Maskat terrorizojnë dy pleq të vetmuar në Sofratikë të Dropullit
Një familje minoritare nga Sofratika, në Dropullin e Poshtëm ka rënë pre e një grabitjeje nga dy persona me maska. Mësohet se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 19:30, në banesën e familjes Mastora ku jetonin të vetmuar bashkëshortët Spiro dhe Kristavi Mastora, dy persona të maskuar pasi kanë kaluar murin kanë mundur të hyjnë në pjesën e brendshme të shtëpisë. Dy të moshuarit kanë qenë duke parë televizor në kuzhinën e katit të parë, kur dy grabitësit kanë hyrë fillimisht në katin e dytë të shtëpisë. Aty kanë nisur të kërkojnë nëpër sirtarë, dollapë dhe xhepat e veshjeve, për të grabitur paratë dhe sendet e kushtueshme që mund të gjenin. "Ishim në kuzhinë, duke parë televizorin, kur dëgjuam zhurma që vinin nga kati i dytë. Fillimisht menduam se mund të kishte hyrë ndonjë mace. Por kur zhurmat u shtuan nisëm të shqetësohemi dhe ime shoqe u mat të dilte për të parë se çfarë po ndodhte. Sapo tentoi të hapte derën, para nesh u shfaqën dy personat me maska. Ata na mbyllën gojën dhe na goditën për të mos kërkuar ndihmë", rrëfen minutat e tmerrit që përjetoi 70-vjeçari Spiro Mastora. Sipas tij, grabitësit mbanin maska plastike me ngjyrë të kuqërremtë dhe në duar kishin thika, me të cilat kërcënonin dy të moshuarit. "Megjithëse në shtëpi kisha shumë të holla të fshehura, atyre u thashë se kishim vetëm 30000 lekë. Ndërkohë, kur kishin kontrolluar në katin e dytë, kishin mundur të gjenin 50 euro, që ime shoqe kishte fshehur në një bllok", rrëfen më tej burri i moshuar. Dy grabitësit janë përleshur fillimisht me të zotin e shtëpisë, i cili gjatë tentativës për t‘u mbrojtur është plagosur me thikë në dorë. Ndërkaq, njëri nga grabitësit ka goditur gruan dhe i ka mbyllur gojën me një këmishë, në mënyrë që të mos kishte mundësi të bërtiste. "Unë u shkëputa nga duart dhe dola duke kërkuar ndihmë në oborr. Ata u trembën, lëshuan gruan dhe u larguan me vrap nëpër errësirë. Nuk mundëm të shikonim fytyrat e tyre, por nga e folura mund të them se ishin banorë të fshatrave këtu afër nesh", tregon e tmerruar 67-vjeçarja Krisavi Mastora. Pas largimit të grabitësve, bashkëshortët kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Ndërkohë po punohet për zbulimin dhe kapjen e dy grabitësve.