E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimoviç dhe Thiago, të pazëvendësueshëm

Alessandro Nesta ka kundërshtuar vendimin e Milanit për shitjen e sulmuesit Zlatan Ibrahimovic dhe qendërmbrojtësit Thiago Silva, duke sugjeruar se ata janë të pazëvendësueshëm.

Dyshja është shumë pranë zyrtarizimit të transferimit të përbashkët në Paris Saint-Germain për 62 milionë euro. Kurse Nesta, i cili po ashtu braktisi Rossonerët këtë verë pas një dekade në klub, është pesimist për suksesin e skuadrës në edicionin e ardhshëm.

“Ibra dhe Thiago janë mungesa të mëdha, ata janë të vetmit futbollistë që nuk mund të gjeni në treg”, tha ai për Gazzetta dello Sport. “Nuk ekziston askush që mund t’i zëvendësojë ata, por ndoshta me paratë që do të përfitojë klubi nga shitja e tyre do të sjellë tre ose katër futbollistë me perspektivë për të ardhmen”, shtoi përforcimi i ri i skuadrës nga MLS, Montreal.

Nesta refuzoi të kritikojë presidentin Silvio Berlusconi për shitjen e Ibrahimoviçit dhe Thiagos. “Për 26 vite, Berlusconi ka investuar paratë e tij në klub dhe i ka ndihmuar skuadrës të fitojë tituj të rëndësishëm”, përfundoi Nesta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›