182 fëmjë- viktima të shfrytëzimit seksual

Abuzimi seksual i fëmijëve rezulton të jetë një problem shumëfish më i përhapur nëse vërehen të gjitha në Qendrat për punë sociale ose polici.
Një raport i fundit i Avokatit të Popullit alarmon se abuzimi seksual i fëmijëve po rritet dhe shifrat mund të bëhen më të larta nëse bashkohen saktë që të gjitha të dhënat. Ajo që mbetet e trishtueshme është trajtimi mjekësor e gjyqësor i rasteve të pedofilisë.
Mekanizmi i monitorimit të abuzuesve seksual nuk funksionon, ndonëse ligji parasheh masa të ashpra më tepër se në shumë vende të tjera.
Pas një hulumtimi që është bërë në komunat e vendit, sipas rezultateve të policisë, nga viti 2008 deri në vitin 2011, janë 182 fëmjë viktima të shfrytëzimit.
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, tërheq vërejtjen se organet e rendit pak kanë punuar për t’iu kundërvënë rasteve të tilla.
“ Ne kemi nxjerr një raport së bashku me organizatën Save the Children në Kosovë. Është shumë shqetësuese kjo dukuri. Fakti se ka abuzim seksual të fëmijëve në çdo vend asaj nuk mund t’i ik askush.
Çështja është se në shoqërinë tonë kjo është ende një temë tabu. Shpesh konsiderohet e nuk duhet raportuar, nuk duhet flitet për të sepse humbet një moral që dikush konsideron të tillë.
Prandaj kjo nuk mund të konsiderohet si private dhe mos të trajtohet më tej. Një prej qëllimeve të raport është edhe kjo përveç të dhënave që janë paraqitur për sjelljen e organeve shtetërore në raport me këtë fenomen të shëmtuar”, thotë Kurteshi.
Adile Shaqiri, zyrtare e lartë për mbrojtjen e viktimave të trafikimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit ka pasqyruar realitetin, ku të dhënat janë marrë nga Qendrat për Punë Sociale, Policia dhe institucione të tjera.
”Qendrat për punë sociale, janë institucionet që ofrojnë mbrojtjen sociale direkte në të gjitha shërbimet”, thotë Shaqiri.
“Zakonisht rastet e keqtrajtimeve të fëmijëve fillimisht identifikohen nga policia, ose i referohen policisë nga subjektet e tjera. Pastaj Qendra për punë sociale është institucioni i parë që merr pjesë në intervistimin e një fëmije të abuzuar, viktime e çfarëdo forme të dhunës.
Pas shqyrtimit të një rasti, janë Qendra për punë sociale dhe policia që bëjnë identifikimin e parë, e referojnë për shërbime shëndetësore nëse vlerësohet edhe për një lloj ekspertize që kërkohet dhe normalisht rasti nëse vlerësohet se ka nivel të rrezikut, ne kemi partnerët tanë që ofrojnë shërbime strehimi.
Në Kosovë kemi OJQ, që në kuadër të tyre kanë strehimore për strehimin e fëmijëve të abuzuar e keqtrajtuar në forma të ndryshme”, sqaron ajo.
Rreth 67% të rasteve të raportuara janë femra si dhe rreth 33 % meshkuj. Ndërsa 70 përqind e rasteve tregojnë se abuzimi përbën pjesën më të vogël të moshës. Në pothuajse shumicën rasteve abuzimet vijnë nga personat e rritur dhe jashtë lidhjeve familjare. Por rreth 3 % e të gjitha rasteve, sipas raporteve të prokurorisë dhe Qendrave për punë sociale bëhet fjalë për inceste./Indeksonline/