke mos dashur të influencohen nga vendimet politike, i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit ndaj Lulzim Bashës, për të filluar procedurat që përmbajnë ligjet shqiptare. "Qëndrimet mohuese dhe kundërakuzat e deputetit Lulzim Basha po verifikohen nga hetuesit e çështjes. Pas kësaj, presim nga Kuvendi që të miratojë kërkesën e akuzës qendrore për heqjen e imunitetit ndaj ish-ministrit të Transporteve", thanë zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, duke përjashtuar mundësinë që akuza, tashmë e drejtuar nga Ina Rama, të tërheqë kërkesën për imunitetin.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit thuhej se ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, është përgjegjësi kryesor i abuzimeve në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Sipas kërkesës, Basha ka mashtruar opinionin publik, por edhe akuzën qendrore në përzgjedhjen e konsulentit "Ecorys Group". "Përzgjedhja e tij ka qenë e paracaktuar nga zoti Lulzim Basha", thuhet në dosje. Më tej thuhej se kontrata është miratuar pa pasur një projekt përfundimtar të detajuar për zbatim dhe në kushtet e mungesës së oponencës teknike për projektin që do zbatohet. "Mungesa e projektit përfundimtar i jep mundësi shoqërisë sipërmarrëse të rrisë në mënyrë të pakontrolluar shumën e parave që duhen për përfundimin e kësaj rruge", thuhet në dosjen e prokurorisë. Më tej akuza vijon se: "Zoti Lulzim Basha është marrë personalisht me realizimin e këtij projekti, që nga organizimi i përzgjedhjes së konsulentit dhe deri në nënshkrimin e kontratës dhe modalitetet e fillimit të zbatimit të saj. Askush nga personat që kanë nënshkruar akte të caktuara nuk merr përsipër të jenë parashtruar variante apo të jenë diskutuar ato në drejtoritë e specializuara, por mjaftohen duke deklaruar se ‘me këtë punë është marrë ministria‘, fakt i cili përbën një tregues se ‘me këtë problem është marrë ministri‘, e dhënë e cila duhet të hetohet". Në fund të dosjes, Prokuroria e Përgjithshme saktësonte se në këto rrethana, provat e grumbulluara dhe sqarimi i fakteve e bëjnë të domosdoshme ushtrimin e ndjekjes penale ndaj zotit Lulzim Basha.

SHKELJET E TENDERIT

1. S‘ka projekt përfundimtar për ndërtimin e rrugës

2. Nuk ka asnjë oponencë teknike

3. Nuk ka mbikëqyrës të punimeve

4. Nuk ka një fond limit për lëvrimin e fondeve

5. Sipërmarrësve u janë dhënë më shumë se 10% e fondit

6. Në tender nuk është përdorur gjuha shqipe

7. Një pjesë e dokumenteve janë në gjuhën angleze

8. Nuk është marrë leja mjedisore dhe minerare

9. Vendimet e qeverisë nuk janë bazuar në Kushtetutë

10. Sipërmarrësi është përjashtuar nga TVSH-ja, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›