"Pranvera 2008, Tirana me plan rregullues"
Metropoli shqiptar do të ketë një plan rregullues për të gjithë hapësirën që mbulon në pranverën e vitit që vjen. Ky është premtimi që ka bërë dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë prezantimit të raportit të ndërmjetëm për procesin e hartimit të këtij plani rregullues. Ndërkohë që Tirana ka shumë gjasa që, sipas premtimeve të bëra, t‘i ngjajë Amsterdamit, skenari i të cilit duket më i pëlqyeshmi dhe më i pranueshmi për kryeqytetin shqiptar. Në takimin e zhvilluar dje, specialistët e huaj dhe shqiptarë, që janë marrë deri tani me planin rregullues, kanë prezantuar tri skenarë të mundshëm të zhvillimit të Tiranës si metropol. Skenari i parë, ose ai që etiketohet si "zhvillim i përqendruar", ndryshe mban emrin skenari Manhatan. Ai konsiderohet si një "skenar ambicioz, por problematik dhe i paarritshëm". Skenari i dytë, ose i "zhvillimit të shpërndarë", i pagëzuar me emrin skenari Los Anxhelos, konsiderohet si një "skenar i pëlqyeshëm, por i papranueshëm dhe jo i paevitueshëm". Ndërsa skenari i tretë, ose "zhvillimi policentrik", që ndryshe quhet skenari Amsterdam, është vlerësuar si një "skenar i dëshirueshëm, i realizueshëm dhe i qëndrueshëm". Ky vlerësim është bërë duke u nisur nga tregues të tillë si: realizueshmëria ekonomike dhe "institucionale", ndikimi mjedisor, ai social, si dhe realizueshmëria "politike". Skenari i parë, ai Manhatan, konsiderohet si "i paarritshëm" për zhvillimin aktual të Tiranës, ndërsa ai Los Anxhelos si "i papranueshëm". Përcaktimin "i realizueshëm" ka mundur që ta marrë skenari i tretë, Amsterdami, ai i zhvillimit policentrik të metropolit. E ndërsa drejtuesit e pushtetit vendor ecin me ambicien për ta bërë Tiranën si kryeqyteti holandez, dje u mundësua edhe diskutimi i objektivave të planit rregullues me grupet e interesit. Ato lidheshin kryesisht me verifikimin e pikave kyçe të projektit, krijimin e një vizioni global mbi analizat dhe vlerësimet e deritanishme. Gjithashtu, u diskutua mbi konfirmimin e skenarit të zhvillimit më të favorshëm dhe mbi variantin më të mirë të zhvillimit hapësinor. Të tjera çështje ishin konsensusi mbi bocetin "Strategjia e zhvillimit të Tiranës", si dhe konfirmimi i elementëve të sistemit rregullator të propozuar. "Ky takim informues ka një vlerë të veçantë, sepse bëhet fjalë për një raport të ndërmjetëm të grupit që punon me planin e madh rregullues të kryeqytetit. Ky është një proces që po zhvillohet sipas standardeve evropiane me transparencë dhe në komunikim sistematik me grupet e interesit dhe me publikun, pasi vetëm kështu mund të kemi një plan, i cili të mishërojë një ambicie të gjerë dhe të gjitha ato kërkesa e nevoja kryesore që mund të shprehen vetëm nëpërmjet marrjes paraprakisht të informacionit", u shpreh kryebashkiaku Rama. Sipas tij, "jemi në një fazë kur na duhet të verifikojmë pikat kyçe dhe sfidat, na duhet të krijojmë një vizion të përgjithshëm mbi rezultatet e analizës dhe vlerësimeve të bëra nga ekipi që punon me planin, na duhet të konfirmojmë skenarin e zhvillimit më të favorshëm, na duhet të paraqesim platformën e konsensusit për variantin më të mirë të zhvillimit hapësinor, na duhet të njihemi me platformën e konsensusit për bocetin e strategjisë së zhvillimit dhe për elementet e sistemit rregullator të propozuar. Janë të gjitha këto pika që tanimë janë të përfshira në dokumentin që paraqitet nga Dritan Shutina, i cili përfaqëson këtu ekipin ndërkombëtar që punon me planin, një ekip i përzier mes urbanistësh zviceranë dhe shqiptarë". Duke nënvizuar faktin se po ecet me një ritëm të kënaqshëm, për t‘i dhënë Tiranës planin e shumëpritur në pranverën e vitit që vjen, Rama theksoi se "kjo është ambicia jonë dhe në bashkëpunim të plotë me të gjitha strukturat që me patjetër duhet të jenë pjesë e këtij procesi. Sipas tij, nesër ata do të jenë pjesë e të gjithë mekanizmit shtetëror që jetëson planin në nivel lokal e qendror dhe, nga ana tjetër, me të gjitha grupet e interesit që përfshijnë publikun e gjerë, pronarët, investitorët, ndërtuesit dhe pa dyshim edhe arkitektët dhe urbanistët shqiptarë. "Janë ata, tha Rama, të cilët do të duhet të punojnë mbi këtë plan, që ne shpresojmë të jetë një instrument në duart e cilitdo që merr pjesë në nivelin më të lartë apo më të ulët në zhvillimin e kryeqytetit".