E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmadinexhad paralajmëron: “Sanksionet, fund i bisedimeve”



Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinexhad ka paralajmëruar se çdo sanksioni i ri ndërkombëtar kundër Iranit do të sillte fundin e bisedimeve mbi programin e debatueshëm bërthamor të këtij vendi.
Duke folur në Stamboll ku mori pjesë në një takim rajonal të nivelit të lartë, presidenti Ahmadinexhad tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e kanë gabim në se mendojnë se mund të vendosin sanksione e më pas të ulen për bisedime me Iranin.
Komentet e udhëheqësit iranian vijnë ndërsa Këshilli i Sigurimit të OKB-së përgatitet të votojë për një raund të katërt sanksionesh kundër Iranit për refuzimin nga ata e tij për të pakësuar aktivitetet bërthamore. Muajin e kaluar, Irani arriti një marrëveshje me Turqinë dhe Brazilin për të transportuar 1 presje 2 ton uranium të pasuruar në shkallë të ulët në Turqi për tu riprocesuar në mënyrë që të mos mund të përdoret për armë bërthamore. Presidenti Ahmadinexhad tha se marrëveshja është një mundësi e shkëlqyer që nuk mund të përsëritet. Ai tha se shpreson që komuniteti ndërkombëtar do ta pranojë marrëveshjen.

Spanjë
Punonjësit në grevë kundër shkurtimit të pagave

Punëtorët e sektorit publik në Spanjë kanë zhvilluar dje një grevë, për të protestuar kundër shkurtimit të pagave të tyre për pesë për qind që fillon të zbatohet këtë muaj. Shkurtimet janë pjesë e pakos së masave të ndërmarra nga qeveria në përpjekje për të zvogëluar deficitin buxhetor të vendit, që aktualisht është mbi 11 për qind. Qeveria është nën presionin e Bashkimit Evropian për të zvogëluar shpenzimet e saj dhe për të siguruar se tregjet e saj financiare mund të përballojnë borxhet.

Zagreb
Kroacia e Serbia arrijnë marrëveshje ushtarake

Ish-armiqtë ballkanik, Kroacia dhe Serbia, kanë nënshkruar një marrëveshje ushtarake, që paraqet edhe një shenjë se rajoni i ish-Jugosllavisë po e kapërcen trashëgiminë e luftërave në vitet e 90-ta. Ministrat e mbrojtjes të dy vendeve u shprehën të kënaqur me këtë zhvillim, duke e vlerësuar atë si të “rëndësishëm politikisht dhe profesionalisht”. Raportohet se marrëdhëniet ndërmjet Zagrebit e Beogradit, ishin përkeqësuar, pasi Kroacia e njohu pavarësinë e Kosovës.

Gjermani
Opozita kritikon paketën e kursimeve të qeverisë

Federata e taksapaguesve gjermanë dhe partitë opozitare e vlerësuan paketën e kursimeve të qeverisë federale si një etiketë mashtruese. Ndërsa sindidatat kanë paralajmëruar protesta kundër paketës së kursimeve. Nga ana tjetër ministrja gjermane e Punës, Ursula von der Leyen, mbrojti paketën e kursimeve nga kritikat e opozitës dhe të sindikatave. Edhe pse gjysma e buxhetit federal i përket ministrisë së Punës dhe mirëqenies sociale shkurtimet në këtë sektor kapin vetëm një të tretën e shkurtimeve të përgjithshme.

Përgatiti: Blerina Olldashi

9 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›