PD, Mëhilli: Në 8 vite PS shpërbleu një herë pensionistët
Demokratët u kujtuan dje socialistëve se përgjatë tetë viteve të qeverisjes së tyre, shpërblyen vetëm një herë pensionistët shqiptarë. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, bëri dje të ditur se Partia Socialiste mashtron kur thotë se ka dhënë më shumë shpërblim për pensionistët kur ishte në pushtet se mazhoranca aktuale. “Edvin Rama dhe çeta e bllokmenëve të rinj nxorën sot në tregun e mediave trillimin e radhës, sipas të cilit, shpërblimi që u jepet pensionistëve këtë vit është 30% më i vogël se shpërblimi i dhënë nga qeveria socialiste në vitin 2004. Partia Demokratike thekson se këto trillime të ulëta janë të denja vetëm për Edvin Ramën dhe grupin që ai kryeson, mbasi shqiptarët e dinë fare mirë se qeveria socialiste në 8 vite ka dhënë vetëm një shpërblim për pensionistët dhe ai ka qenë 3.5 mijë lekë për pensionistët në qytet dhe 1.5 mijë lekë për pensionistët në fshat, madje ky shpërblim i dhënë vetëm një herë në 8 vite qeverisje, është dhënë vetëm për qëllimet elektorale të vitit 2005”, - tha Mëhilli.