Borxhi 100 mijë dollarësh, emigranti vret tregtarin
Miqësia 10-vjeçare e dy emigrantëve ka marrë fund dje, kur Ervis Ferizaj ka qëlluar me pistoletë mbi shokun e ngushtë Julian Koçiun, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. E djeshmja ishte dita e lënë për shlyerjen e borxhit prej 100 mijë dollarësh, që Koçiu i kishte marrë Ferizajt disa vite më parë, kur ndodheshin në Itali, me qëllim për të hapur një biznes në Shqipëri. Të dy protagonistët kishin emigruar në shtetin fqinj që në vitin 1997 dhe pak kohë më vonë ishin njohur bashkë. Qëllimi i emigrimit kishte qenë që të mblidhnin para dhe të ktheheshin për të hapur ndonjë biznes në Shqipëri. Për disa vite me radhë, ata kishin mbledhur para dhe në vitin 2003, Julian Koçiu kishte vendosur të kthehej në Shqipëri. Por, 32-vjeçarit nuk i mjaftonin paratë për të hapur një biznes, kështu që Ferizaj iu gjend pranë duke i dhënë borxh 100 mijë dollarë. Me të ardhur në Shqipëri, pikërisht në vendin e lindjes, në Lushnjë, Koçiu investon paratë, duke blerë një pronë dhe më pas krijoi një pikë për shitje pjesësh këmbimi për mjete motorike. Megjithatë, biznesi nuk i eci si duhej, pavarësisht se kishte bërë shumë shpenzime. Nga ana tjetër, atij po i afronte dita për të shlyer borxhin e marrë vite më parë. Pikërisht në vitin 2006, Ervis Ferizaj takon shokun e tij dhe i kërkon paratë e borxhit. Por, Koçiu nuk i kishte dhe nuk kishte ku t‘i gjente. Në këto kushte, 29-vjeçari Ferizaj fillon të ftohet nga miqësia e Koçiut dhe i kërkon atij që paratë t‘ia kthente në fillim të qershorit të këtij viti. Edhe në fillim të këtij viti, 32-vjeçari nuk arriti të gjente paratë e borxhit dhe i ofron Ferizajt pronësinë e dyqanit. Por, ky i fundit ishte i vendosur për të marrë paratë. Në këtë kohë nisin edhe konfliktet mes dy shokëve, që tashmë kishin nisur të merren me biznes. Debatet mes tyre kanë qenë të herëpashershme deri para pak ditësh, kur ishte përcaktuar dita përfundimtare për shlyerjen e borxhit. Ajo ditë ishte dje. Julian Koçiu ka marrë mjetin e tij luksoz me targa false, tip "Audi A8" dhe është nisur nga Lushnja për në Kavajë, që të takojë mikun e tij Ervis Ferizaj. Qëllimi i tij ishte se Ferizaj do i shtynte afatin e borxhit, duke i treguar edhe problemet që kishte pasur dhe se nuk kishte mundur të siguronte paratë. Por, jo i gjithë skenari ka shkuar siç e mendonte. 32-vjeçari ka shkuar pranë banesës së shokut të tij dhe i ka treguar se nuk i kishte paratë me vete. Ata kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin dhe më pas konflikti ka denigruar deri në momentin kur autori i dyshuar ka qëlluar dy herë me armë zjarri pistoletë tip "TT" në drejtim të Koçiut, i cili ndodhej në automjetin me targë TR4451L. Plagët e marra i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme 32-vjeçarit lushnjar, ndërkohë që autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Nga ana tjetër, dëshmitarët në vendin e ngjarjes, duke parë skenën e rëndë, kanë njoftuar uniformat blu të Komisariatit të Kavajës, të cilët brenda një kohe të shkurtër kanë mbërritur. Shërbimet e policisë kanë identifikuar autorin dhe kanë bllokuar rrugët dalëse të qytetit. Në një nga këto rrugë, uniformat blu kanë gjetur edhe Ferizajn, i cili është arrestuar nën akuzën e vrasjes. Policia e Tiranës tha zyrtarisht se nga verifikimet në kohë të informacioneve u bë e mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të vrasjes në një kohë tepër të shpejtë. Ervis Enver Ferizaj, 29 vjeç, lindur e banues në Kavajë, i cili është proceduar më parë për "armëmbajtje pa leje".