E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 vjet LDK, Berisha, letër urimi Sejdiut

Kryeministri Sali Berisha i dërgoi dje një letër përshëndetëse Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të kësaj partie. Në këtë letër, Kryeministri shkruan: “Në 20-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, t’Ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta”. Kryeministri vë në dukje se Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua nga Presidenti Rugova dhe elita intelektuale shqiptare e Kosovës, si partia e parë antikomuniste në Ballkan, si forca e parë politike opozitare, e vendosur kundër regjimit barbar të Millosheviçit. Berisha shkruan më tej: “Partia e interesit kombëtar të shqiptarëve, Lidhja Demokratike e Kosovës, nën udhëheqjen e njërit prej personaliteteve më të mëdha në historinë tonë kombëtare, burrit të madh të kombit tonë, Ibrahim Rugova, do të udhëhiqte në kushtet e terrorit, të dhunës dhe shtypjes së hekurt themelimin e shtetit të shqiptarëve, si dhe do të organizonte rezistencën paqësore, më të pashembulltën në Evropë ndaj okupatorit e do të promovonte çështjen e drejtë të Kosovës në Evropë dhe në mbarë botën”. Z. Berisha shton më tej në letër: “Pas çlirimit të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, në koalicion me forca të tjera politike, do të jepte një kontribut historik në rindërtimin e vendit dhe në shpalljen e pavarësisë së saj. Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës është ndër forcat kryesore të qeverisjes në Kosovë, që kontribuon për konsolidimin e shtetit ligjor, në shërbim të paqes e të stabilitetit në Kosovën e pavarur. Duke shfrytëzuar këtë rast, Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta në këtë ditë të shënuar jo vetëm për Ju e për Kosovën, por edhe për mbarë kombin shqiptar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›