Ne Seancen e sotme te Tryezes se 6-te te Rrumbullaket nderqeveritare me teme: "Strategjia e drejtimit ne permiresimin global nepermjet bashkepunimit rajonal", e morri fjalen edhe Kryeministri
Ne Seancen e sotme te Tryezes se 6-te te Rrumbullaket nderqeveritare me teme:
"Strategjia e drejtimit ne permiresimin global nepermjet bashkepunimit rajonal", e morri fjalen edhe Kryeministri Pandeli Majko. Ai referoi mbi "Rolin e Shqipërisë në stabilitetin e rajonit të Ballkanit, si pjesë e stabilitetit global". Z. Majko ne fjalen e tij tha:
Të nderuar organizatorë të konferencës,
Shkëlqesitë Tuaja,
Zonja dhe zotërinj,
Shpreh kënaqësinë time të veçantë për pjesëmarrjen në këtë takim me cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë dhe për mundësinë që të afrohem në këtë ambient ku tradicionalisht shkëmbehen ide, analiza e opinione që synojnë në një kostante të përbashkët, sigurimin e një të ardhmeje më të mirë për popujt tanë.
Unë besoj se kjo konferencë tashmë tradicionale mund të afrojë një shans për të krijuar vlera në identifikimin e mundësive, por dhe të mjeteve në garantimin e stabilitetit në rajon. Kjo sipërmarrje njerëzore, ky detyrim politik dhe moral i klasave drejtuese politike në rajonin tonë, është një ndërmarrje që historikisht ka pasur problematika të rënda. Tradita jonë e përbashkët historike, ka prodhuar shumë urrejtje dhe mëri. Ne, deri më tash kemi prodhuar e eksportuar kriza, ashtu sic edhe jemi bërë, importues dhe kemi vuajtur prej tyre.
Ajo çka ka ndodhur në këtë dekadë të fundit në rajonin tone - procesi dezintegrues i Ish-Jugosllavisë - dëshmoi se sa të brishta dhe sa larg përkryerjes kanë qenë raportet gjeopolitike në këtë pjesë të Evropës. Pas fundit të luftës së ftohtë dhe barrierave ideologjike që e kishin ndarë Evropën e pasluftës së Dytë Botërore në dy kampe të kundërt, rregjimi I ish-diktatorit të Beogradit, dha një shembull të rëndë sesi mund të shfrytëzohej çdo shenjë mosvlerësimi në drejtim të shkeljes e shtypjes së të drejtave universale të njeriut dhe të drejtave kombëtare të një etnie të caktuar, për arsye etnike dhe jo vetëm të tilla.
Ky rregjim, duke përfituar nga parimet e mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe të sovranitetit kombëtar, për një periudhë të gjatë të inkubacionit të së keqes, mundi të krijonte një barrierë të mbyllur përpara opinionit publik ndërkombëtar për politikën e tij kriminale të asgjesimit të demokracisë dhe shtypjes nacionale. Fatmirësisht, alibia e respektimit të sovranitetit dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të një vendi sovran, nuk u konsiderua si një motiv I mjaftueshëm për të justifikuar barbarinë.
Rrëzimi I kësaj alibie - gjë që vetëm pak vite më parë do të konsiderohej utopi - nga vendosmëria e pjesës më progresiste të komunitetit ndërkombëtar, u prezantua si një llogjikë dhe realitet I ri gjeopolitik. Fushata ushtarake e NATO-s dhe përpjekjet e diplomacisë ndërkëmbëtare bënë që ky realitet të ndryshojë. Në të njëjtën kohë ato dëshmuan nevojën urgjente të ndërtimit të realiteteve të reja që kërkohet të ndërtohen në Evropën Juglindore, duke marrë bashkarisht përgjegjësinë për ruajtjen e vlerave të lirisë, demokracisë, paqes, të drejtave njerëzore dhe sigurisë globale.
Stabilizimi përfundimtar I Evropës Juglindore është një proces I gjatë, I ndërlikuar dhe që kërkon angazhimin e shumë faktorëve, politikë, ekonomikë, ushtarakë dhe socialë. Pa këtë ndihmë, është e vështirë të shpresohet ndryshimi I këtij realiteti me stabilitetet vazhdimisht të kërcënuar dhe paqe të brishtë e të rrezikuar.
Unë dua të theksoj bindjen e thellë se mijëvjeçari I ri, ka shënuar tashmë startin e ndërtimit të një Ballkani të ri. Qeveria shqiptare thekson bindjen e saj të thellë se përfshirja e vendit dhe e gjithë rajonit në proceset integruese do të shënojë edhe fillimin e shuarjes së dallimeve ende tepër të dukshme që e ndajnë rajonin tonë nga pjesa tjetër e Evropës dhe do të shënojë në të njëjtën kohë, krijimin e një komuniteti të ri në Evropën Juglindore, si një element I nevojshëm në kontributin për zhvillimin e mëtejshëm të kontinentit, larg mureve ideologjikë, etnikë e ekonomikë. Bashkëjetesa e diversiteteve është një moment mbi të cilin synohet krijimi I një fytyre të re panevropiane, të një shtëpie të përbashkët për të gjithë evropianët.
Fakti që sot në pushtet në të gjithë rajonin janë qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe që demokracia është gjithëpranuar si filozofi e vetme në ndërtimin e vendeve tona, e bën optimiste shpresën tonë për një të nesërme ndryshe.
Të nderuar miq,
Mijëvjeçari I ri po I ngushton gjithmonë e më tepër përmasat e planetit. Shkëmbimi I mallrave, kapitaleve, kulturave dhe ideve, qarkullimi I lirë I njerëzve, po e kthen konceptin e kufinjve politikë të shteteve në konvencione që po shkojnë drejt mbartjes vetëm të vlerave historike.
Zhvillimi I jashtëzakonshëm i shkencës dhe teknikës, revolucioni e progresi në fushën e dijeve njerëzore, mundësitë e pafundme për komunikim dhe përsosja e mjeteve të komunikimit, ndërthurrja dhe ndërvarësia midis ekonomive të vendeve të ndryshme, bashkëlidhjet e interesave, rrisqet dhe sfidat e përbashkëta që tashmë njerëzimi duhet të përballojë, kanë artikuluar që kohë më parë, nevojën e krijimit të politikave me bazë globale dhe të përpunimit të sistemeve të sigurisë po mbi bazë globale.
Tentativat për zgjidhjen e tyre në mënyra të veçanta apo dhe për zgjidhje parciale, kanë rezultuar jo vetëm të pamundura për t'u realizuar, por ndonjëherë edhe të përkohshme e të rrezikshme. Bota po tenton të mbërrijë në krijimin e një identiteti të ri për komunitetin njerëzor, një komunitet të ndërvarur nga pjesët e tij përbërëse, pikërisht për të përballuar sfidën e të ardhmes. Ide të tilla që një shekull më parë janë kritikuar dhe janë konsideruar si alogjike, sot po dëshmohen si rruga e vetme e detyruar për t'u ndjekur.
Pra, nëse Tirana apo Beogradi, Prishtina apo Shkupi do të kishin probleme, natyra e tyre do të reflektohet dhe në Uashington apo Bruksel.
Në këtë kontekst, Shqipëria është më e vendosur se kurrë të orientohet drejt vlerave të shenjta të respektimit të individit, lirisë së tij dhe krijimit të hapësirave që lejon inisiativa e lirë. Endrra e popullit tim është që ta përshkruajmë sa më parë këtë rrugë dhe për shmangur të gjitha vonesat tragjike që na ka imponuar historia jonë e vjetër dhe e re; tanimë ne kemi vendosmërinë e domosdoshme të punojmë për ta drejtuar e orientuar të sotmen dhe të nesërmen tonë në polin e duhur euroatlantik.
Unë e di që shpesh imazhi I Shqipërisë jashtë është ai I një vendi që prodhon destabilitet e kriminalitet, I një vendi problematik që ka shkaktuar rregullisht probleme në Ballkan. Imazhi I një vendi që prodhon vetëm valë refugjatësh që derdhen në Perëndim dhe I një populli pothuaj tërësisht të armatosur, ka mbërthyer ku më shumë e ku më pak ndërgjegjen e evropianëve, por që ne shqiptarët e ndjejmë që është krejtësisht larg të vërtetës. Pavarësisht tranzicionit të gjatë e të dhimshëm që shoqëria shqiptare po përjeton, unë dëshiroj t'ju ftoj të pranoni imazhin tonë real, atë të një një vendi ku ndërtohet e ku ka një etje të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë më mirë.
Të nderuar miq,
Përpjekjet e Shqipërisë për adoptimin përfundimtar të standarteve të demokracisë evropiane të cilat shkojnë në të njëjtin kah me ato të vendeve të tjera të rajonit, kanë hyrë në një process të gjatë e ndërlikuar reformash shumëplanëshe. Realizimi I tyre, në ekonomi, kulturë, jurisprudencë e në vetë thelbin e shoqërisë sonë, synon parasëgjithash integrimin e vendit në familjen e madhe euroatlantike.
Ne gjykojmë se anëtarësimi ynë në OBT dhe respektimi I detyrimeve që rrjedhin prej saj, pjesmarrja aktive në nismat rajonale, si Procesi I Kooperimit të Evropës Juglindore (SEECP) bashkëpunimi dhe bashkërendimi i projekteve të rëndësishme në kuadër të Paktit të Stabilitetit, SECI-t e të tjerë, dhe veçanërisht përpjekja për harmonizimin e tyre me Procesin e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, mbeten sfida të hapura që kanë impenjimin dhe vëmendjen tonë të vazhdueshme. Zbatimi I tyre shpesh nuk është I lidhur me avantazhe të menjëhershme, përkundrazi ai kërkon sakrifica të përkohshme, të cilat ne jemi të vendosur t'I përballojmë në emër të bashkëpunimit dhe aspiratës për integrim.
Ne kemi vullnetin politik që të ecim me shpejtësi në negocimin e marrëveshjejeve për tregti të lirë me disa nga fqinjët tanë të rajonit, e po kështu kemi nënshkruar një seri marrëveshjesh në fushën e rendit, sigurisë, luftës kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar dhe marrëveshjeve për bashkëpunim ushtarak në kuadër të NATO-s. Vullneti ynë pozitiv në këto nisma, si dhe gatishmëria jonë për zbatimin e tyre, besojmë se është pjesë e kontributit që afrojmë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit.
Ndërkohë, gjykoj se plotësimi I kuadrit juridik dhe institucionalizimi I kënaqshëm I bashkëpunimit tonë bilateral dhe rajonal nuk përbën një garanci absolute të synimeve tona të përbashkëta, sa kohë që ai nuk shoqërohet nga gjallërimi real I bashkëpunimit midis biznesit. Natyrisht që këtu fjalën e fundit e ka vetë biznesi dhe sipërmarrja e lirë, por dhe qeveritë dhe politika ka një rol të padiskutueshëm në krijimin e klimës së pranueshme për biznesin dhe investimet. Implementimi I shpejtë dhe korrekt I masave të identifikuara në Kompaktin e Investimeve (të Paktit të Stabilitetit) do të ishte prova më e mirë e vullnetit tonë në këtë drejtim.
Të nderuar miq,
Bota e civilizuar priti me dhembje dhe indinjatë tragjedinë e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por SHBA ishin vendi ku ndodhi krimi, sepse realisht terrorizmi goditi në vetë thelbin e civilizimit. Terrorizmi u shndërrua në këtë mënyrë në një rrezik global, që për t'u përballuar kërkon po kështu, një përgjigje globale. Në këtë kuadër, bashkëpunimi dhe përafrimi I legjislacioneve tona, realizimi I marrëveshjeve dy dhe shumëpalëshe për luftën kundër terrorizmit, trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, janë shndërruar tashmë në një prioritet për vendet e rajonit tonë, por dhe një prioritet global.
Shqipëria e gjen veten të rreshtuar në frontin e përbashkët të kësaj lufte dhe është e vendosur të afrojë kontributin e saj maksimal. Trajtimi I këtyre fenomeneve vetëm me këtë apo atë ngjyrë të flamurit kombëtar, perveçse përmbush egon provinciale dhe xhelozinë e këtij apo atij vendi të rajonit, përveç krijimit të imazheve të përkohshme me vlerë vetëm propagandistike, nuk bën gjë tjetër veçse vonon e vë në dyshim luftën kundër tyre. Në të gjitha rastet, Shqipëria ka dëshmuar vullnet dhe I është përgjigjur pozitivisht kërkesave të fqinjëve tanë, për bashkërendim përpjekjesh në këtë drejtim, por dhe ka afruar inisiativa konkrete në krijimin e strukturave shumëpalëshe për të luftuar këto fenomene. Dua të sjell në vëmendjen tuaj, inisiativën tonë për ngritjen e qëndrës antitrafik në Vlorë, një bashkëpunim I sukseshëm shqiptaro-italiano-gjermano-grek, I lënë I hapur dhe për afrimin e vendeve të tjera.
Me këtë rast, dëshiroj të rishpall edhe njëherë, vendosmërinë e qeverisë shqiptare, për t'I konsideruar proceset e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit si pjesë organike e proceseve integruese euroatlantike.
Shqipëria ka afruar gatishmërinë e saj për të dhënë kontribut në forcimin e stabilitetit të rajonit, veçanërisht gjatë spiralit të dhunës dhe luftës që përfshiu Evropën Juglindore në dhjetëvjecarin e kaluar, gjatë krizës në Kosovë dhe Maqedoni. Ne jemi përpjekur të afrojmë kontribut në ekuilibret delikate të krijuara, shpesh edhe duke pranuar të paguajmë një kosto të caktuar politike. Tirana zyrtare ka afruar gjithë ndikimin e saj pozitiv mbi faktorin shqiptar në rajon, për ta bashkuar atë me përpjekjet ndërkombëtare në zgjidhjen e konflikteve. Ne jemi përcaktuar të vendosur në qëndrimin tonë se ne do të mund të afrohemi në familjen euroatlantike vetëm përmes qytetarit ndryshe nga sa më sot të Evropës Juglindore, të formësuar sipas standarteve evropiane.
Rreziku I krizave dhe konflikteve në rajonin tonë nuk është një realitet I kapërcyer në mënyrë përfundimtare. Ringjallja dhe rigjallërimi I nacionalizmit është gjithsesi I pranishëm dhe gjenerohet nga moskuptimi dhe mosrespektimi I koncepteve të demokracisë. Më së shumti ai është një postprodukt I ndarjeve etnike, ekonomike, ideologjike, kulturore e fetare, tashmë të përkthyera në një epokë dhe realitet të ndryshëm.
Në këtë kontekst, Shqipëria është e ndërgjegjshme se nuk do të jetë në gjendje të japë kontributin e saj të dëshiruar dhe të kërkuar për stabilitetin në rajon, pa siguruar stabilitet të plotë politik e ekonomik në vend dhe emancipimin e shoqërisë së saj. Vitet e kaluara kanë dëshmuar se jo gjithmonë ne kemi qenë të suksesshëm në këtë aspiratë. Jemi ballafaquar me kriza, por dhe I kemi kapërcyer e zgjidhur pa ju shmangur asnjëherë orientimit dhe frymëzimit tonë konstant perëndimor.
Pak kohë më parë ne zgjidhëm një krizë politike, e para krizë që u zgjidh me mjete që propozon vetë politika dhe brenda saj. Kjo është një provë që kërkoj t'jua pozoj si një dëshmi e ndërtimit të qartë të institucioneve dhe e qëndrueshmërisë së tyre. Kjo është dëshmi dhe e faktit se Shqipëria, nga një vend konsumator I stabilitetit është shndërruar në një vend që prodhon dhe siguron stabilitet për rajonin.