Berisha: Për bosët e mafias, regjim i rreptë në burgje
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga institucionet e ligjit në vend masa të forta për bosët e mafias dhe trajtim të rreptë në burgje, me qëllimin që të mos kenë fuqi të kontrollojnë klanet mafioze jashtë hekurave. Ai paralajmëroi ndryshime në agjencitë që merren me luftën kundër krimit të organizuar. Sipas Kryeministrit Berisha, lufta ndaj krimit të organizuar hyn në një fazë të re, në një betejë shumë më të vështirë se ajo e mëparshme. Për këtë Berisha vuri në dukje se është i nevojshëm ridimensionimi i të gjithë kuadrit ligjor, thithja e ekspertizës më të mirë, niveli i ri i bashkëpunimit me vendet partnere, sukses në luftën me zero tolerancë kundër krimit ekonomik dhe ndryshim i regjimit në burgje për klanet mafioze. “Në qoftë se ne i lëmë ata të komandojnë nga burgjet klanet e tyre, ne thjesht u kemi siguruar atyre pushime. Regjimi do të jetë deri në limitet më të skajshme, duke respektuar sigurisht Kushtetutën, pasi të drejtat bazë kushtetuese nuk mund t’i mohohen askujt”, - tha z. Berisha. Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror ndaj Trafiqeve, kreu i qeverisë vuri në dukje se krimi ekonomik është fuqia kryesore e mafias në vendin tonë. Në këtë aspekt, Berisha kërkoi që policia të tregojë shkallë më të lartë të ekspertizës dhe sektorët antimafia të zgjerojnë kufijtë e veprimit. Sipas Berishës, një organizim i tillë i fuqishëm mes të gjithë faktorëve do të ishte një anë e luftës ndaj krimit. Organizimi, sipas numrit 1 të qeverisë, do të ishte si fillim shtrëngimi i masave të sigurisë në burgjet shqiptare. Kryeministri theksoi se jo më kot po e bënte këtë thirrje pas sinjaleve se “nga burgjet komandohet me celularë”. Berisha diskutoi edhe për zgjatjen pa afat të vendimit në fuqi aktualisht për moratoriumin e skafeve në det. Mbledhja e djeshme e Komitetit Ndërministror të Trafiqeve ishte e fundit pasi Komiteti shkrihet pas ligjit antimafia që kaloi ditët e fundit në Kuvend. Minutave të saj dje Kryeministri ia kushtoi pikërisht luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe mafias. Por në kushtet e reja të krijuara, nevojiten ndryshime në agjencitë që merren me luftën ndaj terrorizmit e krimit të organizuar. Qeveria ka vendosur të shkrijë Komitetin Ndërministror për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri antimafia, sipas kreut të ekzekutivit, ka lindur nevoja për ngritjen e Këshillit të Posaçëm që do të luajë këtë rol. Kryeministri dha udhëzim për marrjen e masave të rrepta për zbatimin e ligjit antimafia, i cili në fokusin e tij kryesor do të ketë krimin ekonomik. Në këtë funksion Berisha lajmëroi amendimin e ligjit për shërbimet informative dhe atë për pastrimin e parave, ndërsa propozoi që moratoriumi i skafeve të vendoset pa afat.
Për kreun e mazhorancës, masat e marra duhen parë në 2 rrafshe. Së pari, ato ndërmerren për të bërët e mundur integrimin e vendit në BE dhe lëvizjen e lirë dhe së dyti, por jo nga rëndësia, për të siguruar jetën e qytetarëve dhe krimet mafioze. “Nëse kemi pasur sukses në luftën kundër bandave, kundër trafikut, po këto suksese duhet t’i shënojmë në luftën kundër krimit ekonomik. Ekonomia e mafias është problemi më i madh që ne duhet ta përballim me zero tolerancë. Duhet të ngrihet një grup pune për hartimin dhe miratimin e ligjit për funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, - u shpreh Berisha. Kryeministri Berisha foli më tej për ndryshime në ligjin për SHISH-in, në mënyrë që të përshtatet plotësisht me kushtet e reja të luftës kundër mafias. “Qeveria është e gatshme që të miratojë, të kalojë në Parlament, të gjitha amendimet, sugjerimet që ju duhen juve”, - u shpreh Berisha.