E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar miq, Ju drejtohem me termin miq, për të treguar se Qeveria shqiptare është e vendosur për të instaluar përfundimisht një marrëdhënie partneriteti reciprok me komunitetin e bi

Të nderuar miq,

Ju drejtohem me termin miq, për të treguar se Qeveria shqiptare është e vendosur për të instaluar përfundimisht një marrëdhënie partneriteti reciprok me komunitetin e biznesit. Ne jemi të bindur ta konsiderojmë vendimtar rolin e biznesit dhe nismave private në gjallërimin dhe shëndoshjen e ekonomisë së vendit. Për këtë, vlerësojmë si parësore nevojën e krijimit të një klime inkurajuese e pozitive për biznesin dhe investimet, vendas dhe të huaj.

Sipas filozofisë sonë qeverisëse, partneriteti midis shtetit dhe biznesit nënkupton njohjen dhe respektimin e ligjeve, të të drejtave dhe detyrimeve reciproke për të dyja palët.

Në programin e qeverisë që kam nderin të kryesoj, janë paracaktuar si qëllime strategjike krijimi i hapësirave ligjore që mundësojnë konkurencë reale, nxitjen e investimeve prodhuese dhe e eksporteve shqiptare dhe krijimi i një atmosfere mbytëse për të gjitha praktikat korruptive të administratës shtetërore ndaj biznesit. E në të njëjtën kohë dhe ngushtimi i hapësirave që shfrytëzon sot një pjesë e biznesit për shmangien nga detyrimet e tij.

Dëshiroj t'ju prezantoj disa hapa të kohëve të fundit të Qeverisë shqiptare, të cilat kanë synuar pikërisht respektimin e detyrimeve që shteti ka marrë përsipër përballë biznesit. Kështu, po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme per të përballuar krizën energjitike, e cila ka patur ndikim të fortë e negativ edhe për biznesin. Po synohet përmirësimi absolut i kapaciteteve tona menaxhuese në KESH, po insistohet në demotivimin përfundimtar të idesë se mund të konsumohet energji pa u paguar. Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po punohet për realizimin e burimeve të reja dhe alternative energjitike, ndërsa po vazhdojnë përpjekjet dhe sforcot buxhetore për të garantuar importin e energjisë. Ndryshimi i situatës është i prekshëm, për ju, bizneset dhe familjet tuaja.

Pak kohë më parë Qeveria shqiptare vendosi liberalizimin e mëtejshëm të tregut të karburanteve, duke lehtësuar deri në 10-15 herë kushtet depozituese-financiare të licensimit të subjekteve tregtuese të karburanteve, cka presim të sjellë goditjen e cdo situate monopolistike në këtë treg dhe natyrisht edhe uljen e cmimit të karburantit për konsumatorët.

Në strategjinë tonë për privatizim kërkojmë të shmangim me cdo kusht kalimin e monopoleve publike në monopole private, kjo duke arritur liberalizimin maksimal të tregjeve dhe nëpërmjet kontrollit nga ana e shtetit me Entet Rregullatore.

Si kryeministër unë kërkoj të ftoj publikisht biznesin shqiptar të bëhet pjesë e aksionit tonë edhe në privatizimin e kapitalit shtetëror në disa nga sektorët strategjikë që janë në këtë proces.

Ne jemi të vetëdijshëm se sistemi ynë bankar ende nuk po i përgjigjet si dhe sa duhet etjes së biznesit për sigurimin e burimeve të reja të investimeve. Futja përfunditmare e sistemit bankar në procedurat e privatizimit, besojmë se është një hap në drejtimin e duhur për përmirësimin e këtij handikapi.

Qeveria shqiptare është duke përgatitur një aksion të hollësishëm në drejtim të rishikimit të plotë të mënyrës aktuale të menaxhimit të doganave, duke filluar nga kërkesa për transparencë absolute e në lidhje me cmime për efekt të llogaritjes së vlerës doganore, kontrolli i referencave nëpëmjet agjensive ndërkombëtare, e deri tek përpunimi i idesë për privatizimin e menaxhimit të doganave nga kompani të specializuara ndërkombëtare.

Ne e konsiderojmë trajtimin selektiv në dogana si shtratin që krijon konkurencë të pandershme të biznesit në përgjithësi dhe formim monopolesh, që janë të pranishme tek ne.

Po kështu, është siguruar asistencë nga partnerët tanë ndërkombëtare për përsosjen e mëtejshme të funksionimit të administratës fiskale dhe infrastrukturës së saj.

Do të rishikohet mënyra e funskionimit të sistemit aktual të prokurimit publik dhe lehtësimi i gjithë sistemit të licensimeve të subjekteve të reja.

Këto masa janë shprehje e vullnetit te fortë politik të qeverisë shqiptare që të mos lejojë që biznese të ndryshme të qarkullojnë dhjetra milionë dollarë dhe të raportojnë fitime të rendit disa mijra dollarësh. Ne kemi vullnetin për të mos lejuar që prona shtetërore të vazhdojë të jepet me qira në nivele shumë herë më të ulëta se cmimi i tregut. Ne jemi të vendosur të ballafaqojmë me rreptësinë e ligjit të gjitha tentacionet për evazionin fiskal, punën e zezë e deri dhe përpjekjet për zgjidhjen e problemeve tuaja në mënyrë dhe rrugë korruptive.

Sepse ne e konsiderojmë korrupsionin si bashkëfajësi mes strukturave shtetërore, por dhe të vetë biznesit. Në përgjegjësinë përballë ligjit, moralit tonë politik dhe respektimit të votës së publikut shqiptar, ne nuk mund të lejojmë standarte të dyfishta në aplikimin e ligjit.

Të nderuar miq,

Qeveria shqiptare do të vazhdojë të nxisë biznesin shqiptar të bëhet sa më kompetitiv në tregjet e huaja duke u bërë kështu një segment i rëndësishëm në procesetr komplekse integruese që ka hyrë vendi duke konsideruar se ju mund të bëni një lobing të rëndësishëm të vendit në këto procese.

Pa u ndalur më gjatë në hollësi që ju i njihni mirë, do të përmendja gjithashtu, se kontributi i shtetit do të fokusohet në kujdesin e tij për stabilitetin makroekonomik, kontrollin e deficitit buxhetor, të inflaciont, mbrojtjen e lekut, përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës rrugore, të komunikimit e të tjerë.

Duke përmendur infrastrukturën rrugore, do të doja të ndalesha në një inisiativë të hershme të qeverisë shqiptare për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës – Morinë. Ky është një segmenet që përmbledh rëndësi të vecantë e synime pozitive gjeopolitike, strategjike dhe ekonomike për vendin. Qeveria shqiptare kërkon të bashkojë në këtë inisiativë edhe biznesin shqiptar, interesat e të cilit gjithashtu intereferojnë në ndërtimin e kësaj rruge. Ne mendojmë se kombinimi i resurseve të biznesit me hapat ligjore të qeverisë, që i krijojnë më shumë frymëmarrje vetë biznesit, në thelb cojnë në një gati dyfishim të tregut shqiptar dhe atraktivitetit të tij. Qeveria shqiptare po synon deri edhe mundësinë për tërheqjen e biznesit për të bashkëfinancuar ndërtimin e këtij segmenti rrugor.

Po kështu, ka një aksion politik për krijimin e një lobingu politik dhe ekonomik brenda vendit, në Kosovë dhe Diasporën shqiptare për mbështetjen financiare të tij.

Sot, Korridori i Tetë dhe ai Veri-Jug, janë shndërruar në realitete të prekshme dhe kanë fizionominë e tyre. Ndërtimi i rrugës Durrës – Kuës – Morinë është në thelb dhe një kthim borxhi për veriun e vendit dhe një ndihmesë e domosdoshme dhe shumëplanëshe për gjallërimin e ekonomisë në këtë zonë.

Qeveria shqiptare ka shumëfishuar përpjekjet për garantimin e rendit dhe qetësisë publike. E po kështu, edhe për përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të vet, në mënyrë që të shmangen deformimet, dezinformimet e paragjykimet për Shqipërinë, që hasen tek një pjesë e komunitetit të huaj të biznesit. Unë ju konsideroj gjithashtu dhe juve si pjesë e propocionit pozitiv për përmirësimin e imazhit të vendit.

Dua të theksoj se synimet tona qeverisëse dhe synimet tuaja në rritjen e biznesit janë të bashkëlidhura dhe të ndërvarura. Nuk mund të ketë sukses të pjesshëm apo përjashtimor. Unë pres që partneriteti ynë të arrijë të prodhojë pikërisht suksesin e pritshëm.

Së fundi, jam i hapur të dëgjoj pretendimet tuaja dhe t'ju garantoj edhe njëherë vëmendjen e qeverisë shqiptare në respektimin e të gjitha detyrimeve të saj ligjore përballë jush, por edhe detyrimeve ndaj publikut shqiptar, që kërkon më shumë punë e jetë më të mirë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›