E Diel, 1 Nëntor 2026

20 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri - SHBA

Në ceremoni ishin të pranishëm krerët e shtetit shqiptar: Presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ashtu sikurse edhe figura të opozitës.

Presidenti Topi tha në fjalën e tij se rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të është një moment i rëndësishëm i demokracisë shqiptare. “Të gjitha forcat politike, personazhet publike dhe të gjithë shqiptarët si askush në botë, kanë një admirim të jashtëzakonshëm për SHBA-të. Këtë e shprehin ata që janë në politikë, por edhe ata që nuk kanë lidhje me politikën”, u shpreh kreu i shtetit, i cili gjeti rastin që nga kjo ceremoni t’i dërgojë përshëndetjet më të mira Presidentit Obama, dhe të ripërsërisë ftesën që ai të vizitojë vendin tonë.

Kurse kryeministri Sali Berisha theksoi se “çdo shqiptar është krenar me proamerikanizmin e tij, ndjenjë kjo e rrënjosur në lirinë e tyre dhe që do të zgjasë për sa kohë të jetojë ideali i lirisë". Ai nënvizoi se  rihapja 20 vite më parë e ambasadës së SHBA-së në Tiranë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në historinë e kombit shqiptar. “Shqiptarët patën rastin t’i dëshmojnë kombit tuaj dhe mbarë botës në pranverën e vitit 1991 se vërtetë ambasada e SHBA-së pushoi së funksionuari gjatë viteve të egra të diktaturës, por kjo ndërtesë gjeti strehë të plotë në zemrën dhe mendjen e shqiptarëve”, tha Berisha në fjalën e tij.

Ndërkaq, ambasadori Aleksandër Arvizu pohoi se SHBA-të dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të ngushtë, “një marrëdhënie që pasqyron angazhimin tonë të ndërsjellë ndaj vlerave universale të lirisë dhe parimeve demokratike”. Duke nënvizuar se ndjehet krenar për të folur mbi miqësinë e madhe dhe partneritetin e thellë mes dy vendeve, Arvizu tha se “ky është një partneritet jetëgjatë që ndërtohet mbi pikëpamje që bashkëndajmë, për një Shqipëri të lirë dhe të begatë, me një demokraci të fortë dhe të gjallë që adreson aspiratat e shtetasve të saj”. “Ne kemi qenë gjithmonë në anën e kombit shqiptar  dhe ne do vazhdojmë të mbështesim përparimin dhe avancimin e vazhdueshëm të Shqipërisë, integrimi euro-atlantik, një shtet të fortë ligjor, një ekonomi të begatë të drejtuar nga tregu dhe institucione të pavarura e demokratike. Këto janë aspiratat e popullit shqiptar”, deklaroi ambasadori Arvizu.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-10-04 22:42
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›