Berisha: Mirënjohje për misionarët e parë diplomatik

Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në ceremoninë festive të organizuar në ambientet e ambasadës amerikane tha se pritja që shqiptarët i bënë Sekretarit Amerikan të Shtetit Bejker, ishte dashuria për amerikanët nga ana e popullit shqiptar.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare në kohën kur të tjerët vendosën të fshinin shqiptarët nga harta Presidenti Uillson ishte ai që i mbështeti shqiptarët në rrugën e pavarësisë.
“Mirënjohje për misionarët e parë diplomatik në Shqipëri, që hapën ambasadën 20 vjet më parë dhe të gjithë paraardhësit tuaj dhe për ju zoti ambasador, por dhe për qindra e qindra burra e gra, që me përkushtim të madh ndihmuan në ndërtimin e Shqipërisë. " tha Berisha.
Sipas kryeministrit në vitin 1991 Presidenti Bush dhe Sekretari Bejker sollën mesazhin e lirisë, Presidenti Klinton udhëhoqi Aleancën e Atlantikut, Presidenti Bushi në komunitetin ndërkombëtar kryesoi pavarësinë e Kosovës, ndërsa Presidenti aktual Barack Obama firmosi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Ne jemi një komb i vogël, por gjëja më e madhe që mund ti ofrojmë kombit amerikan në shenjë mirënjohje dhe respekti është ndërtimi dhe konsolidimi i atyre vlerave të cilat kanë bërë kombin amerikan më të ndriturin në botë” nënvizoi Berisha.