Pranga agjentes së sigurimeve, prodhonte patenta të falsifikuara
Kishte nisur punë si agjente marketingu në një shoqëri sigurimesh, por si punë të dytë përdorte falsifikimin e patentave. Protagonistja e këtij aktiviteti është 50-vjeçarja Liljana Daci, e cila është prangosur nga antikrimi ekonomik në Policinë e Tiranës. Ajo është kapur pas disa ditësh hetime, ndërkohë që nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj saj. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bënë të ditur se kohët e fundit specialistë të seksionit të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar, kanë arritur rezultate të larta në drejtim të goditjes në kohë të veprimtarive të bazave të falsifikimit, kryesisht falsifikim të dokumenteve zyrtare, duke vënë nën pranga shumë autorë të cilët kanë konsumuar këto veprimtari kriminale, duke i vendosur ata përpara organeve të drejtësisë. Në këtë kontekst, vetëm gjatë ditës së djeshme u mundësua kapja dhe më pas arrestimi i Liljana Ali Dacit, 50 vjeçe, lindur në Gjirokastër dhe banuese Tiranë, me detyrë agjente e një shoqërie private sigurimesh. Sipas grupit hetimor, arrestimi i saj u krye sepse, pas një hetimi të gjerë, rezultoi se kjo shtetase në ambientet e punës, pranë shoqërisë private të sigurimeve falsifikonte dëshmi aftësie për drejtim automjeti. Ndërkohë, pas një kontrolli të imtë të ushtruar në këto ambiente, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale letra për falsifikim dokumentesh, celefona të skanuara në kompjuter dhe modele të lejeve të drejtimit të automjeteve. Veç këtyre, specialistët e antikrimit ekonomik sekuestruan edhe modele të kartave të identitetit grek, modele të lejeve për drejtimin e automjeteve në gjuhën greke dhe zvicerane, dy skanerë dhe dy kompjuterë, një printer me ngjyra, një laminator, një flesh ku mbante të gjitha modelet e falsifikuara dhe kinkalerira të tjera, të cilat shërbenin për falsifikim dokumentesh. Sipas policisë, ajo u kap, pasi kishte dorëzuar një patentë false, që e kishte realizuar kundrejt çmimit 30 mijë lekë. Në lidhje me këtë, u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale të "falsifikimit të dokumenteve, të vulave, stampave ose formularëve dhe prodhimit të mjeteve për falsifikim dokumentesh".