E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelsi rrezikon një tjetër dënim

Çelsi mund të marrë një dënim më të rëndë nga ai i FIFA-s si pasojë e transferimit të parregullt të të riut Gael Kakuta nga Lens. Klubi e ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), por avokati Ian Bllekshou ka thënë për të përditshmen angleze “Daily Star” se Gjykata Supreme Sportive mund të ulë ose të rritë penalizimin e FIFA-s, siç ka ndodhur në rastet e dopingut.
 
Londinezët shpresonin që apeli të diskutohej brenda afateve normale të kohëzgjatjes nga drejtësia sportive (në këtë mënyrë, skualifikimi deri në janar 2011 nuk do të aplikohej para merkatos së dimrit 2010). Por në fakt, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka deklaruar se vendimi do të hyjë në fuqi para fundit të këtij viti.

“Normalisht, duhen katër muaj për të diskutuar mbi apelin – ka shpjeguar për të përditshmen “The Guardian” Sekretari i Përgjithshëm i KAS-it, Metju Rib – por në rastin konkret vendimi do të merret me procedurë të përshpejtuar, për të patur një vendim në një kohë më të shkurtër, maksimumi deri në fund të nëntorit dhe fillim të dhjetorit.”

Por kjo nuk është e gjitha, sepse kundër Çelsit mund të vijë një denoncim i dytë. Këtë herë është klubi amator francez ASPTT Marsejë, që mund të denoncolë anglezët në lidhje me 11-vjeçarin Xheremi Boga, i ardhur në “Stemford Brixh” tetorin e kaluar.

Sipas presidentit të skuadrës transalpine, Robert Katurelji, drejtuesit e klubit londinez bindën prindërit e futbollistit të ri për transferimin e tij tek Çelsi, duke i blerë atyre një shtëpi në Uimbëlldon si dhe një makinë.

Nga ana tjetër, “Blutë” këmbëngulin se nuk kanë shkelur asnjë rregull, sepse  vetë Boga u ka thënë atyre se donte të jetonte në Londër së bashku me të atin. Sipas “The Guardian”, ASPTT Marseja do t’i kërkojë avokatëve të vet tëvërtetojë nëse ekzistojnë shkelje të pikës 19 të rregullores së FIFA-s dhe në rast të një përgjigjeje pozitive, do të vazhdohet me procedurat e denoncimit.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›