E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet, paradite ushtar, pasdite shet Cannabis



Albert Gjoka

TIRANË – Pasi mbaron punën si ushtar profesionist, del në rrugë dhe shet drogë. Kjo ka qenë puna e dytë e Afrim Muçkës, e cila ka përfunduar mbrëmjen e së mërkurës. Ai është arrestuar nga agjentët antidrogë vetëm 100 metra larg zyrave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe shumë afër Ministrisë së Brendshme. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se 23-vjeçari është prangosur në kuadër të operacionit “Profesionisti” para hotel “Dajtit” në kryeqytet, ndërsa i është sekuestruar një sasi lënde narkotike prej rreth 0.7 kilogramësh. Policia nisi hetimet për këtë rast dhe po punohet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.

Operacioni
Afrim Muçka ka hequr rrobën e ushtarit ditën e mërkurë dhe ka marrë qesen me drogë për të filluar aktivitetin e natës. Një gjë të tillë, të cilën dyshohet se ai e kryente prej kohësh, duke përfituar nga detyra prej ushtaraku, pa rënë në sytë e policisë. Por, lëvizjet e dyshimta të 23-vjeçarit Muçka janë bërë shkas që të nisin hetimet. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bëjnë të ditur se “në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Profesionisti’, i realizuar nga agjentët e Seksionit kundër Narkotikeve, u arrestua në flagrancë shtetasi Afrim Muçka, 23 vjeç, banues në Tiranë, ushtar profesionist në Repartin Ushtarak 4401, Tiranë”. Sipas tyre, kapja e Muçkës u bë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, pranë hotel “Dajtit”. Zëdhënësja bëri të ditur se “pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, rezultoi se ky shtetas merrej me shitje të bimëve narkotike të llojit Cannabis sativa”. Gjatë momentit të realizimit të aksionit, agjentët bënë një kontrolli personal ku iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 697 gramë bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sativa.

Hetimet
Kaq ka mjaftuar që ushtari Muçka të prangoset në kushtet e flagrancës. Menjëherë pas arrestimit nisën hetimet. Burimet policore sqarojnë se materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të Afrim Muçkës i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Sipas tyre, dyshohet se në aktivitetin ku ishte përfshirë 23-vjeçari ka edhe persona të tjerë. Aktualisht po bëhen hetime edhe në këtë drejtim. Nga të dhënat e para janë hedhur pistat se lënda narkotike vinte nga Malësia e Krujës dhe shpërndahej në kryeqytet përmes rrjeteve të trafikantëve. Pikat kryesore janë: zona e ish-Bllokut, Stacioni i Trenit, zona e Komunës së Parisit dhe zona pranë QSUT-së.

Box 1

Kapet i kërkuari, u dënua për dezertim

GJIROKASTËR – Dëshira për t’u kthyer pranë familjes së tij i ka kushtuar shtrenjtë një 22-vjeçari nga Kukësi, i cili ishte dënuar për dezertim të ushtrisë. Policia e Gjirokastrës bën të ditur se ka ndaluar në pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës shtetasin Arif Sula, lindur dhe banues në Kukës. Në momentin e verifikimit të dokumentacionit ky shtetas ka rezultuar se ishte person i shpallur në kërkim. “Gjykata e Rrethit Vlorë, me Vendimin Nr. 113, datë 07. 10. 2009, e ka dënuar këtë shtetas me 3 muaj burg për veprën penale të ‘dezertimit nga ushtria’”, - thotë zëdhënësi i Policisë, Gentian Mullai.

Arrestohet fallxhorja, ishte dënuar me 4 muaj

DURRËS – Një fallxhore, e cila ishte dënuar nga Drejtësia, ka rënë në prangat e policisë duke i dhënë kështu fund jetës në liri. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Durrës bënë të ditur dje se paraditen e së martës, shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit të Durrësit bënë të mundur kapjen e shtetases së kërkuar Bukurie Bacelli, 63 vjeçe, lindur në Korçë dhe banuese në Kombinat, në Tiranë”. Sipas tyre, “kjo shtetase është shpallur në kërkim nga Policia e kryeqytetit, pasi prokuroria, me urdhrin e datës 29 prill të këtij viti, ka kërkuar ekzekutimin e vendimit penal të datës 13.04.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kjo gjykatë e ka dënuar Bacellin me 4 muaj burg për veprën penale të “mashtrimit”. Disa persona kanë rënë pre e mashtrimeve të 63-vjeçares, të cilët, më pas e kanë denoncuar, duke u hapur rrugë hetimeve dhe më pas dënimit nga trupi gjykues. “Shtetasja Bukurie Bacelli iu dorëzua për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale shërbimeve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Durrësit.

9 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›