Topi: PD-PS, bashkim kartonësh për drejtësinë
Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka bindjen se bashkimi i kartonëve për të miratuar ligjet e mbetura të reformës në drejtësi duhet të jetë motivimi i politikës për të dalë nga kriza. Duke akuzuar partitë politike se kanë lënë pezull këtë reformë të rëndësishme, për shkak të ndasive, Presidenti Bamir Topi u bëri dje thirrje të mos pengojnë me forcë kartoni ligjet e saj. “I bëj thirrje politikës që t’i japë jetë vazhdimësisë së reformave në fushën e drejtësisë. Mjaft ligje në sistemin e drejtësisë kërkojnë një votim të kualifikuar dhe sigurisht që kërkojnë një numër minimalisht të domosdoshëm për ta realizuar këtë legjislacion”, - tha Topi. Më tej Presidenti u bëri apel kryetarëve të partive të japin një përgjigje për fatin e reformës në drejtësi. Sipas tij: “Duhet që të gjithë së bashku, duke filluar nga unë i pari, duhet të ngremë zërin. Atë apel që kam bërë para zgjedhjeve të 28 qershorit, duke u kërkuar partive politike që në mënyrë të drejtpërdrejtë, si një detyrim paraelektoral, të mbështesin vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë”. Deklarata e Presidentit u bë dje në ceremoninë e 10-vjetorit të Shkollës se Magjistraturës, ku nuk munguan as kritikat për sistemin e drejtësisë. Por, ai tha se nën emrin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor nuk mund të mbulohet mungesa e profesionalizmit apo fenomenet negative që errësojnë shpesh dhënien e drejtësisë.