E Martë, 3 Nëntor 2026

2 Shtator/ Partia Demokratike e Bashës në prag të Kuvendit Kombëtar

Pas rikonfirmimit në krye të Partisë Demokratike ( Zyrtare ) në zgjedhjet e 29 korrikut, Lulzim Basha ka thirrur Kuvendin Kombëtar më datë 2 shtator. 

Kuvendi pritet të miratojë ndryshime statutore, të cilat do të shqyrtohen më parë në mbledhjen e Kryesisë së PD-së. 

“Në një moment vendimtar për të ardhmen e vendit, ne zgjedhim reformimin dhe modernizimin e forcës sonë politike, për t’ju përgjigjur sfidave të kohës dhe pritshmërive të qytetarëve për një ndryshim të vërtetë, për një politikë të pastër, propozuese, që lufton korrupsionin, ofron alternativën e duhur ekonomike dhe fuqizon përfaqësimin e qytetarëve,” njoftoi Partia Demokratike në rrjetet sociale.

Grupi i Punës pranë PD-së me drejtues Sekretarin për Çështjet Ligjore, Indrit Sefa, kanë diskutuar përgjatë ditës së djeshme për ndryshimet e pritshme që do t’i paraqiten Kryesisë. 

Kryetari Basha pritet të lançojë edhe strategjinë e tij opozitare, që sikundër ka deklaruar do të fokusohet tek nisma si vetingu i politikanëve dhe kontrolli i pasurive të tyre.

“Guximi ynë për të ndryshuar, duke pranuar gabimet e të shkuarës dhe duke mësuar prej tyre, është provë e vullnetit tonë për të kthyer Partinë Demokratike në alternativën që shqiptarët meritojnë,” shtoi grupi i demokratëve në njoftimin për shtyp.

Basha ka theksuar kohët e fundit se Partia Demokratike do ta bëjë modernizimin “duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve, në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet së cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve”.

Gazetare: Anisa Kadesha

/ rtsh /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›