E Shtunë, 31 Tetor 2026

1966, trofeu mbetet në atdheun e futbollit

Pjesa e tetë e ciklit: “80 vjet rreth planetit të futbollit, 1930-2010”. Një speciale e Skifter Këlliçit: “Nando Martelini, Anton Mazreku dhe unë”

Nga Skifter Këllici

ǒishte Anglia deri më 1966 në arenën e futbollit?Vetëm atdheu ku kishte lindur kjo lojë magjike që ishte pushtuar edhe fiset që jetonin deri atëherë ende në kushtet e bashkësisë primitive, siç e dëshmonte shumë vite më parë një grup studentësh brazilianë. Kur kishin shkuar në thellësi të viseve tropikale të Brazilit që të njiheshin më shumë me kushtet e jetës së tyre dhe për t’u miqësuar me ta, kishin dashur t’u mësonin futbollin, në një ndeshje pa pritur ishin shpartalluar nga ata, as më shumë e as më pak,por... 16-0.
Anglia deri më atë vit nuk kishte në muzetë e saj as edhe një trofe, jo më në botërorët e futbollit,ku kishte denjuar të merrte pjesë vetëm më 1950 në edicionin brazilian,për t’u përulur nga diletantët amerikano-veriorë 1-0,por as në kampionatet evropiane ,as në kupat e Evropës... askund!
Por nuk do të ndodhte kështu në Botërorin e 7-të që zhvillohej pikërisht në Angli.
Fillimi ishte i vështirë, madje jo premtues. Një barazimi i varfër 0-0 me Uruguain që pak të kujton skuadrën dy herë kampione të botës. Madje të inatosur ngaqë që nuk mund të shënonin, anglezi Stajllz godet me... grusht një futbollist uruguaian. Gjyqtari hungarez, Zholt, e zgjidh këtë situatë me një ... ”top të diskutueshëm”, kur sot Stajllzi do të fluturonte jashtë me karton të kuq.
Por në ndeshjen e dytë “valvulën” e golave për anglezët e hap Bobi Çarltoni, pikërisht ai që pati shpëtuar në katastrofën e Mynihut, ku më 1958 u vranë tërë lojtarët e “Mançester Junaitedit”, shumica e të cilëve pjesëtarë të kombëtares, gol të cilit Hanti iu përgjigj më një gol tjetër që u dha fitoren 2-0 të zotëve të Botërorit. Si t’i shtohej oreksi Hanti shënoi dy gola në portën e Francës, kundërshtare tradicionale e anglezëve dhe kështu me 5 pikë anglezët u ndodhën në çerekfinale.
Por në grupet e tjera do të ndodhin të papritura tronditëse. Duket se pas fitores me Bullgarinë 2-0 ,me gola të Pelesë dhe Garincës, Brazili do ta ketë fushën të shtruar me lule. Vjen kështu takimi i dytë me Hungarinë. Që nga viti 1954 Hungaria ishte kalamendur përjetësisht si një fëmijë që mbetet në shpërgënj, por jo në këtë Botëror. Mos po ndodhe rilindja e Hungarisë së viteve ’50-të, të Pushkashit me shokë?Takimi me Brazilin e vërtetoi këtë. Tashmë të shihje ndeshje në TV-të e miqve, ishte më lehtë, sepse dhe numri i tyre po rritej.
Kur të nesërmen e ndeshjes takova Anton Mazrekun, pashë qe ai ishte shumë entuziast. “Nuk di nëse se kjo Hungari do të luajë kështu të ardhmen”, - më tha ai. Këtë përshtypje krijova edhe kur lexova shtypin sovjetik. Kjo ndeshje u cilësia si një ndër më të bukurat që ishin zhvilluar deri atëherë në botërorët futbollit. Golave të Benes, Farkashit dhe Mesolit, brazilianët iu përgjigjën vetëm menjë gol të vogël të Tostaos. “Ne luajtëm keq,hungarezët –shkëlqyeshëm”,-qenë fjalët e trajnerit Feola që ,ishte ardhur sërishmi në krye të skuadrës braziliane.
Erdhi dhe takimi i dytë i brazilianëve me Portugalinë. Edhe këtë ndeshje e kam para në TV. Kam parë Portugalinë e Euzebios, këtij futbollisti të quajtur “perla e zezë”, me origjinë nga Mozambiku. Mos ndoshta ndeshje midis miqsh,po të marrim parasysh se të dy palët flasin të njëjtën gjuhë, portugalisht? Aspak. Feola nga garda e vjetër mbajti vetëm Orlandon. Peleja i vënë në shënjestër nga mbrojtësit kundërshtarë, (ashtu si Maradona më 1982 nga mbrojtësit italianë), u dëmtua dhe u largua. Sidoqoftë, fitorja e Portugalisë siç dëshmoi pas ndeshjes Feola, ishte e ligjshme.
Kur shihja këtë ndeshje, kujtova shprehjen e Martelinit, gjithnjë në bisedën e gjatë në Radio “Dimesione Suono”, në Romë, më 1994,shprehje që ishte përdorur për këtë skuadër, fituese e botërorit kilian, më 1962, ku shkëlqimi i saj po venitej.
“Në fakt nuk ishte ndonjë profeci,po të marrim parasysh se Brazili nuk ndryshoi mendësitë duke pandehur se skuadrat europiane do të mbeteshin në hije”,- m’u përgjigj ai.
Por po kaq keq do t’i ndodhte Italisë, sidoqë ndeshja kundër B.Sovjetik premtonte shumë pas fitores skundër Kilit 2-0,që ishte hakmarrje pas humbjes në botërorit e katër vjetëve të shkuara. Mirëpo kjo ndeshje ishte paralajmërim se në qiellin italian po grumbulloheshin te të zeza që do të shpërthenin në shtrëngatë. Italia humbi 1-0 pas një gjuajtjeje të saktë të Cislenkos.
I tregoja Nando Martelinit se atë pasdite në shtëpinë e një kushëriri tim që kishte studiuar në Rusi, ku ishte blerë një “Rekord”, televizor me ekran sot të vogël, por që atëherë na dukej i madh, u vu një bast që axurrët do të fitonin. Ta pret mendja jo me shumat marramendëse të basteve të sotme. Por, kur dëgjoja nga televizori zërin e flashkët të Karozios, që në fund të ndeshjes shpjegoi se pas kësaj humbjeje Fabri, që ishte trajneri i italianëve duhej të reflektonte thellë,pashë se edhe ne vetë qenë të topitur, veç njërit që kishte fituar bastin,(me dy shishe birrë).
Sidoqoftë, nuk ishte hataja, se në fund të fundit nga koreanët diletantë axurrëve nuk do t’u vinte ndonjë rrezik,ndonëse kishin barazuar me Kilin,1-1,por kishin hëngër plot tre gola nga rusët. Por ndodhi çudia. Në minutat e fundit të pjesës së parë, Pak Du Iku shënoi një gol “antologjie”. U duk i rastit, por, sado që përpoqën axurrët, sado që u rrekën Macola, Rivera me shokë, rezultati mbeti po ai. Pas Brazilit u varros kështu edhe një skuadër tjetër, dy herë kampione e botës.
“Sapo skuadra u kthye në Itali,-më shpjegoi Martelini,-shpërtheu skandali. Madje edhe në parlament. Kurse RAI gjeti rast të shfaqte skeçe, ku vinte në lojë skuadrën që pësoi humbjen më të turpshme në historinë e futbollit italian.”
Më kujtohet se gjatë një gare çiklistike, që jepej në TV, një tifoz kishte ngritur një pankartë në të cilën shkruhej:”Forca Takoni,(çiklist) se nuk është Fabri që të drejton. “I gjori Fabri që ato ditë nuk dinte se ku të futej!..
Më shumë se kushdo tjetër fërkonte duart trajneri anglez Remsi. Në rrugën drejt titullit kishte dy kundërshtarë më pak. Sidoqoftë, rivalë të rrezikshëm për anglezët mbeteshin skuadrat latino-amerikane, kryesisht Argjentina, që ende nuk kishte arrirë në finale që më 1930, kur ishte humbur me Uruguain në Montevideo.
Edhe ndeshjet çerekfinale sollën të papritura. Skuadra verikoreane dëshmoi se jo më kot kishte fituar kundër Italisë.
“Unë që po ndiqja këtë ndeshje nga stadiumi, nuk u besoja syve kur shihja se veri- koreanët udhëhiqnin 3-0 pas minutës ë 22–të të pjesës së parë,- më rrëfente Martelini.- Për mendimin tim,të mos ishte Euzebio, skuadra portugeze do të fundosej dhe kjo do të ishte nj ndër të papriturat më të habitshme në historinë e futbollit botëror”.Por Euzebio, shënoi në minutën e 27-të. Tri minuta para mbarimit të kësaj pjese, po ai me 11-metërsh shkurtoi e dhe më shumë largësinë. Vetëm atëherë portugezët e ndien se po ktheheshin në jetë. Në minutën e 58-të Euzebio barazoi. Portugezët morën frymë lirisht. Por kjo aventurë nuk kishte të mbaruar. Përsëri Euzebio shënoi golin e katërt. Portugezët sa nuk fluturonin. Dhe ishin në eufori kur Augusto “saldoi”fitoren e skuadrës së tij 5-3. E pabesueshme,por e vërtetë. “Katër gola radhazi! E paparë në botërorët e futbollit!
“Ec e mos thuaj se në sport historinë nuk e bëjnë udhëheqësit.,-mendoja.- ǒdo të bënte Portugalia po të mos kishte luajtur Euzebio?”
”Verikorenanëve u mungoi përvoja, sepse me pak kujdes do të kishin mundur të ruanin fitoren,- shpjeguan specialistët”. Por kjo nuk ia ul meritat Portugalisë.
Çerekfinalet qenë të ashpra me jo pa polemika. Sidomos takimet Angli-Argjentinë dhe RF Gjermane-Uruguai. Skuadrat latino- amerikane u ankuan se FIFA kishte caktuar gjyqtarin gjerman, Kretlain, për të gjykuar ndeshjen Angli-Argjentinë dhe anglezin Fini, për ndeshjen RF Gjermane –Uruguai.
Ndeshjen Argjentinë-Angli e mbaj mend shumë mirë Pati ndërprerje për lojë të rëndë, dëbim nga fusha të argjentinasit Ratin, ashtu siç u dëbuan edhe futbollistët uruguaianë Troce dhe Silva në takimin e dytë.
Vëzhguesit sportivë arritën në përfundimin se në ndeshje të këtij niveli nuk duhej të gjykonin gjyqtarë të vendeve pjesëtare në çerekfinale. Dhe Anton Mazreku po këtë mendim pati shprehur.
Në gjysmë finale Anglia nuk i la shteg portugezëve të bënin çudira. Mbaj mend se pas një operacioni të shpejtë Bobi Çarltoni shënoi nga larg në portën e boshatisur. Pastaj ishte përsëri po ky mesfushor, edhe sot i rrallë në historinë e futbollit që shënoi golin e dytë. Goli i Euzebios me 11–metërsh qe një gol ngushëllimi, por që i siguroi “perlës së zezë” vendin e parë si golashënuesi më i mirë, me 9 të shtëna të sakta.
“Kjo ishte ndeshja me mirë e skuadrës sime.- tha Remsi .- Portugezët demonstruan një futboll të lartë. Por kupa nuk mund të ndahet përgjysmë. Të dyja skuadrat ishin të denja për të dalë në finale”.
Ndërkohë, në takimin RF Gjermane-Bashkimi Sovjetik (2-1), ra në sy 20 vjeçari Bekenbauer i cili që aty u bë nga futbollistët më të mirë të botës. Sovjetikët u ngushëlluan që,vërtet u mundën nga Portugalia, por zunë vendin e katërt dhe Jashini, si më 1958, ishte përsëri ndër portierët më të mirë të botës.
Kështu finalja u luajt midis zotëve të fushës dhe gjermano-perëndimorëve, një finale që edhe sot mbart diskutime për golin e tretë të anglezëve që ndikoi në ecurinë e minutave të fundit. Kur po mbaronte tërë ndeshja, Veberi barazoi 2-2.
Në shtesë gjuan Hërsti, topi përplaset në tra, bie në tokë. Por brenda, apo jashtë saj? Gjyqtari zviceran Dinst, i drejtohet anësorit sovjetik, Bahramov, që shqipton ”GOL”. Por nuk binden gjermanët. Dhe si për të dëshmuar të kundërtën, Hërsti shënon golin e katërt, i treti për të në këtë ndeshje. 4-2. Anglia është për herë të parë dhe të vetme deri tani kampione e botës.

Rezultatet e fazës finale

Angli-Argjentinë 1-0
RF Gjermane-Uruguai 4-0
Portugali-RDP e Koresë 5-3

Gjysmëfinale
RF Gjermane-B,Sovjetik 2-1
Angli –Portugali 2-1

Finale për vendi ne tretë
Portugali-B.Sovjetik 2-1

Finalja
Angli-RF Gjermane 4-2
(me shtesë loje)
Anglia: Benks, Koen, Xh. Carlton, Mur, Uillson, Staillz, B.Carlton, Pitërs,Boll, Hant, Hërst
RF Gjermane: Tilkovski, Hëtges, Shulc, Vebër, Shnelinger, Overat, Zeler, Bekenbauer, Haler, Emerih,
Gjyqtar: Dinst(Zvicër)
Golashënuesi më i mirë: Euzebio (Portugali), 9 gola
Nga galeria e yjeve: Bobi Carlton (Angli), Eusebio(Portogali), Zeler (RF Gjermane), Jashin (B.Sovjetik), B.Mur (Angli), Bekenbauer (RF Gjermane), Herst (Angli).

.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›