E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Tryeza publike për pikat e paktit

04/10/2011  Socialistët në bashkëbisedime për të shpjeguar kërkesat për Shqipërinë si Europa

Kreu socialist këmbëngul në zhvillimin e një debati me Kryeministrin Berisha

Partia Socialiste do të organizojë tryeza publike për të shpjeguar në detaje 10 kërkesat e paktit të prezantuar disa ditë më parë nga kryetari socialist Edi Rama. Një fakt i tillë u bë dje i ditur nga vetë kryetari i kësaj partie gjatë mbledhjes së grupit kuvendor të PS-së. Ndërkohë organizimi i këtyre tryezave u bë publik që në fjalën e kreut Rama, emrat e deputetëve që do të drejtojnë dhe menaxhojnë këto tryeza u përcaktuan në mbledhjen me dyer të mbyllura të këtij takimi. Njëkohësisht gjatë ligjëratës së tij mbajtur përpara deputetëve të PS-së Rama preku dhe çështje të tjera, siç ishte ftesa për një debat publik me Kryeministrin Berisha, nismat për uljen e TVSH-së. Do të jenë disa deputetë, si Erion Braçe, Valentina Leskaj, Ditmir Bushati, Namik Dokle, Fatmir Xhafaj etj. që do të merren me organizimin e këtyre tryezave.

Tryezat

“Do të organizojmë disa tryeza publike, ku do të shpalosim vizionin tonë për paktin për Shqipërinë si gjithë Europa e do hapim me transparencë e përgjegjësi kombëtare dialogun e domosdoshëm për problematikën e këtij pakti me të gjithë aktorët dhe faktorët, drejtpërdrejtë të lidhur ose të interesuar për këtë proces”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij të mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Sipas tij, tryezat do të japin një vizion më të gjerë sesa paragrafët e 10 pikave të paktit. “Të ndajmë me njerëzit sipas fushave dhe interesave vizionin tonë mbi çështjet dhe të dëgjojmë e të shënojmë çdo sugjerim bindës të tyre lidhur me çdo çështje në fjalë. Të ndajmë me publikun vizonin për Bankën e Shqipërisë, për procesin parlamentar që propozojmë në paktin për Shqipërinë si gjithë Europa lidhur me reformat e shtetit që kërkojnë 3/5 e votës së Kuvendit, për vetë reformën parlamentare dhe mënyrën se si ne e shohim dhe se si do ta vëmë në jetë, pa asnjë dyshim, nesër kur të jemi në qeveri një parlament funksional sipas standardeve europiane”, - radhit Rama çështjet që do të trajtohen në tryeza. P0 në këtë listim kreu socialist shtoi se “do të ketë tryezë për kufizimin me Kushtetutë të imunitetit dhe hapjen e një debati më tërësor për Kushtetutën e Republikës si dhe për Televizionin Publik Shqiptar, Këshillim Kombëtar të Radiotelevizionit dhe gjendjen e medieve në tërësi. Të presim ndërkohë një prononcim të qartë për vazhdimin e reformës zgjedhore, ku, e përsëris, nuk jemi ne, po Saliu që po nguron. S’po them sot po bllokon, se nuk dëshiroj të them fjalën e fundit të parën.”

Qëndrimi

Kreu socialist Rama i rikërkoi kundërshtarit të tij politik të përballen në një debat publik. “Dua t’ia kërkoj sot Saliut edhe me zë e me figurë që të vijë në një debat përpara shqiptarëve. Qytetarët e këtij vendi meritojnë të dinë si do të dalim nga ky udhëkryq, ku as Europa s’na nxjerr dot, as shqiptarët s’duan të rrinë. Meritojnë të dinë çfarë kemi për t’i thënë njëri-tjetrit sy më sy dhe në sy të tyre për ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç”, - nënvizoi Rama. Njëkohësisht, kryetari i PS-së i bëri thirrje qeverisë të shprehet publikisht nëse e pranon ose jo

paktin me 10 pika të ofruara nga opozita.

Rama për TVSH-në e energjisë

“Pas depozitimit dje në Kuvend të nismës për heqjen e TVSH-së së bukës, qumështit, vezëve, ilaçeve dhe përgjysmimin e TVSH-së mbi ushqimet bazë, i falënderoj anëtarët tanë të Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe ekspertët që kontribuan për formulimin e nismës, duhet të përgatitim dhe depozitojmë në kohë nismën për reduktimin e TVSH-së për energjinë elektrike.”

Diskutimi me dyer të mbyllura

Në mbledhjen e grupit kuvendor socialist u diskutua mbi axhendën që do të ndjekë ky grupim në seancën parlamentare të së enjtes. Gjithashtu Rama ka porositur ligjvënësit socialistë që të mos lënë pas dore zgjedhjet brenda PS-së, të cilat duhet të mbyllen sa më shpejt dhe në mënyrë korrekte, nisur nga problemet e shfaqura në disa qytete të vendit.

Takimi me vendorët

Kreu i PS-së Edi Rama zhvilloi dje një takim informal me të zgjedhurit vendorë të qarkut të Beratit. Për shkak së sot zhvillohen zgjedhjet në kryesinë e këshillit të këtij qarku, kryetari Rama ka kërkuar prej tyre që të mos ketë më rrjedhje votash dhe të marrin përgjegjësitë për të cilat janë votuar, duke lëshuar kështu një sërë kritikash ndaj tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›