20 vjet burg për "gjeneral" Kullën
Apeli i Durrësit lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Faktit të Kavajës, për "gjeneralin" Nehat Kulla. Më 21 tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë e dënoi me 20 vjet heqje lirie për vrasjen me paramendim të Halim Gjuzit, shoferit të ish-ministrit të Rendit të asaj kohe, Halit Shamata. Apelimi i vendimit nuk ka sjellë asnjë të re, ndërsa mbrojtja ka deklaruar se do bëjë rekurs të këtij vendimi në Gjykatën e Lartë. Pas shqyrtimit të dosjes së Nehat Kullës, trupi gjykues i Apelit të Durrësit ka konstatuar se pretendimet e të dënuarit dhe mbrojtjes së tij nuk qëndrojnë, duke lënë kështu në fuqi vendimin e togave të zeza të Kavajës. Vrasja e Gjuzit ndodhi në korrik të vitit 1998, afër Golemit, ndërsa viktima udhëtonte drejt Durrësit me familjen e vet. Pas afro 10 vitesh, dosja përfundon në gjykatë e cila jep dhe vendimin, duke e shpallur fajtor Kullën për vrasjen e Gjuzit. Në vitin 1998, "gjenerali" pa grada, në atë kohë në kulmin e famës së vet, në kushtet e një shteti në kaos të plotë e thuajse jo ekzistent lëvizte me një automjet të tipit "Shevrolet" me targa të ushtrisë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën që lidh Kavajën me plazhin e Durrësit dhe pikërisht afër Golemit. Ka qenë pasditja e nxehtë e 23 korrikut, kur viktima dhe autori janë përfshirë në një sherr që sipas dëshmitarëve nisi si rezultat i kontaktit mes dy automjeteve dhe gërvishtjes. Të acaruar, drejtuesit e mjeteve kanë debatuar me njëri-tjetrin, ndërkohë që ky nuk ishte kontakti i parë mes tyre. Ata njiheshin. Kulla, sipas dëshmive mbi bazën e të cilave është mbështetur dhe një pjesë e mirë e vendimit për dënimin e tij, përfshirë dhe prova të tjera shkencore kriminalistike, ka nxjerrë nga kroskoti i makinës një pistoletë dhe ka qëlluar me të mbi Halim Gjuzin. Prania e familjarëve të tij në automjet, përfshirë dhe fëmijët nuk e ka stepur aspak autorin. Ai ka qëlluar mbi viktimën duke i dhënë fund sherrit me jetën e një njeriu dhe vazhduar udhëtimin në drejtim të Kavajës. Pas disa arrestimesh dhe lirimesh nga qelitë e burgut, Nehat Kulla bie sërish në prangat e policisë pas një operacioni të realizuar nga forcat RENEA në nëntor të vitit 2005. Arrestimi këtë herë ishte për vrasjen e Gjuzit. Një krim që dukej se ishte lënë në harresë kishte nisur të zbardhej duke mbërritur te sigurimi i provave bazë nga organi i akuzës për të dyshuarin kryesor si autor të vrasjes së Gjuzit. Arrestimi i Kullës u bë rreth dy vjet pasi Gjykata e Faktit Tiranë e la të lirë "gjeneralin" për sjellje të mirë, pas dënimit për keqtrajtimin e disa gazetarëve. Akuza e formuluar zyrtarisht pas arrestimit të Kullës nga RENEA qe ajo e "armëmbajtjes pa leje",
akuzë kjo e ngritur pas bllokimit në banesën e tij të armëve automatike, pistoleta dhe fishekë të tyre. Ndërkohë, hetimet kishin nisur për vrasjen e Gjuzit, baba i dy fëmijëve dhe i njohur për punën e tij si shofer i degës së PD-së në Kavajë, i deputetëve të këtij rrethi dhe më pas shofer i ministrit të Rendit të kohës, Halit Shamata. Vrasësi i tij u bë i njohur gjatë vitit më të trazuar në historinë e re të shqiptarëve, në trazirat e marsit të 1997-s, kur në periferi të kryeqytetit, atje ku banonte, Kulla mori në zotërim depo armatimi duke u vetëquajtuar "gjenerali".
akuzë kjo e ngritur pas bllokimit në banesën e tij të armëve automatike, pistoleta dhe fishekë të tyre. Ndërkohë, hetimet kishin nisur për vrasjen e Gjuzit, baba i dy fëmijëve dhe i njohur për punën e tij si shofer i degës së PD-së në Kavajë, i deputetëve të këtij rrethi dhe më pas shofer i ministrit të Rendit të kohës, Halit Shamata. Vrasësi i tij u bë i njohur gjatë vitit më të trazuar në historinë e re të shqiptarëve, në trazirat e marsit të 1997-s, kur në periferi të kryeqytetit, atje ku banonte, Kulla mori në zotërim depo armatimi duke u vetëquajtuar "gjenerali".