E Diel, 1 Nëntor 2026

Sandri kërkon nga Meta një takim me JeremiçinNga Antena brenda familjesSandri dje nuk donte ta hapte më bisedën për fjalimin gjysmë orësh të doktorit për Samirin te Kartodromi. I vinte pak inat që Samiri tani nuk ia kishte më nevojën se takohej direk

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Sandri kërkon nga Meta një takim me JeremiçinNga Antena brenda familjes

Sandri dje nuk donte ta hapte më bisedën për fjalimin gjysmë orësh të doktorit për Samirin te Kartodromi. I vinte pak inat që Samiri tani nuk ia kishte më nevojën se takohej direkt me doktorin prej Argitës, por nuk e dha veten. Aq më tepër ishte paksa i dëshpëruar që një natë më parë, pra para se doktori të shkonte te Kartodromi, Samiri kishte ngrënë darkë me Shkëlzenin dhe s’i kishte thënë. Sidoqoftë ai u tregua korrekt me pagesat për rrogat dhe Sandri dje donte ta harronte këmbënguljen e tij që s’e kishte sjellë ai doktorin në ceremoni. Por nuk ishte e thënë që t’i ndahej Samiri. Ilir Meta e mori nga Praga në telefon. Kishte takuar Jeremiçin. Përveç bisedës zyrtare, ishin ulur dhe kishin bërë muhabet si miq të vjetër.

- Sandri, takova këtë Jeremiçin, vëlla. Sikur jetonte në lagjen tonë ishte. Gjithë sherret tona i kishte marrë vesh.

- Ashtu? Qenka figurë ai! Po kush ia tha?

- Paska shok të ngushtë atë Fazlliçin. Paskan qenë në një dhomë në Londër. Ia kishte treguar Damiri të gjitha. Kush e ndihmonte këtu dhe kush e luftonte. Ishte shumë i kënaqur nga zgjedhjet dhe tha: “Morët vendimin e duhur”. Madje donte të bënte dhe një deklaratë që zgjedhjet ishin shumë të mira, po i thashë, mos e bëj, se na prish punë.

- Qenka figurë ai! Po tjetër ç’tha?

- Më pyeti për Samirin mo burrë. Ai miku i ngushtë i tij paska blerë Euromaksin dhe më tha: “Si i ka punët Samiri? Më ka folur Mishkoviçi, - tha. - Është djalë i zoti dhe me ide.” I kishte treguar Mishkoviçi gjithë muhabetet. I kishte thënë si u përpoq Samiri dhe ti për koalicionin dhe sa rol luajti Samiri për ta nxitur doktorin të kërkonte koalicion me mua. I dinte të gjitha biri i kurvës. Ishte i informuar dhe shumë i kënaqur. Është njeri shumë pozitiv. I qeshur dhe shumë i edukuar. Dhe për Lul Bashën më pyeti. “E kam mik të vjetër, - më tha. - Na ka ndihmuar shumë në identifikimin e këtyre krimeve të luftës nga shqiptarët në Kosovë. Sidomos për atë Ramush Haradinajn, - tha.” I fola mirë, i thashë që gjyqin e mbylli, tani është ministër i Brendshëm. I dinte të gjitha. I fortë ishte. Më kënaqi me muhabet. Sikur kisha ndonjë nga ju aty.

- Qenka i madh ai! Po ftoje ndonjë ditë privatisht, se i dërgoj unë charterin ta marrë. I japim ndonjë drekë. Bëjmë ndonjë punë me Serbinë. Se ngelëm duke ndihmu serbët në Tiranë. Të shkojmë të bëjmë dhe ne ndonjë punë atje.

- Po mo, i them unë. Ishte djalë i shkëlqyer. “E dija që do përfundonte ashtu koalicioni, - më tha, - se më kishte thënë Mishkoviçi para zgjedhjeve.” I paskësh thënë ai që partneri im në Shqipëri po hyn si ndërmjetës të afrojë Metën me Berishën. Samirin e kishte shumë të njohur prej atij Mishkoviçit. Madje më pyeti dje për këstet e pagesës së Euromaksit, “a ia dha të gjitha a jo, se i kishte ca borxhe”, - më tha.

- Le, se qenka figurë ai, duhet ta takojmë këtë, të bëjmë ndonjë punë. Më prezanto ti mua me të. I thuaj, çfarë punësh të kesh me doktorin, t’i rregullon ky. Dhe shkojmë bëjmë ndonjë punë në Serbi, se këtu s’kemi ç’bëjmë më. Toka kemi marrë plot, ç’i do më. Fshatra turistikë plot, rrugë po marrim. Të ikim bëjmë ndonjë kompani andej.

- Kur të duash vëlla, ai gati ishte. Pata takim shumë të mirë më të. Madje ishim bashkë, kur na thanë që Lavrovi ka reaguar për vizitën e Berishës në Kosovë. As e rruajti fare ai. “E mo, - tha, - ky Lavrovi do të duket më serb se serbët. Mos çani kokë”, - tha. Pastaj biseduam për këtë punën e energjisë elektrike. Më tha: “Si do t’ia bëjmë për këto tenderët? A do vazhdojë kompania e Fazlliçit a jo?” I thashë, jemi të hapur, si të doni ju. Ne pazarin e kemi me ju, i thashë, Fazlliçi ndërmjetës ishte. Po s’keni besim, e heqim, vëmë tjetër. Drejtorin e KESH e hoqëm, i thashë. Dhe nuk e meritonte se, kur ra fjala për Fazlliçin, nuk doli ta mbronte publikisht. Dhe doktori ia ktheu monedhën, nuk e vuri as deputet, as ministër. Ata që e mbrojtën, ecën përpara. “S’ka problem, - më tha. - Si të doni ju.” I thashë të lidhet me Tan Priftin për këtë punë dhe të më informojë mua. Se ai Tani, me gjysmë truri vëlla. I fut ndonjë pazar shkurt vetë dhe na lë me gisht në gojë, sa të na dalë nami kot. “Pa merak, - tha. - Ju njoftoj unë për çdo gjë.” Më luti dhe një herë të bënte deklaratën për zgjedhjet, po i thashë, jo, se na prish punë. Ishte flori, shumë djalë i mirë ishte.

- Le mo se qenka figurë. Më thuaj kur t’i dërgoj charterin, ta marrim ndonjë ditë për drekë në Golem, të bëjmë muhabet tamam, se ai qenka për punë, jo ju.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›