E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësimet greke për Evropën

Autori i Lajmit: Nga Joschka Fischer

Berlin – “Kur të pushojnë valët, ju e kuptoni se kush ishte duke u larë lakuriq”, kishte deklaruar investitori legjendar, Warren Buffet, ku kriza globale ekonomike kishte arritur kulmin e saj. Dhe në të njëjtën kohë, ne mund të themi, kjo është e ngjashme edhe për shtetet, sikur se edhe për kompanitë. Sikur Irlanda, tani Greqia është zhytur në një krizë të thellë shkaku i vështirësive të pagesave, që kanë arritur pothuajse pikën e falimentimit kombëtar.
Irlanda ishte e aftë për ta zgjidhur problemin pa ndihmën e jashtme, megjithëse u detyrua të zbatonte një politikë që kërkon lëshime të dhimbshme. Kjo kërkohej të bëhej për shkak se ekonomia e saj do të merrte tatëpjetën shkatërrimtare. Ky ishte një zë alarmues.
Situata në Greqi është ndryshe. Rindërtimi i ekonomisë do të jetë më i vështirë për shkak se duhet menduar në shtigje afatgjata. Do të duhet të bëhen ndryshime jo vetëm në strategjitë ekonomike si pasojë e borxheve të mëdha buxhetore, por sepse sistemi politik grek ka lejuar vendin të jetojë përtej mundësive të veta.
Natyrisht se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë Greqinë të shkojë drejt falimentimit kombëtar, ose ta çojë çështjen në Fondin Monetar Ndërkombëtar, pasi anëtarë të tjerë të eurozonës – duke përmendur Portugalinë, Spanjën dhe Italinë – do të jenë ato që do të goditen nga dridhje financiare. Në rast të tillë, euroja do të vihej në rrezik, për herë të parë do ta vinte seriozisht në rrezik të gjithë procesin e projektit të integrimit evropian.
Problemi i Greqisë është aq i thellë, sepse përfshin edhe dobësimin në themel të euros; ajo nuk ka përkrahje politika qeveritare.
Kufijtë e vendosur sipas kritereve të Mastrichtit për deficitet dhe borxhet kombëtare ishin përcaktuar të respektoheshin në një kohë më të afërt, sesa lejonin mundësitë e shteteve, dhe e njëjta gjë mund të thuhet për veglat monitoruese të sistemit. Në çfarëdo forme, kriteret e Mastrichtit nuk ishin të dizajnuara për përballim të ndonjë forme të krizës, si ajo e falimentimit të “Lehman Brothers” në shtator të vitit 2008.
Euroja, e cila doli të jetë vegël kritike për mbrojtjen e interesave evropiane në këtë krizë, tani do të jetë subjekt kundrejt testit direkt të politikës së butë të ndërtimit të saj. Liderë të Evropës – së pari të Gjermanisë dhe Francës, të cilët do ta luajnë rolin vendimtar, duhet të reagojnë menjëherë dhe të gjejnë zgjidhje të reja. Kjo do të jetë e kushtueshme, do të rrezikojë të gjitha strategjitë politike. Por duke marrë parasysh se do të ketë vite të zymta pasuese për rritjen ekonomike, atëherë gjërat mund të përkeqësohen edhe më shumë në të ardhmen e afërt.
Zgjidhjet që duhet të gjejnë liderët e Evropës duhet të shkojnë përtej atyre të Mastrichtit, por nuk duhet të shkaktojnë debate të reja institucionale, të cilat nuk do të çonin askund. Pra, duhet të gjenden mekanizma të ri, të cilat do të shtronin rrugën për hapa seriozë në promovimin e besueshmërisë së rindërtimit.
Kriza e fundit, megjithatë, ka treguar po ashtu se Këshilli i Ministrave të Financave (Ecofin) është i paaftë për të garantuar kontroll mbi të gjitha politikat financiare të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Lidershipi direkt i krerëve të shteteve dhe qeverive anëtare në raste të krizave të tilla kërkohet më shumë se kurrë.
Një shenjë pozitive është dhënë - duke marrë parasysh samitin e fundit francez-gjerman – pasi që kancelaria gjermane, Angela Merkel, për herë të parë nuk e ka kundërshtuar publikisht për herë të parë krijimin e një qeverie evropiane ekonomike. Krijimi i një trupi të tillë, kërkon vendimmarrje dhe procedura politike, por më shumë se kurrë kërkohet rend në sistemin ekonomik. Nuk ka kohë për të humbur.
Por edhe në rast se do të ndërmerret një, dy apo tre hapa përpara, qeveria e Francës dhe Gjermanisë do të marrin rreziqe të mëdha politike në skenën e brendshme, nëse kriza ekonomike përkeqësohet në shtetet mesdhetare dhe bëhet e domosdoshme një pako stimuluese ekonomike për shpëtimin e monedhës së përbashkët evropiane. Kjo do të bënte që të ngrihej skepticizmi i evropianëve të këtyre vendeve. Një mundësi e tillë do të shihej edhe në Gjermani, ku do të kishte një problem politik në rritje në një të ardhme të afërt.
Paguaj për shtetet jugore të Evropës ose jepi fund përdorimit të euros? Vetë pyetja e bën të qartë se çfarë është thelbi i kësaj krize; e ardhmja e projektit evropian. Në të njëjtën kohë nëse shkohet me përgjigje të paqartë ndaj krizës – një prej atyre tipike të Evropës që nuk e sfidon në themel problemin për të mos rrezikuar kufizimet politike – atëherë do të ketë pasoja të krizës globale, të cilat ende nuk janë adresuar.
Ajo çfarë kërkohet tani është një lidership i vërtetë burrështetasish – madje edhe një lidership i fortë i grave në krye të shteteve. Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy po ballafaqohen me sfidën përcaktuese të qeverisjeve të tyre. Ata duhet ta navigojnë anijen evropiane sigurt nëpër këtë stuhi. Vetëm mendimi dhe veprimi inkurajues do të bëjë që ta nxjerrin anijen prej pengesave të gurëve.

(Autori ishte lider i Partisë së Gjelbër të Gjermanisë për pothuajse njëzet vjet dhe ishte ministër i Jashtëm dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri më 2005. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”.)

Ky lajm është publikuar: 03/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›