E Diel, 1 Nëntor 2026

1998, “gjelat” francezë këndojnë në shtëpi

Pjesa e 14-të e ciklit: “80 vjet rreth planetit të futbollit, 1930-2010”. Një speciale e Skifter Këlliçit: “Nando Martelini, Anton Mazreku dhe unë”

Nga Skifter Këlliçi

Siç e kemi parë,në ndeshjen përmbyllëse të Botërorit ’38,të zhvilluar në Paris, duke u ulur në tribunë pranë presidentit të FIFA-së Rime,presidenti i Francës, Lebrun, e pati pyetur bashkatdhetarin e tij: ”Cilët janë francezët në fushë?”,duke dëshmuar se nuk kishte fare haber nga futbolli. Dhe Rimeja, i befasuar nga ky budallallëk më brirë i kokës më të madhe të vendit të tij,që nuk dinte se në fushë do të përlesheshin Itliaa me Hungarinë,ndonëse në siklet të madh, tak-fak, kishte gjetur xhevapin më të bukur:”Francezët janë... gjyqtari” dhe ishte treguar me dorë nga Kapdevili.
Por le të hamendësojmë se po këta dy të dy presidentë të ndodheshin më 11 korrik të vitit 1998 në stadiumin e mahnitshëm“Park de Prens” të Parisit…Atëherë Rimeja asaj pyetjeje absurde të Lëbrunit do t’i ishte përgjigjur: “Francezët zoti president, janë ata nga e majta,të veshur me fanella trengjyrëshe”.
Dhe ata, jo vetëm që luajtën,por arritën të mposhtnin Brazilin e madh me rezultatin elokuent 3-0 që nuk la shteg për asnjë diskutim.
Por le ta lemë një çast këtë finale…
Më 20 prill të vitit 1998, pra disa javë para Botërorit Francë ’98 doli nga shtypi libri im”Yjet e futbollit botëror”.Më 1987 “Vjetari i futbollit evropian”1987-1988”, (”The Europen Football Yerbook”), ku unë, si dhe më pas, kisha shkruar kapitullin që i kushtohej Shqipërisë, i cili botohej për herë të parë, ishte përuruar në stadiumin “Uembli” gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare të Anglisë me një skuadër tjetër. Mendova që edhe me këtë libër të veprohej po kështu. Por nga indiferenca e zyrtarëve të FSHF-së ky përurim në prag të këtij botërori, ku aktivizohej edhe Shqipëria,para një ndeshjeje në stadiumin”Qemal Stafa” nuk u bë. I befasuar,në intervalin e ndeshjes në fjalë, bisedova me radiokronisitin që po e komentonte atë. Por sapo ai zuri të thoshte se në ato çaste në stadium po qarkullonte libri “Yjet e futbollit botëror”, shkruar nga kolegu ynë...”, nga studioja qendrore drejtuesi i emisionit “Nga një ndeshje në tjetrën” e ndërpreu në mënyrën më vulgare, thua se në mikrofon po reklamohej ndonjë libër për rritjen e gomarëve të Roskovecit a Peqinit.
Po vazhdoj me një qyfyr tjetër Nëse në botërorët e mëparshëm “kryekomentatori”, siç kam shkruar, më kishte treguar “kufirin deri te thana”, duke më caktuar t’i komentoja ndeshjet sipas tekave të tij, në këtë Botëror më fshiu fare nga defteri duke gjetur bashkëpunimin e një farë “asistentkometatori”,i cili as pretendonte të bënte telekronistin sportive, sepse pohonte se nuk dinte,por ja që zuri t’i lezetohej kjo detyrë. I pari kishte marrë krahë, sepse drejtor i TVSH-së ishte emëruar një i afërm i tij,që më pas do të bëhej edhe drejtori përgjithshëm i RTVSH-së, për të përfunduar pastaj i pushuar dhe proceduar në organet gjyqësore për korrupsion të përmasave të mëdha,procedim që mbeti deri në këtë masë dhe kështu shpëtoi nga disa vjet të mira prapa hekurave.
Sidoqoftë, u ftova nga TV “Klani” dhe TV Shijaku, por parapëlqeva të komentoja nga televizioni modest “Nesër” që ndodhej jo shumë larg pallatit ku banoja.
Botërori “Francë ’98 përfshiu jo më 24, por 32 skuadra,pra 8 më shumë, kryesisht nga Azia dhe Afrika dhe Amerika Latine, të ndara në 8 grupe nga 4 secila,nga të cilat kualifikoheshin dy skuadra për çdo grup, pra 16, që do të vazhdonin betejën për titull me sistem mënjanimi. Pas çdo ndeshjeje që përfundonte në barazim, jepej shtesa 2x15 minuta dhe në rast se njëra skuadër shënonte,atë që u mbiquajt”golden goal”,(goli i artë), loja ndërpritej dhe ajo shpallej fituese.
Gjatë ndeshjeve në grupe nuk pati të papritura të mëdha. Veç bëri përshtypje mënjanimi i Kamerunit që në fazën e parë,madje në vendin e fundit në grupin, ku veç asaj bënin pjesë Italia,Kili dhe Austria. Luanët kamerunas arritën të grumbullonin vetëm 2 pikë, (dy barazime me Kilin dhe Austrinë 1-1) dhe u kthyen në shtëpi. Rozher Milla, legjenda e futbollit kamerunas,që e kemi përmendur në pjesët e kaluara,duke ndjekur këto ndeshje të luanëve të mplakur si ai,kujtonte fitoren e bujshme kundër Argjentinës së Maradonës dhe humbjen naive të tyre me Anglinë në Botërorin ’90 në Itali,kur, duke udhëhequr 2-1 dhe duke u ndodhur një hap larg gjysmëfinaleve, me shtesë i kishin hapur rrugë Anglisë, 2-3. Kujtonte edhe golin e vetëm kundër Rusisë, të humbur 1-6 katër vjet të shkuara në Amerikë,gol që e kishte shënuar ai kur kishte qenë 42 vjeç, pra futbollisti më i moçëm i të gjithë botërorëve.
Por, si të hakmerrej për këtë që u ndodhi kamerunasve të Millas, Nigeria në grupin e vet mposhti Spanjën, një ndër gjigantët e futbollit evropian,Bullgarinë e vendi të tretë në Botërorin e fundit dhe pavarësisht se humbi takimin e fundit me Paraguain,zuri vendin e parë në grup. U mund në çerekfinale 4-1 nga Danimarka,por këto shifra nuk dëshmojnë lojën që shpalosën në këtë takim.
Në fazën e 1/8 të finaleve u regjistruan ndeshje që i mbajtën shikuesit me frymën pezull:Argjentina gjunjëzoi Anglinë 4-3 me 11-metërsha,kur pas kohës së rregullt rezultati ishte 2-2, në ndeshje ku anglezët humbën shumë raste.
Rumania që ishte mënjanuar vetëm me 11-metërsha nga Suedia në çerekfinalet e botërorit amerikan, u mund nga një Kroaci që do të ngrihej edhe më lart se ajo dhe Bullgaria duke zëne vendi e tretë në Francë ‘98.
Keq po u shkonin punët gjermanëve në takimin me Meksikën. Pas golit të Hernandesit, Arelano mund të kishte dyfishuar rezultatin. Vetëm gjakftohtësia e Klinsmanit dhe Birhofit i dha mundësi Gjermanisë të fitonte 2-1. Franca arriti të kalonte në çerekfinale falë golit të mbrojtësit Blank në minutën ë 113-të pas një ndeshjeje shumë të mërzitshme.
Vazhdonin çuditë e Krocisë. Gjermanëve në takimin me të nuk u eci si me meksikanasit, sepse pas golit të parë të Jarnit kroatët shënuan të dytin dhe pastaj të tretin duke i lënë kundërshtarët të shkordhur: 3-0. Një “de profundis”për tri herë kampionët e botës,.Nuk u kishte bërë vaki kështu në asnjë botëror.
Franca u dhuroi tifozëve të vet një tjetër ndeshje me.. kokëdhëmbje. Këtë radhë me Italinë. Përsëri 120 minuta nga “netët pambarimisht të bardha” si me Paraguain 0-0. Nuk duket ndonjë Blank gjëkundi për të shënuar një “golden goal”, pra golin e artë që t’i japë fund kësaj maratone. Me 11 metërsha francezët kalojnë ..përroin, falë edhe një goditjeje penalltie, e fundit, ku italiani Di Biaxho vulos traun si të linte atje kujtimin e trishtë të lamtumirës në këtë botëror .
Si për induksion magnetik edhe takimi Brazil-Holandë, e cila në çerekfinale kishte mënjanuar në një takim drithërues Argjentinën 2-1, shkon drejt 11-metërshave. Në goditjet e fundit Dunga ,që sot është trajner i brazilianëve, dhe Emersoni shënojnë, kurse Koku dhe R.De Boeri me gjuajtjet e tyre u dërgojnë “të fala” shikuesve në stadium. 4-2 fitojnë brazilianët.
Kësisoj francezët, duke u kacavjerrë me shtesa të stërmundishme kishin arritur deri në gjysmëfinale. Me stërmundim e nisën lojën edhe me Kroacinë,pasi gjahtari Shuker goditi në shenjë. Për disa minuta ata mbështolli paniku, por pas një gabimi të Bobanit mbrojtësi Turam, ua solli shpirtin në vend duke barazuar. Të tëra këto ndodhën në minutat e para të pjesë së dytë.
Aty nga gjysma e dytë e kësaj pjese ishte përsëri Turami, që pas një trysnie të vazhdueshme u dha francezëve një fitore shumë të vuajtur dhe të merituar, por falë një mbrojtësi,si Blanku kundër Paraguait,dukuri e paparë deri atëherë në botërorët e futbollit.
Duhet thëne Botërori Francë ’98, veç TVSH-së u transmetua thuajse nga të gjitha stacionet e tjera televizive. Ishte krijuar kështu një farë gare e heshtur midis tyre. Një mëngjes,kur po bisedoja me një shok te kafeneja “Loro Borici”, që ndodhet pranë stadiumit “Qemal Stafa”, një gazetar i TVSH-së nga larg më uroi për komentet e mi te TV “Nesër”. “”Ne ty të ndjekim, paçka se i transmetojmë vetë në TVSH ndeshjet e botërorit, - më tha. “Përcillja këto fjalë atij”,(dhe përmenda emrin e kryekomentatorit. “Nuk është nevoja se e sheh vetë ndryshimin”, - më shpjegoi. Të më falin lexuesit, por kishte njerëz që nuk i njihja, të cilët më takonin dhe më thoshin se ndonëse TV “Nesër”, kishte figurë të dobët,(për shkak të antenës në malin e Dajtit që ishte e ulët), ata më ndiqnin sepse... Nuk po zgjatem.
Vijmë kështu në ndeshjen finale, Brazil-Francë. Francezët nga hap pas hapi luajtën me ritmin gjithnjë në rritje-“crescendo” dhe zhvilluan një nga ndeshjet më të mira në historinë e futbolit të tyre. Dhe fituan 3-0 me gola të Zidanit (2) Pëtitit, edhe pse në 20 minutat e fundit mbetën ne 10 futbollistë.
Para fillimit të takimit,kur ekipi brazilian ndodhej në hotel, Ronaldo, pati një krizë të fortë,u zbeh pastaj u nxi në fytyrë dhe buzët i shkumëzuan. Por shpejt gjithçka kaloi dhe ai doli në fushë. Mbase nuk luajti shumë mirë, (sepse e mbuluan në çdo çast),por kjo nuk ndikoi në humbjen e brazilianëve, të cilën e pranoi hapur edhe trajneri i tyre, i famshmi Zagalo ish- kampion i botës në 1958 dhe 1962.
Kështu Franca 60 vjet pasi kishte qenë zonja pritëse e një botërori pa trofe, më së fundi vinte në kokë kurorën e mis Botës 1998.
Tani të vijmë te përgjigja që më pati dhënë një nga drejtuesit kryesorë të RTVSH-së, kur e pata pyetur më 1987 se përse më kishin hequr nga drejtimi i “Rubrikës sportive” në TV si dhe nga komentet e botërorëve të futbollit, për të cilat kam shkruar në fund të pjesës së 15-të. “Ishte urdhri i vetë presidentit”,- m’u përgjigj.(Mendoni se ç’do të ndodhte sikur presidenti italian ose amerikan të telefononte në RAI, ose CCN për një problem të tillë. Drejtuesit e këtyre televizioneve do t’u ishin përgjigjur.”Ju lutem,zoti president, mos u ngatërroni në punët tona”.
Edhe sikur të mos i besoja atëherë kësaj përgjigjeje, do të bindesha kur më 1996 në faqet e librin “Dera e pasme e shtypit” të publicistit të njohur, Marash Hajati, ish-drejtor i përgjithshëm i RTVSH-së në vitet ’80 të shekullit të kaluar, lexova këto radhë që më përkisnin mua: “Si komentator ka pasur specifikën e tij. Me një horizont njohës të admirueshëm, shtrihej gjerë në temën e transmetimit. Mirëpo dikujt andej lart kjo herë i pëlqente dhe herë jo. Aq herë edhe komentatori shkarkohej e ngarkohej me këtë detyrë,”(faqe 91).
Sidoqoftë, duhej të isha “krenar”që “koka” më e madhe e shtetit shqiptar, midis tërë atyre derteve qe kishte populli në vitet 1980-90, i cili priste qe me natë në radhët pa mbarim për një pako mish, gjalpë, ca kokrra vezë,…kishte gjetur kohë të merrej edhe me..mua, një komentator sportiv. Kësaj goditjeje nga maja e kupolës së kuqe nuk kisha ç’t’i bëja.Por as goditjeve të liliputëve të mikrofonit dhe kamerës sportive,pra të “kryekomentaorit” dhe asistentit të tij,që livadhisnin nën vështrimin indiferent të drejtuesve të TVSH-së për sportin. Atyre u interesonte që me të merrej dikush, pa çka se si e kryente atë punë.

Nga tabela e rezultateve
1/8 e finaleve
Brazil-Kili 4-1
Nigeri -Danimarkë 1-4
Holandë-Jugosllavi 2-1
Argjentinë-Angli 2-2,(4-3, me shtesë dhe 11-metërsha)
Itali-Norvegji 1-0
Francë- Paraguai-1-0,(113’,gjatë shtesës)
Gjermani-Meksikë 2-1
Rumani-Kroaci 0-1

¼ e finaleve
Brazil-Danimarkë 3-2
Holandë-Argjentinë 2-1
Itali-Francë 0-0,(3-4, me shtesë dhe 11 metërsha)
Gjermani-Kroaci 0-3

½ finaleve

Brazil-Holandë 1-1,(4-2, me shtesë dhe 11-metërsha )
Francë-Kroaci 2-1

Finale për vendin e tretë
Kroaci-Holandë 2-1

Finale
Francë-Brazil 3-0
Franca: Martez,Turam, Dezai, Lebuf, Lizarazu, Deshamps,Pëti, Karembeu, Zidan, Zhorkaef, Guivark
Brazili: Tafarel, Kafu,Aldair, Baiano, R.Karlos, Sampaio, Dunga, Leonardo, Rivaldo, Baeto, Ronaldo

Golashënuesi më mirë: Shuker(Kroaci) 6 gola

Futbollisti më i mirë i botërorit ’98: Ronaldo,(Brazil)

9 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›