E Diel, 1 Nëntor 2026

1972 - Lufta e superfuqive për të kontrolluar detet

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
SHBA, 8 nëntor 1972 - Detet dhe ligji, i cili qeveris apo jo mbi to, ka shumë të bëjë jo vetëm me çmimin e peshkut, por dhe me të naftës, plazheve të pastra, hedhjen e mbeturinave, transportin ndërkombëtar apo edhe sigurinë kombëtare. Lufta botërore bashkëkohore për përmbajtjen e ligjit të deteve reflekton një përplasje të ndryshme interesash madhore. Problemi më i madh është se kush duhet ti kontrollojë detet dhe për çfarë qëllimesh. Këto probleme janë shfaqur në dy përplasjet e tanishme mes Islandës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës Federale Gjermane. Më herët këtë vit, Islanda lajmëroi se që prej këtij shtatori, ajo do të zgjeronte zonën e saj të peshkimit me gjerësi nga 12 milje në 50 milje përreth Islandës. Zgjerimi nga 3 miljet tradicionale në 12 milje më 1958 kishte provokuar të ashtuquajturën “Lufta e merlucit” me Britaninë e Madhe. Polemikat u zgjidhën në vitin 1961, pasi Britania pranoi refuzimin nga ana e Islandës për anijet e huaja që peshkonin në brendësi të 12 miljeve të ujërave të saj territoriale. Nga marrëveshja u sigurua gjithashtu se në rast përplasjeje për zgjerimin e ujërave territoriale të Islandës, “çështja, me kërkesë të palës tjetër, duhet ti drejtohej për shqyrtim Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Gjermania dhe Islanda arritën të njëjtën marrëveshje. Si Britania dhe Gjermania u konfliktuan edhe një herë tjetër, pasi Islanda shpalli në mënyrë të njëanshme këtë vit se do të zgjeronte juridiksionin e saj të veçantë për kufijtë e peshkimit. Prillin e shkuar Britania dhe Gjermania e çuan çështjen në Gjykatë dhe kërkuan një vendim të përkohshëm gjyqësor kundër imponimit të Islandës për të pasur një zonë peshkimi deri në 50 milje. Me 14 vota pro dhe një kundër (Meksika), gjykata mori vendimin pro Gjermanisë dhe Britaninë e saj më 17 gusht. Në të njëjtën kohë, për të ruajtur dhe të drejtat e Islandës (për të mos përmendur ato të peshkimit), gjykata vendosi kufizime të përkohshme për largësinë e lundrimit të anijeve gjermane dhe britanike nga ujërat detare të Islandës. Islanda u përgjigj ashtu siç një shtet i mirë skandinav nuk duhet ta bënte. Ajo e vuri në diskutim autoritetin e gjykatës për të shqyrtuar këto çështje, pavarësisht se më 1961 e kishin pranuar vendimin e saj. Argumenti i tyre ishte thjesht se “aty përfshiheshin interesat jetike të popullit të Islandës” që kishin ndryshuar me kalimin e kohës dhe detyrimet e marrëveshjes së vitit 1961 nuk ishin më të vlefshme. Islanda refuzoi të merrte pjesë në seancat e dëgjimit në Hagë dhe që prej atëherë është përpjekur të imponojë 50 miljet detare të vetëshpallura në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Për këtë ajo ka ndjekur një precedent të papërgjegjshëm si rasti i qeverisë iraniane të Mossadekut, e cila shpërfilli vendimin e përkohshëm të gjykatës për çështjen e kompanisë anglo-iraniane të naftës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila nuk ka bërë hapa përpara që prej refuzimit të një gjykimi nga Shqipëria dhe injorimin e këshillës së saj nga Bashkimi Sovjetik, Franca dhe Afrika e Jugut, tani mban peshën e një shpërthimi të njërit nga vendet më të vjetra dhe me demokracinë më të respektuar të botës. Çfarë është ajo që i ka bërë skandinavët e ftohtë të reagojnë në këtë mënyrë? Nuk është vetëm dëshira e çuditshme për të ngrënë peshk, por dhe produkti i eksportit të tyre. Peshku është një produkt jetësor për ekonominë islandeze si në asnjë vend tjetër. 20 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 72 për qind e fitimeve nga eksporti vijnë nga peshku. Sfida e peshkarexhave moderne të huaja me pajisje të sofistikuara teknike shihet nga islandezët si diçka që u përket ekskluzivisht atyre në ujërat e pasura me peshk ku anijet britanike dhe të vendeve të tjera kanë peshkuar prej më shumë se një shekulli. Nga ana e tyre, konsumatori britanik i peshkut varet direkt nga ujërat islandeze. Çështja se kush duhet ta kontrollojë peshkimin ka një jehonë mbarëbotërore. Kudo në botë, tendenca është për të kontrolluar vendet bregdetare. Një nga përplasjet më të famshme është ajo e Perusë dhe Ekuadorit kundër Shteteve të Bashkuara. Peruja zë më shumë peshk se asnjë vend tjetër. Pothuajse shumica është një lloj sardeleje tipike e zonës. Por një peshk migrator si Toni, që gjendet në ujërat peruane, gjuhet më shumë jo nga këta të fundit, por nga anije me flamuj të SHBA-së. Peruja dhe Ekuadori me këtë rast nuk pretendojnë një zonë peshkimi prej 50 miljesh, por 200 miljesh. Duhet thënë se ato pretendojnë të njëjtin sovranitet dhe për një rrip detar prej 200 miljesh të tjera brenda kufijve tradicionalë prej 3 miljesh. Avionët e marinës që u janë dhënë hua nga SHBA-ja janë përdorur për të kontrolluar avionët e SHBA që fluturojnë me flamurin e vet me ngarkesa toni. Por nuk besohet se Peruja dhe Ekuadori do të kërkojnë me të vërtetë të ruajnë këto të drejta në të ardhmen. Interesi i tyre i vërtetë është peshku dhe burimet minerale në fund të detit, jo lundrimi nën dhe sipër ujit. Kili, një tjetër mbështetës i kufizimit prej 200 miljesh, e ka bërë të qartë se ai kërkon vetëm një vendim që zgjeron zonën e tij të peshkimit. Rreth 15 shtete të tilla kanë kërkuar të njëjtin vendim, madje dhe në SHBA presioni i peshkatarëve vendas për të mbajtur peshkarexhat me flamur të huaj jashtë zonës së tyre detare është shtuar. Por shqetësimi amerikan për “lirinë e deteve” nuk është thjesht për peshkimin e Tonit. Ajo që i motivon më shumë amerikanët janë nëndetëset dhe aeroplanmbajtëset. Nëse ujërat territoriale nuk zgjerohen me 200 milje, por vetëm 12, lëvizja e marinës amerikane do të kufizohej ndjeshëm. Dalja e tyre për shembull sigurohet nga Ngushtica e Gjibraltarit. Po të zbatohet ashtu siç e parashikon ligji, limiti i 3 miljeve i lejon Flotës së Gjashtë të hyjë dhe dalë nga Mesdheu përmes Ngushticës së Gjibraltarit. Por nëse Spanja apo Maroku në çdo kohë që do ta konsideronin si kërcënues kalimin e anijeve amerikane në këtë ngushticë për shkak të interesave të tyre të sigurisë, ligji do ta ndalonte menjëherë kalimin e tyre. Rezultati do të ishte që Mesdheu do të kthehej në një liqen sovjetik (duke qenë se flota sovjetike hyn atje përmes Dardaneleve). SHBA ka ofruar si pjesë të paketës së saj të propozimeve të pranojë një zgjerim të ujërave territoriale deri në 12 milje, por që të sigurohet fluturimi dhe lundrimi me anë të një marrëveshjeje në ato që sot janë ngushtica ndërkombëtare. Këto dhe propozime të tjera do të hidhen në tryezën e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit që pritet të nisë punën më 1974 në Kili, i cili pritet të diskutojë ligjin e peshkimit, kufijtë detare, dhënien e licencave për shpime minerare, kërkimin shkencor, transitin ndërkombëtar dhe ndotjen.
Ky lajm është publikuar: 03/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›