20 të vrarë pas një sulmi vetëvrasës në Afganistan

Autoritetet në pjesën veriore të Afganistanit njoftuan se së paku 20 persona janë vrarë, përfshirë edhe komandantin e fuqishëm ushtarak dhe ligjvënësin Ahmad Khan Samangani, nga një sulmues vetëvrasës me bombë, i cili ishte paraqitur si mysafir në një dasmë.
Sulmi ndodhi në martesën e vajzës së Samanganit në Ajbak, që është kryeqytet provincial.
I ndjeri Samangani, uzbek etnik, ishte i njohur si mbështetës i presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai.
Ai po ashtu ishte rival i gjeneralit Abdul Rashit Dostum, komandant i fuqishëm nga ish-Aleanca Veriore dhe njëri nga politikanët më të njohur uzbekë në Afganistan.
Në mesin e të vrarëve nga sulmi me bombë ishin edhe shefi provincial i inteligjencës dhe një komandant i Ushtrisë Kombëtare të Afganistanit.
Talebanët i kanë hedhur poshtë pohimet për përfshirjen e të tyre në këtë sulm dhe kanë thënë se Samangani mund të ketë qenë cak i sulmit për shkak të rivaliteteve personale.