20 vjet Shqipëri-SHBA, pritje në ambasadë

Ambasada e Shteteve ta Bashkuara të Amerikës në përkujtim të 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, po mban një pritje në ambjentet e saj.
Ambasadori, Aleksandër Arvizu, ka pritur në zyrë, presidentin e Republikës, Bamir Topi. kryeministrin, Sali Berisha, kryeparlamentaren, Jozefina Topalli dhe zv.ministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Presidenti Topi në fjalën e tij tha se koha kur u rihap ambasada amerikane në Tiranë, nuk ishte thjesht pranverë por “pranverë e demokracisë shqiptare”
Ai falenderoi nëpermjet ambasadorit, Arvizu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjithçka kanë bërë për Shqipërinë.
“Jeni miku më i madh i shqiptarëve, jo vetëm për gjithçka që keni realizur për këto vite, por edhe ndër shekuj. Për rikthimin e së drejtës së Kosovës për të qene një vend i pavarur, për te qenë vend i NATO-s, dhe në të ardhmen për të qenë pjesë e BE-së”- u shpreh presidenti.
Ndërsa, kryeministri Sali Berisha vlerësoi se të gjitha arritjet e Shqipërisë, janë të mundura parasëgjithash nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ka qenë një moment i shumëpritur për shqiptarët dhe qytetarët, rihapja e ambasadës, vendi e tregoi këtë në atë kohë me pritjen më të madhe që i kanë rezervuar ndonjëherë ndokujt, ishte pritja e Sekretarit të Shtetit, Xhejms Bejker.”- tha Berisha
Nga ana tjetwr kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se ky është një përvjetor shumë i veçantë, pasi jemi bërë dëshmitarë të ndryshimeve që kanë ndodhur në vite.
"Në këto 20 vite, jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha. Ne shqiptarët, u jemi shumë mirënjohës SHBA-ve. Historia e Shqipërisë është e lidhur me SHBA, historia e hyrjes në NATO gjithashtu", tha Topalli.
Në këtë pritje marrin pjesë edhe ish presidentët, Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu.
Prej 2 tetorit janë mbajtur disa ceremoni festive ne Tirane.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në mars të 1991, ndërsa ambasada ka nisur punën në 2 tetor.
Ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë Ulysses Grant-Smith, i cili ka qëndruar në detyrë nw vitet 1922-1925.
Nga viti 1939 deri në vitin 1991, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Më 1 tetor të viti 1991 ka mbërritur në Tiranë i ngarkuari me punë nga SHBA Kristofer Hill, duke shënuar kështu edhe rihapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.