E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 shkurti, Topalli çel ekspozitën për rrëzimin e diktaturës

TIRANE- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi sot 20 shkurti, dita e rrëzimit të simboleve të diktaturës komuniste në Shqipëri, është festa që bashkon të gjithë shqiptarët.

Në prag të 20-vjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në vitin 1991, para ambjenteve të kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë u çel sot një ekspozite fotografike ku janë fiskuar pamje nga ngjarjet e asaj dite historike. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cilësoi 20 shkurtin një përvjetor të jashtëzakonshëm që pasoi rrëzimin e diktaturës në Shqipëri, një nga më të egrat në të gjitha vendet e Lindjes.

"Nesër është 20 shkurti dhe të gjithë ne përjetojmë të njëjtat emocione të lirisë së fituar dhe të demokracisë së rritur e të zhvilluar gjatë kësaj periudhe, natyrisht me përpjekje të mëdha, por me kurajo të madhe", theksoi kryeparlamentarja Topalli
Sipas saj, 20 shkurti është një festë kombëtare që i bashkon të gjithë shqiptarët, është festa kombëtare e lirisë, të cilën nesër do ta festojmë me po ato emocione si 20 vjet më parë, është festa që bashkon një komb në rrugën e tij drejt lirisë dhe së ardhmes.
Në kuadër të aktiviteteve të kësaj dite kryetarja u takua me studentë.Gjatë bisedës kryetarja Topalli theksoi se 21 janari ishte një skenar i turpshëm dhe i paralajmëruar për marrjen e pushtetit me dhunë, me çdo çmim dhe me çdo mjet.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›