19 zyrtarë nuk kanë deklaruar pasurinë, prinë Qeveria

Më shumë se 92 për qind e zyrtarëve të lartë publikë, me marrjen e detyrës e kanë deklaruar pasurinë e tyre tek Agjencia kundër Korrupsionit, kurse 19 për qind e tyre nuk e kanë bërë një gjë të tillë duke iu shmangur kështu obligimit që kanë sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave.
Agjencia Antikorrupsion ka bërë të ditur se, AKK ka pranuar informacionet nga pikat kontaktuese të saj nëpër institucionet publike se 253 zyrtar të lartë publikë janë emëruar si zyrtar të ri dhe kanë për obligim deklarimin e pasurisë.
“Nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve të lartë publikë që kanë pasur obligim deklarimin e pasurisë me marrjen e detyrës 234 apo 92% e kanë përmbushur këtë obligim ligjor ndërsa 19 apo 08% nga numri i përgjithshëm nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor, prej 30 ditëve pas emërimit”, thuhet në komunikatën e dërguar nga AKK-ja.
Prej zyrtarëve që nuk kanë deklaruar pasurinë në AKK, prin Qeveria e Kosovës, kur prej 110 zyrtarëve, 12 prej tyre nuk kanë deklaruar pasurinë.
Pasurinë nuk e kanë deklaruar edhe dy zyrtarë të Institucioneve të Pavarura, ndërsa prej Komunave të Kosovës janë katër zyrtarë që nuk kanë deklaruar pasurinë. E po ashtu edhe një zyrtarë i Ndërmarrjeve Publike nuk ka deklaruar pasurinë.
Agjencia Antikorrupsion njofton se, për të gjithë zyrtarët që nuk kanë deklaruar pasurinë ashtu siç e përcakton ligji, do të iniciohet procedurë kundërvajtës.
AKK iu bënë thirrje të gjithë zyrtarëve të ri që në momentin e marrjes së detyrës së lartë publike ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre, në mënyrë që të demonstrohet një përkushtim më i thellë i respektimit të kuadrit ligjor antikorrupsion./Indeksonline/