E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti, ekspozitë me peizazhe kanadeze

 

alma mile

U largua rreth 20 vjet më parë me ca peizazhe shqiptare, të mbledhura rrotë nën sqetull dhe sot kthehet me 40 piktura me pamje nga Kanadaja.
Prej dy ditësh, në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar, piktori Dhimitër Prifti ka hapur një ekspozitë vetjake.  Janë peizazhe nga Kanadaja, ku ai jeton prej gati 30 vitesh. Si çdo shqiptar në emigracion, nisi një punë të rëndomtë, por shumë shpejt do të dilte në pah talenti i artistit, i cili sot drejton një galeri dhe furnizon me piktura 3 të tjera në Toronto.
Ktheheni në Shqipëri me një ekspozitë pikture, pas shumë vitesh qëndrimi në Kanada, përse pikërisht tani?
Në Kanada kam marrë vlerësime shumë të mira nga kritika dhe studiuesit e artit dhe pasi kam arritur këtë, mendova se kishte ardhur momenti të vija edhe në vendin tim, ku kam lindur, për t’u përballur me publikun shqiptar, por edhe me kritikën dhe kolegët.
Nëse do të pritet mirë, besoj se për 60-vjetor, pra pas 4 vjetësh do të hap një tjetër ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ndoshta do të krijohet një mundësi aty, pasi e kam lënë dosjen time prej 2 vjetësh dhe askush nuk më ka kthyer një përgjigje. Për hapjen e kësaj ekspozite më ka mbështetur shumë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Kasëm Biçoku, i cili u tregua shumë i gatshëm për të më ofruar ndihmën e tij.
Sa punë keni sjellë me vete?
Solla me vete 45 punë, por 5 prej tyre mi blenë rrugës dhe në këtë ekspozitë sjell 40 punë të përmasave të mëdha. Janë kryesisht peizazhe kanadeze, por ka edhe disa kompozime.
Gjithë jetën time kam lëvruar peizazhin, pa lënë mënjanë edhe grafikën, kompozimin e portretin, por më së shumti peizazhin.
Nëse kthehemi pas në kohë, si nisët të pikturoni?
Qysh 5 vjeç ndiqja xhaxhain tim ikonograf, Nikolla Prifti, që zbukuronte kishat e zonës dhe kontakti i parë me pikturën ka qenë pikërisht në studion e tij. Ka punuar në kishën e Ardenicës si dhe të Shën Pjetrit në Apolloni. Nisa të vizatoja edhe unë, për të mu kthyer në një profesion.
Sa mundësi keni pasur të ekspozoni punët tuaj, përpara se të largoheshit?
U bënë vite tanimë që jetoj jashtë dhe jam shkëputur nga ekspozitat në Shqipëri. Kam hapur ekspozitën time të parë në shtator të vitit 1977 në Fier dhe hap sërish një ekspozitë në Shqipëri, pas plot 32 vjetësh. Kritikët e asaj kohe më dhanë një shtysë të mëtejshme për të pikturuar. Ata panë shumë ndjenjë në punët e mia dhe e vërteta është që unë ia kam kushtuar gjithë jetën time pikturës. Asokohe merrja pjesë në ekspozitat e përbashkëta që zhvilloheshin, por që edhe pjesëmarrja në to ishte me urdhër nga lartë. Mbaj mend një perëndim dielli në Vlorë ma kanë hequr nga ekspozita, pasi kisha përdorur shumë okër dhe të verdhë dhe piktura ime u konsiderua si moderniste.
Si iu rikthyet pikturës në Kanada?
Sa shkova në Kanada, fillova një punë të rëndomtë, lyeja makinat me bojë, pasi duhet të mbaja familjen. Të ushtroje profesionin e piktorit ishte e vështirë. Gjithsesi kisha marrë disa punë me vete dhe shkoja në qendër të qytetit dhe shihja galeritë e pikturave. Atje gjeta një galeri, ku hapej një ekspozitë pas një jave me 6 artistë nga Kanadaja, Amerika, Brazili, Franca dhe Kili. I tregova menaxherit një album që kisha marrë me vete. I pëlqyen punët e mija dhe zgjodhi mes tyre. Pas 6 ditësh u hap ekspozita. Një kanadeze m’i bleu të katër punët dhe më porositi një portret të nënës së saj, që kishte vdekur. Unë banoja larg dhe i dhashë adresën e punës. Ditën që ajo duhet të merrte pikturën, unë e mora punën me vete, por më thonë se duhet të shkoja diku për të lyer një shtëpi dhe ia lë menaxherit. E porosita që të mos ia tregonte pronarit punën time nga frika se mos më pushonte nga puna, meqë merresha me një punë tjetër ndërkohë. Por qëlloi që pronari im ishte tepër artdashës. E kishte parë portretin gjatë kohës që vajza kishte shkuar për të marrë portretin dhe më pas më takon dhe shpreh dëshirën e tij për të hapur një studio arti. Ai u tregua i gatshëm për ta furnizuar studion me të gjitha materialet e duhura, që nga kavaletet, telajot, bojërat, plot 20 mijë dollarë materiale. Më tej lidhëm edhe kontratën mbi pagesën dhe përqindjet e shitjeve. Kështu nisa punën. Kisha gjithë lirinë e duhur për të krijuar. Nisën porositë, daljet në natyrë. Ca më vonë hapëm galerinë e parë në Toronto, ku punët e mia me ngjyrat karakteristike u pëlqyen shumë. Në 21 dhjetor hapëm galerinë më të madhe në Toronto.
Në punët tuaja spikasin ngjyrat e gjalla, si e verdha, portokallia, përse kjo preferencë?
Është e vërtetë, në punët e mija spikat okra, kafja, e verdha. Janë ngjyra që janë ngulitur me kohë tek unë, ndoshta qysh në kohën kur xhaxhai im pikturonte ikona. Në Kanada ka dy stinë, verë të fortë dhe dimër të fortë, vjeshta dhe pranvera ndihen pak. Vjeshta është një çmenduri. Nuk kisha parë askund ngjyra të atilla, një ndriçim të atillë. Në 15 tetor atje është një mrekulli. Kështu që u gjenda shumë mirë me atë gjendje kolorite që gjeta atje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›