E Diel, 1 Nëntor 2026

2 maj 2002 Kryeministri Pandeli Majko, mori pjese sot ne interpelancen kerkuar ne Kuvend për mocion për debat, për Drejtorin e Sherbimit Informativ Shteteror, ne te cilen mbajti nje fjale. Ai t

2 maj 2002

Kryeministri Pandeli Majko, mori pjese sot ne interpelancen kerkuar ne Kuvend për mocion për debat, për Drejtorin e Sherbimit Informativ Shteteror, ne te cilen mbajti nje fjale. Ai tha:

E vlerësova me seriozitet maksimal kërkesën tuaj për t'u paraqitur në Kuvend, për t'u bërë pjesë e preokupimit për veprimtarinë e SHISH, për të afruar tranparencë maksimale për këtë veprimtari dhe në respektim të plotë të detyrimeve të mia kushtetuese e ligjore, si dhe për të afruar po një transparencë maksimale për publikun shqiptar.

Dëshiroj të nënvizoj se veprimtaria e organit të SHISH është nën një kontroll të shumëfishtë dhe lehtësisht i kontrollueshëm nga disa institucione të Republikës. Ai mund të kontrollohet nga Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Rendin dhe SHISH dhe në mënyrë të vecantë nga nënkomisioni i Përhershëm Parlamentar, i ngritur posacërisht me ligj për këtë qëllim. Po kështu ai është nën survejimin ligjor të Prokurorit të Përgjithshëm, i cili në bazë të ligjit ka të drejtën e kontrollit mbi zbatimin e procedurave që ndiqen në veprimtarinë e këtij shërbimi.

Dëshiroj t'ju vë në dijeni se në zbatim të detyrave të mia kushtetuese dhe ligjore, menjëherë sapo në publik u pretendua se ekziston cështja SHISH, kam urdhëruar inspektorin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave pranë SHISH të bëjë verifikimin e akuzave të ngritura.

Po kështu, në një mbledhje të posacme të Këshillit të Ministrave kam kërkuar raportimin e kryetarit të SHISH dhe kam mbajtur shënim përgjigjet e tij. Jam informuar gjithashtu dhe për raportimin e tij pranë komisionit përkatës parlamentar dhe i jam bashkuar idesë për cdo ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe hetim të akuzave publike mbi veprimtarinë e SHISH nga Prokuroria e Përgjithshme.

Nuk do të nxitohem të jap përgjigje konkrete mbi tezat që deputetët e opozitës kanë ngritur në rezolutën që ata i propozojnë Kuvendit, pavarësisht nga baza ligjore e saj, por do të doja të jap disa konsiderata politike mbi gjithë të quajturën cështja SHISH.

Të nderuar deputetë,

Edhe vetë fakti që sot jemi mbledhur për të bërë debat mbi veprimtarinë e SHISH është një përmasë e re e transparencës dhe dëshmia më e mirë e funksionimit të strukturave të kontrollit, që ne socialistët dhe maxhoranca qeverisëse i afrojmë Kuvendit dhe publikut.

Por unë dua të bëj një dallim të fortë dhe të prerë midis lëvizjeve dhe përpjekjeve për zhvillim e përmirësim të funksionimit të SHISH nga strategjia për cmontim dhe demobilizim të institucionit. Dyshoj se "frymëzimi" negativ ndaj organit te SHISH , në këtë rast është derivat i sulmeve të planifikuara në vijimësi kundër institucioneve.

Dyshoj seriozisht nëse deputetët e opozitës sonë, dje në pushtet, do të ishin të gatshëm t'ja nënshtronin kontrollit të institucioneve veprimtarinë e ish-gjeneralit fondamentalist, ish-shef i këtyre shërbimeve. Kjo është vija e ndarjes mes nesh. Nëse ju i bashkoheni filozofisë sonë të forcimit dhe respektimit të institucioneve, atëherë, ju garantoj se tek qeveria që kam nderin të drejtoj, do të gjeni një partner të përhershëm dhe serioz.

Sot SHISH është pjesë e orientimit euroatlantik të gjithë shoqërisë shqiptare dhe një partner serioz në luftën e përbashkët me struktura të shërbimeve sekrete të vendeve mike kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të të gjitha llojeve. SHISH ka merituar tashmë rolin e partnerit të cmuar dhe të respektuar në këtë drejtim dhe është një nga segmentet e shoqërisë shqiptare më të përfshirë në proceset komplekse për integrim.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që dhe në SHISH reflektohen të gjitha dobësitë dhe të metat që njeh edhe gjithë shoqëria shqiptare. Ajo është pjesë e saj dhe pjesë e përpjekjeve tona për përmirësim të vazhdueshëm. Ngritja e nivelit profesional, realizimi sa më konkret i detyrimit kushtetues për informim i shërbimit dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të tij me strukturat e tjera të luftës kundër krimit, janë targete të cilët po ndiqen në vijimësi.

Si kryeministër, do t'i bashkohesha idesë së sigurimit të një transparence maksimale të veprimtarisë së SHISH, do të isha pjesë e investimit politik për ngritjen e një komisioni hetimor për të shqyrtuar akuzat e ngritura, por do të refuzoja të bëhesha pjesë e atributeve që ju më kërkoni të marr, njëkohësisht prokuror dhe gjykatës ndaj drejtorit të SHISH. Emri i tij nuk është vetë emri i institucionit. Dhe gjykoj se edhe akuzat që ju keni ngritur ndaj tij, nuk e prekin në asnjë rast veprimtarinë e institucionit që ai drejton.

Të nderuar deputetë të opozitës,

Mirëpres me qetësi komentet tuaja; paranjoh retorikën që ju do të përdorni; pranoj synimin tuaj për të bërë marketing politik me këtë cështje dhe po me qetësi pres dhe diskutimin e rradhës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›