E Diel, 1 Nëntor 2026

Demonstrata, Rama thirrje Berishës: Uli pushkët, dëgjo popullin

TIRANE- Ka zgjatur për më shumë se dy orë demonstrata e opozitës sot në Buleardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeminstrisë. Në podiumin përpara Kryeministrisë u ngjitën një nga një qytetarë të thjeshtë që dolën paqësisht në shesh në demonstratën e 21 janarit dhe panë me sy vrasjet e shokëve dhe të afërmeve. Kryetari i opozitës thirrje Berishes: Uli pushkët, hapi rrugë zgjedhjeve të lira. Policia: Në protestë 7000 qytetarë nga gjithë vendi.

PD-BUMCI: FALENDERIM PËR QYTETARËT, QË BRAKTISËN DEMONSTRATËN
Ora: 19:09- Deputeti i Partisë Demokratike (PD), Aldo Bumçi, reagoi të premten në mbrëmje, pas demonstratës së opozitës, duke e cilësuar atë si të dështuar.
Deputeti Bumçi, njëherazi kryetar i degës së PD-së për Tiranën, gjatë një deklarate për shtyp falenderoi të gjithë qytetarët, të cilët nuk iu bashkuan kësaj demonstrate.
"Falenderoj të gjithë qytetarët të cilët braktisën Edvin Kristaq Ramën ku në datën 21 janar kërkonte të përmbyste një qeveri legjitime", tha ai.
Sipas Bumçit, kryepuçisti Edi Rama bëri përpjekje për të bllokuar liberalizimin e vizave, ëndrrën më të madhe europiane të qytetarëve.

"Falenderoj të gjithë qytetarët, të cilët braktisën kryetarin e Bashkisë, i cili dhunoi kryeqytetin më 21 janar. Përshëndes me mirënjohje shqiptarët, të cilët PD i siguron se askush nuk mund të dhunojë të drejtat e fituara gjatë 20 viteve", nënvizoi Bumçi në deklaratën e tij.

RAMA THIRRJE BERISHËS: ULI PUSHKËT DHE DËGJO POPULLIN
Ora:17:56- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në fjalën e tij përpara mijëra qytetarëve pjesëmarrës në demonstratën e sotme, i bëri thirrje kryeministrit Berisha të dëgjojë popullin dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. 

“Uli pushkët e frikës shpartalluese Sali, sepse nuk mbrojnë dot pushtetin e fajeve të tua ndaj këtij populli. Të mbash pushtetin me pahirin e Gardës që të ruan, vetëm shton peshën e vuajtjes së njerëzve por dhe peshën e fajeve të tua. Askush nuk të beson më, as Luli e as Iliri që nuk të ndahet nga këpuca dhe jo e jo Fatosi” u shpreh Rama.

Duke kujtuar një nga një viktimat e 21 janarit, kryesocialisti akuzoi qeverinë për vrasjen e njerëzve të pafajshëm, për të vazhduar sipas tij, vjedhjen e popullit dhe varfërimin e Shqipërisë. Rama shprehu bindjen se opozita është e vetmja shpresë për të mos lejuar korrupsionin e qeverisë dhe grabitjen e shqiptarëve.
“Korrupsioni po i merr frymën demokracisë dhe i ka marrë shpirtin dhe gramat e fundit ekonomisë. Njerëzit nuk duhet të gjejnë vdekjen, por duhet të gjejnë zgjidhjen. Kishte vetëm një arsye për të vrarë demonstruesit dhe kjo arsye është aty, në atë godinë, në tryezën e asaj që quhet qeveria e Shqipërisë, por që në fakt është regjimi i kusarisë”, u shpreh Rama. 

Ndërkohë, kryetari i opozitës nënvizoi vendosmërinë e Opozitës së Bashkuar për vazhdimin e demonstratave paqësore, cdo ditë e cdo javë në të gjithë vendin. 

“Demonstratat nuk do të ndalen, do të vazhdojnë, do të jenë përditë dhe përjavë edhe më të mëdha, përditë edhe më të shtrira në të gjithë Shqipërinë në emër të atyre parimeve që 20 vjet më parë e hodhën këtë popull kundër regjimit të Enver Hoxhës dhe sot e kanë nxjerrë kundër regjimit tënd të kusarisë.”, përfundoi kryesocialisti.

POLICIA: PROTESTA E OPOZITËS, 7000 QYTETARË NGA GJITHË VENDI
Ora: 17:38- Rreth 7000 qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, po protestojnë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, bën të ditur Policia e Shtetit.
Referuar burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, "nga ora 16.00 e ditës së sotme, rreth 7000 qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, janë grumbulluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombi” në Tiranë për të marrë pjesë në mitingun e radhës që opozita ka nisur prej 21 janarit të këtij viti".

Policia e Shtetit bën të ditur se në mbrojtje të rendit, qetësisë publike dhe për të garantuar mbarëvajtjen e këtij tubimi, ka marrë të gjitha masat para, gjatë dhe pas zhvillimit të tubimit .

DEMONSTRUESIT: BERISHA TË JAPË LLOGARI, NA VRAU NË 21 JANAR
Ora: 16:55- Në podimunin përpara Kryeministrisë u ngjitën një nga një qytetarë të thjeshtë që dolën paqësisht në shesh në demonstratën e 21 janarit dhe panë me sytë e tyre, vrasjet e shokëve dhe të afërmeve të tyre.
Shoku i ngushtë i Hekuran Dedës, njërit prej viktimave të 21 janarit, tregoi me lot në sy momenet e tmerrit në Bulevard.

“Ishim këtu për një protestë për copën e bukës e jo për të vrarë e dhunuar policinë e ushtrinë. Kryeministri t’i japë llogari popullit, na vrau dhe del e thotë nuk kam vrarë. U bëj thirrje të gjithëve të mos kenë asnjë lloj frike dhe të kërkojnë të drejtat e tyre” u shpreh demonstruesi.

XIBRI: TË PROTESTOJMË DERI NË LARGIMIN E BERISHËS
Ora 16:45- Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri nisi i pari fjalimet në podiumin përpara selisë së Kryeministrisë. Ndërsa tregoi se si u dhunua në demonstratën e 21 janarit, Xibri bëri thirrje për protesta të vazhdueshme, sic tha ai, deri në largimin e qeverisë së Sali Berishës.

“Në 21 janar isha dhe unë i pranishëm në demonstratë. Më goditën dhe më rrahën, pasi po ndihmoja një grua që po keqtrajtohej. Arma ime atë ditë ishte vetëm një cadër. Regjimi që ka frikë nga cadrat e popullit është një regjim që i ka hyrë lepuri në bark” u shpreh Xibri.

RAMA I BASHKOHET DEMONSTRUESVE NË BULEVARD
Ora: 16:39- Me në krye, shefin e opozitës Edi Rama, qytetarë të shumtë kanë marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbushur sheshin përpara selisë së Kryeminsitrisë, ku është ngritur edhe podiumi në të cilin do të mbahen fjalimet e parashikuara, të cilat pritet të fillojnë pasi të jenë grumbulluar të gjithë.

NIS MARSHIMI DREJT BULEVARDIT
Ora: 16:09- Qytetarët e shumtë, që i janë përgjigjur thirrjes së opozitës për t’ju bashkuar protestës në Bulevard, kanë nisur marshimin drejt sheshit përpara Kryeministrisë ku do të mbahen edhe fjalimet e parashikuara të liderëve të opozitës dhe familjarëve të viktimave të 21 janarit.

Manifestuesit u mblodhën në disa zona të kryeqytetit si: “Zogut të Zi”, Rruga e Elbasanit, Pallati me Shigjeta, Stacioni i Trenit.

NISIN GRUMBULLIMET E DEMONSTRUESVE
Ora: 15:48- Ashtu sikurse në demonstratat e mëparshme të opozitës, protestuesit kanë nisur të grumbullohen në disa zona të kryeqytetit, për tu bashkuar më pas në pikën qendrore, përpara Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gazetarët e NEWS24 raportojnë nga terreni se demonstruesit kanë nisur të grumbullohen në pikat e pikat e caktuara: Stacioni i Trenit, Rruga e Elbasanit, kryqëzimi i “Zogut të Zi, “Pallati me Shigjeta” ndersa udhehiqen nga deputetet e Partise Socialiste.

Opozita ka bërë thirrje për një demonstratë paqësore, për të kërkuar largimin e qeverisë nën moton “Qetësisht, por vendosmërisht”.

PARA KRYEMINISTRISE NGRIHET PODIUMI
Gazetarja e NEWS24, Aurora Sulçe informon nga bulevardi se po kryehen përgatitjet e fundit. Para kryeministrisë është vendosur podiumi ku familjarët e 4 viktimave të demonstratës së 21 janarit dhe të plagosur nga policia do të marrin fjalën. Ndërsa kryetari i PS-së Edi Rama do të mbajë fjalimin përmbyllës në emër të opozitës së bashkuar.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është ndërprerë qarkullimi i automjeteve, ndërsa vihet re një shtim i forcave të policisë në lulishten përballë piradimës, ngjitur me godinën e kryeministrisë.
Organizatorët do të ngrenë dhe disa banderola të mëdha me emrat e Aleks Nikajt, Ziver Veizit, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, 4 të vrarët në demonstratë.

NGA QYTETE MIJERA PROTESTUES UDHETOJNE DREJT TIRANES
Ndërkohë mijëra mbështetës socialistë me dhjetëra autobusë, dhe makina të vogla kanë udhëtuar nga cdo cep i Shqipërisë, për u bashkuar me opozitën.
NEËS24, duke iu referuar burimeve nga degët e PS-së në qytete, raporton se vetëm nga qyteti i Korcës janë nisur drejt Tiranës 30 autobusë dhe gati 100 automjete të vogla me protestues. Nga Vlora, në “Sheshin Flamuri” paradite ishin grumbulluar 15 autobusë dhe dhjetra automjete të vogla për të udhëtuar drejt Tiranës.
Për tju bashkuar opozitës në protestën e saj të vendosur por dhe paqësore do ti bashkohen dhe protestues nga Shkodra, Durrës, Lezha, Elbasani, Gjirokastra.

"Gazeta Shqiptare",duke iu referuar burimeve nga PS-ja shkruan sot se është zgjedhur pikërisht ora 16:00, këtë herë, në simbolikë të vrasjes pesë javë më parë të 4 viktimave të demonstratës së 21 janarit.

ITENERARI I PROTESTES SOT
Partia Socialiste bën të ditur itinerarin e protestës së sotme e cila do të nisë në 4 pikat qëndrore të Tiarnës dhe do të kulmojë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së kryeministrisë. Grumbullimi i protestuesve do të jetë te Zogu i Zi, Stacioni i trenit, Fakulteti Filologjik dhe 21 dhjetori dhe më pas do të nisë marshimi drejt kryeministrisë.
Protestuesit nga Zogu i Zi do të marshojmë ne rrugën e Durresit , Nga Stacioni i treni do të marshohet në bulevardin “ Zogu I”. Protestuesit para Fakultetit Filologjik do të marshojnë në rrugën e Elbasanit dhe ata që do të grumbullohen te 21 dhjetori do të marshojnë drejt rrugës së Kavajës.
“Këto marshime do të bashkohen në sheshin “Skënderbej”, për të vazhduar më pas në bulevardin “ Dëshmorët e Kombit”. Pika e përfundimit të marshimit do të jetë para kryeministrisë, ku do të mbahen dhe fjalimet përkatëse.

Vetë PS-ja ka marrë masa që mbarëvajtjen e protestës ta sigurojë me mbështetës të saj, të cilët do të vendosen anash bulevardit për të bërë ndarjen e turmës së njerëzve nga ata që do të tentojnë t’i afrohen për qëllime provokimi.

RAMA DJE: NE SHESH KUNDER KUSARISE
Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje, një ditë para protestës se “nesër (sot), në orën 16 ne do të jemi në bulevard me këdo që dëshiron të demonstrojë paqësisht, por vendosmërisht për largimin e Saliut dhe për zgjedhje të reja, të lira e të ndershme”. “Do të jemi në bulevard për këdo që sot nuk e shtyn dot më jetën e përditshme për shkak të vuajtjeve e vështirësive të pafundme që regjimi vrastar i kusarisë shton përditë mbi kurrizin e shqiptarëve të zakonshëm”, - nënvizoi Rama. Ai tha se shqiptarët do të protestojnë për çmimet e ushqimit të përditshëm, të cilat rriten vazhdimisht, por edhe për ata të papunë e për 1280 pasuritë që po i vjedh qeveria. “Nesër, (sot), në 4, në bulevard me këdo e për këdo që sot nuk e sheh dot më si të veten këtë qeveri përgjegjëse për katër vrasjet makabre dhe për të gjitha plagosjet me armë zjarri në mes të Tiranës, të cilat u shkrepën mbi popullin nga regjimi i kusarisë që vrau për të vazhduar të vjedhë”. Rama tha se sot do të protestohet “për këdo që nuk e pranon më padrejtësinë si normë dhe drejtësinë si një aspiratë të parealizueshme, as kur vriten njerëz, 4 demonstrues si në 21 janar, 26 skllevër si në Gërdec, një deputet si para zgjedhjeve të shkuara, një kryekomunar si pak kohë më parë”. 

(s.g/e.n/balkanWeb) Lidhje te tjera Pse politikës nuk i intereson populli (Nga Alba Malltezi) Protesta e opozitës, Policia në gadishmëri Ambasada SHBA: Evitoni protestat PD-PS FOTO: Opozita në protestë, nis marshimi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›