Protesta në Spanjë, policia plumba gome protestuesve

Policia ka qëlluar me plumba gome, dhe ka ndaluar disa demostrues që protestuan në qendër të Madridit të premten mbrëma, përpara zyrave të ``Partisë së Popullit``. Më pas, protesta kishte si destinacion hapësirën para parlamentit në kryeqytetin spanjoll. Protesta ishte organizuar nëpërmjet rrjteve sociale Twitter dhe Facebook , nga grupi 15M apo nga të indinjuarit. Njerëzit ishin thirrur për të protestuar ndaj masave të reja të ndërmara nga kryeministri Mariano Rajoy të merkurën.
Plumbat e gomës u përdorën në kohën kur një nga demostruesit hodhi një karrige ndaj një polici. Pas marshimit në zyrat e Partisë së Popullit, demostruesit marshuan para zyrave të Partisë Socialiste, që sipas tyre gjtihashtu duhet fajësuar për krizën financiare që po kalon Spanja. Edhe në këtë ambient pati përleshje. Ndërkaq në ditën kur punonjësit e sektorit publik në Spanjë protestuan kundër shkurtimeve të buxhetit që qeveria planifikon t`i bëjë, mbreti i këtij vendi, Huan Karlos, i kërkoi ekzekutivit që të ketë parasysh “të rinjtë dhe ata që vuajnë nga mungesa e punës dhe perspektivës”.
Deklarata e tij erdhi në kohën kur qeveria spanjolle planifikon zbatimin e një pakoje të shkurtimeve në buxhet prej 80 miliardë eurosh. Pakoja e miratuar një dite më parë nga qeveria përfshin rritjen e taksave, reduktimin e benefiteve për të papunët dhe shkurtimet e pagave në sektorin publik. Papunësia në Spanjë vlerësohet të jetë 24.4 për qind, ndërsa 52 për qind nga kjo shifër i takon moshës rinore.