Arsimi privat, pa TVSH, Berisha replikon me Boden
Sa herë që bëhet fjalë për “lëshime” financiare, Kryeministrit Sali Berisha i është dashur t’i kundërvihet ministrit të Financave, Ridvan Bode, në mbledhje të qeverisë. Rasti më i fundit është ai i djeshmi, ku propozimi i Kryeministrit Sali Berisha për heqjen e TVSH-së për arsimin privat, ngjalli replika mes tij dhe ministrit të Financave, Bode. Sipas shefit të Financave, kjo nuk është koha për të bërë dhurata, por Kryeministri këmbënguli në këtë pikë, duke thënë se ata që dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat private, nuk mund të paguajnë dy herë taksa. Z. Berisha vuri në dukje se kjo pikë do të përfshihet në ligjin për heqjen e tatimit për arsimin. Ai tha se “ligji për TVSH-në nuk do të zbardhet pa u bërë disa ndërhyrje dhe pa u hequr TVSH-ja për arsimin privat, në përputhje me premtimin dhe zotimin solemn elektoral të qeverisë”.
Kreu i qeverisë u shpreh se “me vendimin për heqjen e TVSH-së për arsimin privat në Shqipëri synohet të vendoset një drejtësi sociale, e cila edhe pse nuk mund të arrihet në formën e saj më ideale, sërish është një dhuratë për një kategori qytetarësh”.
Por, ky vendim është kundërshtuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode. “Heqja e TVSH-së për arsimin privat nuk është drejtësi sociale, por është pabarazi sociale”, - deklaroi duke i kujtuar Kryeministrit se “nuk është kohë për dhurata”. Replika vazhdoi më pas nga Kryeministri Berisha, i cili me pak humor brenda, iu kthye Bodes: “Me sa di unë zoti Bode, nuk je zëri i sindikatave”. Kreu i qeverisë është kundërpërgjigjur se vendi ka përballuar cunamin ekonomik dhe se vendi ka rritje pozitive të ekonomisë. Aktualisht, TVSH-ja për arsimin privat është në masën 20 për qind të të ardhurave të këtyre institucioneve.