E Shtunë, 31 Tetor 2026

195 filma në AniFest Rozafa

Nga Express më 02 gusht 2011 në ora 10:30

Nga 23 shtatori e deri më 1 tetor, në Shkodër mbahet edicioni i dytë i Festivalit të Filmit të Animuar AniFest Rozafa.

Në këtë edicion pritet të marrin pjesë 195 filma të animuar.

Gjatë këtyre dy ditëve të para të festivalit, kur do të ketë edhe punëtori e seminare për mësues, piktorë, fëmijë dhe artdashës të filmave të animuar, do të shfaqen 49 filma të animuar nga fëmijët e shteteve të ndryshme, si Belgjika, Irani, Egjipti, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Finlanda, Skocia, Turqia, SHBA, Serbia dhe Anglia. Këta filma do të vlerësohen nga juria 25 anëtarëshe e fëmijëve, e cila do të zgjedhë filmat më të realizuar dhe më me vlera artistike.

Ndërkaq, nga 26 shtator e deri më 1 tetor, edhe tri juri të tjera ndërkombëtare do të vlerësojnë filmat e animuar. Juria e fëmijëve do të vlerësojë “Filmin e animuar më të mirë për fëmijë”, në mesin e konkurrentëve që vijnë nga 14 shtete.

Juria ndërkombëtare, e përbërë nga 5 anëtarë, do të vlerësojë filmat studentorë dhe filmin e pavarur për “Filmin e animuar më të mirë të realizuar nga studentët”, ku konkurrojnë 43 filma të animuar të realizuar nga studentë të 17 shteteve. Ndërsa juria ndërkombëtare 3 anëtarëshe do të vlerësojë filmat e realizuar nga kompanitë e produksionit dhe nga krijues të njohur të animacionit në botë. Për kategorinë “Filmi i animuar më i mirë profesional” konkurrojnë 45 filma nga 19 shtete, në mesin e të cilëve janë edhe “The Lost Town of Switez”, i regjisorit Kamil Polak, dhe “Danny Boy”, i regjisorit Marek Skrobecki.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›