E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i 15 shoqatave për institucionet: Në rast të kundërt, në Strasburg



Neni 14 i ligjit, pika 2 e ligjit Nr. 10142 datë 15.5.2009” që shfuqizohet, thekson: “Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës 1 të këtij neni, në çastin që lind e drejta për përfitim:

a) për personat, që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin Nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) për personat që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin Nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr. 33, datë 24.06.2010, shfuqizon pjesërisht ligjin Nr. 10142, datë 15 5 2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura.....”, dy nene: Nr. 14 ligjit, pika 2 dhe Nr. 27.

Ky vendim është në pajtim me Kushtetutën, me ligjin në fuqi për Statusin e Ushtarakut, si ligj organik i votuar me 3/5 në parlament nga tërë deputetët dhe njëkohësisht krahët e politikës shqiptare dhe në respektim të rekomandimeve të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr. 9, datë 26 02 2007.

Ky shfuqizim mund të ilustrohet qartë me në një shembull konvencional se një ushtarak me pagë 50.000 lekë dhe 20 vjet vjetërsi shërbimi, pensioni i parakohshëm mujor do të llogaritet: 50.000 lekë x 50% = 25.000 lekë për 15 vjet vjetërsi. Ndërsa diferenca: 5 vjet x 2% = 10 % do të përfaqësoj shumën (50.000 x 10 %) = 5.000 lekë dhe gjithsej, pensioni mujor është 25.000 + 5.000 = 30.000 lekë.

Në rast se ka përfituar këtë të drejtë para 10 vjet nuk duhet të shmanget por të shtohet rritja vjetore nga indeksimi gjatë kësaj periudhë. Krahasuar me dispozitën para shfuqizimit, do të thotë që tavani kufizues prej 2 pensione bazë minimale, kur sot është 20.552 lekë rezulton të humbiste diferencën 9. 448 lekë (nga 30. 000 – 20.552 lekë) pension që ushtarakut i takon sipas ligjit.

Krahas falënderimit për këto shfuqizime për Gjykatën Kushtetuese në zbatim pjesërisht të parimit të drejtës së fituar dhe sigurisë juridike të ushtarakëve po sjellim disa prova që nuk kanë të bëjnë me përllogaritje apo argumente juridiko-sociale dhe ekonomiko-financiare. Gjykata Kushtetuese me ligjin në fuqi, duke mos i shfuqizuar disa dispozita e nene të tjera sjellë një përkeqësim të nivelit jetike të ushtarakut në pension.

Ligji Nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura.....”, është ligj për zbatim të vendimi Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007 dhe rekomandimeve të tij. Kushtetuta në nenin 132, pika 1 thotë: ”Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare”, ligjvënësi në këtë ligj e ka shpërfillur këtë. Për rrjedhojë, sipas gjykimit tonë, ligji nuk ka mbajtur parasysh rekomandimet e bëra në vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha kërkesat e bëra nga shoqata AKUSH, përjashtuar vetëm pikën 2 të nenit 14 dhe nenin 27, është kundërvënie e plotë ndaj vendimit.

Kur vendimi shprehet: “...marrëdhëniet juridike të krijuara - mbrohen nga parimi kushtetues i shtetit të së drejtës, në të cilin përfshihen edhe e drejta e fituar dhe siguria juridike. Prandaj, futja e një rregullimi të ri për pensionet duhet të bëhet duke u kujdesur që kjo të respektojë, ndër të tjera, edhe këto të fundit.”., ligjvënësi me ligjin ka bërë të kundërtën”.

Ne kërkojmë, në përputhje të plotë me ligjet e shtetit shqiptar, të shfuqizohen dispozitat antikushtetuese dhe t`u jepen te drejtat ligjore ushtarakeve:

Kërkesat e ushtarakëve janë sa vijon:

1. Qeveria të planifikojë dhe të shlyejë detyrimet financiare ligjore për ushtarakët që burojnë nga moszbatimi i ligjit nga 01.01.1991 deri në 14.05.2004, nga trajtimi në vazhdimësi, në kundërshtim me ligjin Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të R.Sh.”; nga mos zbatimi i ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të R. Sh.”, i ndryshuar me ligjin Nr. 9481, datë 16.02.2006 ; nga vendimi Nr. 9, datë 26.02.2007 i Gjykatës Kushtetuese; nga data 14 maj 2004 deri më 27 qershor 2009, kur hyri në fuqi ligji Nr. 10142, datë 15.05.2009.

2. Të nxirren aktet nënligjore që detyron ligji Nr. 10142, datë 15.05.2009, sipas nenit 30 të tij, për nenet 3, 4, 5, pika 1, 11, 22, 23, pika 3, 24, pika 1, 26 e 29 të këtij ligji në fuqi.

3. Të zbatohet vendimi Nr. 33 i Gjykatës Kushtetuese, si detyrim që buron nga pika 1 e nenit 132 të Kushtetutës.

4. Organet e sigurimeve shoqërore duhet të rillogaritin masën e pensionit dhe të kryhet menjëherë pagesa nga 1 korriku 2009, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr. 33, datë 24.06.2010, duke aplikuar rritjet vjetore, koeficientet dhe indeksimet respektive.

5. Të bëhen llogaritje me pagën referuese të muajit të fundit të çastit të lindjes të së drejtës, sepse dihet që çdo ushtarak, ditën apo momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për shkak të reformës ka pasur një pagë relativisht më të lartë se paga mesatare referuese. Kjo është e argumentuar sepse vjetërsia dhe kualifikimet kanë qenë dhe aktualisht me trende në rritje. Përshembull, prirja është në rritje të pagës për funksion, për gradë dhe shtesa të tjera, në masën mbi 99 përqind të ushtarakëve, përjashtuar ndonjë rast ndëshkimi të ushtarakut dhe të uljes në detyrë. Me nenin 4, pika 2 paragrafi 2, pagën referuese të muajit të fundit të çastit të lindjes të së drejtës e ka zëvendësuar me mesataren e pagave referuese, sipas viteve te qëndrimit në atë gradë apo funksion; Paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Kur neni 8, pika 1 përcakton si pagë referuese pagën bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit, së bashku me shtesat, që përfiton ushtaraku i së njëjtës gradë në çastin e lindjes së të drejtës së përfitimit . Kjo ul masën e pagës referuese për llogaritjen e përfitimeve dhe me rillogaritjen e pensionit pakëson masën e tij. Në nenin 24, rillogaritja e masës së pensionit sa herë ndryshon paga referuese është zëvendësuar me indeksimin me bazë jo pagën referuese, por indeksimin e pagës mesatare referuese. Mesatarja e ponderar është rezultat i pjesëtimit te shumatorit nga produkti i pagave te përfituesit me kohen, muajt e shërbimit ushtarak, me shumatorin e kohës së shërbimit ushtarak, totali i muajve të punës. Nëse kjo është për tërë periudhën e shërbimit 15, 20,35 vjet apo më shumë shërbim për çdo ushtarak kjo sjell uljen e masës së pensionit. Nëse do të qëndronte kjo dispozitë, mundet të supozohet vetëm për periudhën për gradën dhe funksionin më të lartë të fundit, përshembull, 3-5 vitet e fundit.

6. Të njihet e drejta e llogaritjes së periudhës 6 muaj e një ditë, e barabartë me një vit të plotë shërbim.
Me nenin 3, pika 3, ka mohuar të drejtën e llogaritjes së periudhës 6 muaj e një ditë në vit të plotë;
Kur në Nenin 7 të ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, të ndryshuar, përcakton: “...periudha që mbetet është mbi 6 muaj, llogaritet vit i plotë...”, pika 3 e nenit 3 e ligjit të ri duke u shprehur: ” ...viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë.”, mohon këtë të drejtë edhe për një ditë më pak shërbim. Pra, mohohet njohja e vjetërsisë së shërbimit për 1 vit edhe për 1 ditë pune më pak, pra, për 364 ditë pune, shërbim ushtarak.

7. Në nenin 12, ligji ka rikthyer pagën kalimtare, nëpërmjet pikës 2, ka mohuar pagesën për dy muajt e parë. Po këtu, ka mohuar të drejtën e përfitimeve në rastet kur ushtaraku ndëshkohet disiplinarisht apo kërkon të largohet vetë nga shërbimi ushtarak. Këtë statusi i ushtarakut e ka përjashtuar për ushtarakët që plotësojnë vjetërsinë e shërbimit për përfitimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe për ushtarakët që nuk plotësojnë kushtet për këtë pension e ka zëvendësuar në Nenin 46 me shpërblimin në aq paga sa vjetërsi shërbimi kanë si ushtarak të shërbimit aktiv.

Të mos të bëhet rikthimi i pagës kalimtare që mohon të drejtë për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Ligji i ri, në nenin 12 “Shpërblimi i menjëhershëm dhe pagesa kalimtare”, shpërfill këtë dhe rikthen pagën kalimtare. Rikthimi i pagës kalimtare, ushtarakëve që dalin në rezervë a lirim dhe që plotësojnë kushtin për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, u mohon të drejtën e përfitimit të këtij pensioni me daljen në rezervë a lirim, që u njeh neni 35 i statusit të ushtarakut.

8. Neni 16 mohon llogaritjen e pensionit suplementar të pleqërisë në masën 40% të pensionit të pleqërisë dhe 2% të këtij pensioni për çdo vit tjetër, pa kaluar e gjithë masa e pensionit 60% të pensionit të pleqërisë dhe rikthen formulën e vitit 1996, pra 1% të pagës referuese për çdo vit shërbimi.

9. Të mos kufizohet në kohë e drejta e përfitimit, të mos luhet me të drejtën e parashkrimit të së drejtës së fituar. Me nenin 28, pika 3, përfitimet e paguara më pak nga pagimi për gjithë kohën e përfitimit, e ka kufizuar për 3 vjet dhe ka hequr të drejtën e përfitimit në rast mosaplikimi brenda vitit të fituar që me ligjin e 13 marsit 1996, i ndryshuar. Neni 31, pika 3 e ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar, përfitimet e caktuara, por të paguara më pak i jepen në çdo kohë. Në kundërshtim me këtë, pika 3 e nenit 28 i ligjit këto përfitime i kufizon për një vit. Ligji Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar njihte tërheqjen e përfitimeve të njohura, por të pa tërhequra pa kufizim kohor. Pika 2 e nenit 28, nuk lejon tërheqjen për më shumë se 3 vjet. Kjo në një shembull konkret për një ushtarak do të thotë të humbasë të drejtën e fituar me ligj për rreth 2.3 milionë lekë të reja për një kohë rreth 10 vjet. Pagesa përfaqëson diferencën nga rillogaritja e pensionit të pa paguara në kohën e duhur, në afat kundrejt asaj që i takon pagë referuese dhe rritje vjetore. Për këtë ka dhjetëra vendime gjykate të formës së prerë që iu ka dhënë të drejtën e përfitimit për tërë kohën që ushtarakut i ka lindur e drejta.

10. Të hiqet kufizimi i përfitimit në rast punësimi. Ushtarakëve që dalin në rezervë a lirim dhe që nuk plotësojnë kushtin për pension të parakohshëm, u kufizon përfitimin në rast punësimi dhe u mohon shpërblimin e menjëhershëm në aq paga sa vjetërsi shërbimi kanë në Forcat e Armatosura. (neni 12, pika 5). Të dy kategorive për 2 vjet u kufizon masën e përfitimit deri në 50% të pagës mesatare referuese.(pika 2 dhe 3, neni 12).

11. Gjykata e Lartë, sipas kompetencave ligjore, duhet të bëjë një vendim unifikues mbi të drejtën ligjore të fituar të ushtarakëve në pension: Për të njëjtën çështje anikmuese ka një zgjjidhje, një vendim që do të thotë të eliminohet një burokraci e madhe, të kursehet kohë dhe fonde buxhetore për shpenzime për mijëra procese gjyqësore. Njëkohësisht, do të kursehen edhe shpenzime në disa mijëra lekë për këtë qëllim që përballohen nga buxheti privat i individit, i çdo ushtaraku që bën gjyq.

12. Përveç këtyre, ligji edhe pse është ligj derivat i statusit të ushtarakut dhe në zbatim të tij, por edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, merr kompetencat që nuk i përkasin. Ai, me nenin 30, shfuqizon pikën 1 e 2 të nenit 35 të statusit të ushtarakut, duke e lënë trajtimin me pension të parakohshëm pa bazë statutore. Pra, ligji i thjeshtë miratuar me shumicën e thjeshtë shfuqizon dispozitën e ligjit organik që miratohet me 3/5 e votave të deputetëve.

Mohimi i këtyre të drejtave jetike të ushtarakëve, ka bërë që për dispozitat e tjera të kërkuara për tu shfuqizuar si antikushtetuese, të lihen në fuqi. Gjykata Kushtetuese, në këtë rast, nuk ka respektuar dhe nuk i është nënshtruar Kushtetutës.

Tashmë, zgjidhja e të drejtave ligjore të fituar nga organet tona gjyqësore është mbyllur pothuaj përfundimisht. Natyrisht, pas këtij akti, rruga e vetme për të fituar të gjitha të drejtat që vendimi i mohon, mbetet ose hapat që duhet të hidhen nga ligjvënësi, ekzekutivi dhe gjyqësori ynë për vënien ne afat dhe zgjidhjen pozitive të të drejtave të ushtarakëve ose shoqatat t`i drejtohen institucioneve ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, siç është Gjykata e Strasburgut.

Apeli është firmosur nga 15 organizata në mbrojtje të interesave të ushtarakëve.

9 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›