Kryeministri Pandeli Majko, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Luan Rama dhe ai i Rendit, Stefan Cipa, morën pjesë në stërvitjen "Drilon 2002". Në këtë lloj stërvitje shumëplanës
Kryeministri Pandeli Majko, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Luan Rama dhe ai i Rendit, Stefan Cipa, morën pjesë në stërvitjen "Drilon 2002".
Në këtë lloj stërvitje shumëplanëshe, në të cilën u demonstruan veprimtari që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe monitorimin e kufijve, fuqinë zbuluese të Forcave të Armatosura, masat për parandalimin dhe pengimi e trafiqeve dhe kalimeve të paligjshme e mori fjalën edhe kryeministri Pandeli Majko.
Ai tha:
Të nderuar pjesëmarrës,
Është një nder dhe një kënaqësi e veçantë për mua që në një stërvitje të tillë si kjo, t'ju uroj të gjithëve për pjesëmarrjen, si dhe efektivave pune të mbarë në përmbushjen me sukses të objektibvave të stërvitjes "Driloni 2002". Forcat tona të armatosura janë në procesin e një transformimi të thellë dhe rrënjësor, i cili mbështetet në dokumentat themelore të strategjisë së sigurimit kombëtar dhe politikës së mbrojtjes. Gjithashtu, së shpejti do të kemi në dorë dhe strategjinë ushtarake kombëtare. Ky proces krijon mundësinë që forcat e armatosura shqiptare të bëjnë hapa të shpejtë dhe të sigurtë në rrugën e konsolidimit të kapaciteteve të mbrojtjes kombëtare dhe të integrimit në strukturat euroatlantike.
Me këtë stervitje, tregojmë se forcat e armatosura janë në gjendje të realizojnë misionin kushtetues dhe të afta për t'u integruar në strukturat e NATO-s. Në të njëjtën kohë, evidentojmë faktin se jemi në gjendje të sinkronizojmë çdo veprimtari ushtarake që siguron më së miri respektimin real të detyrave paqësore e mirëkuptimin reciprok midis vendeve fqinje dhe më gjerë. Shqipëria në këto vite ka treguar se është një kontribues për paqe dhe stabilitet. Realizimet në fushën e shkatërrimit të armëve të vogla dhe të lehta, të shkatërrimit të minave anipersonel dhe të asgjesimit të municioneve, flasin më së miri dhe shprehin qarte mesazhin e paqes dhe atë të prodhimit të sigurisë për Shqipërinë dhe rajonin. Forcat e armatosura janë në ballë të këtij procesi.
Objektivat e stërvitjes suaj janë në përputhje me objektivat e Qeverisë dhe gjithë organizmave shtetërore shqiptare për sigurimin e kufirit dhe për eliminimin e një sërë fenomenesh negative që shfaqen, si menjanimi i trafiqeve dhe eliminimi i çdo pasoje që rrjedh çdo lloj veprimtarie terroriste. Ajo ç'ka ju realizuat shpreh kontributet e forcave të armatosura për mbështetjen e policisë kufitare, strukturë kjo e Ministrisë së Rendit Publik, por edhe ndihmën për trajtimin e refugjatëve në rast krizash. Stërvitja i rriti vlerat, pasi tregoi se strukturat e forcave të armatosura po përgatiten seriozisht për parandalimin e reagimin ndaj akteve terroriste. Në këtë stërvitje është marrë në konsideratë përvoja e vitit të kaluar në sigurimin e kufijve, si dhe po tregohet praktikisht se Shqipëria ka marrë seriozisht mesazhin e NATO-s, që strukturat shtetërore të sigurisë të jenë të afta dhe operacionale për të monitoruar dhe siguruar kufijtë e saj. Kjo shpreh qartë mesazhin e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe integrimit.
Operacionet humanitare si një nga veprimtaritë kryesore të forcave të armatosura, tashmë janë të mbështetura jo vetëm në konceptet doktrinare për organizimin dhe zbatimin cilësor të tyre, por dhe të shoqëruara më akte ligjore dhe nënligjore, të cilat kanë siguruar bashkërendimin dhe bashkëveprimin e forcave të armatosura në organet dhe organizmat e tjerë qeveritare. Ngjarjet në Kosovë gjatë vitit 1999 dhe atyre të krijuara nga kushtet e rënduara atmosferike në zonën verilindore, vërtetuan konsolidimin e koncepteve të mësipërme. Kjo veprimtari, e gërshetuar me përvojat e fituara, duhet të mbetet jo vetem çështje në studim, por dhe veprimatri normale, periodike për forcat e armatosura.
Stërvitja juaj është e rëndësishme, me objektiva komplekse dhe reale, që përmbush kërkesat dhe objektivat tona për mbështetjen e realizimit të synimit themelor, atë të anëtarësimit në strukturat euroatlantike.
Kjo stërvitje do të rrisë më tej aftësitë organizuese, drejtuese dhe kooperuese të forcave të armatosura me organet e pushtetit vendor, të rendit me organizata të ndryshme joqeveritare, për përballimin e situatave emergjente dhe dhenien e ndihmës humanitare.
Edhe një herë shpreh vlerësimet për stërvitjen "Driloni 2002" dhe uroj forcat e armatosura për suksese të mëtejshme në rrugën e transformimit e të realizimit të objektivave të integrimit.
Suksese të gjithëve.