E Diel, 1 Nëntor 2026

20-vjetori Shqipëri-SHBA, Arvizu: Dolli me Raki shqiptare, politikanet nuk takojne duart

05/10/2011  Krerët e shtetit mirënjohje për kontributin e SHBA-ve në ndihmë të shqiptarëve

Është kremtuar pasditen e djeshme 20-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me rastin e këtij përvjetori ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, organizoi një pritje në rezidencë. Në këtë pritje morën pjesë krerët më të lartë të shtetit: Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto, ministrat si dhe përfaqësues të besimeve fetare në Shqipëri. Në pritjen e organizuar në oborrin e ambasadës ishte i ftuar edhe kreu i opozitës Edi Rama, i cili mbërriti rreth 15 minuta pas çeljes së këtij eventi. Në fjalën e tij kreu i diplomacisë amerikane në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, i cilësoi gjithë të pranishmit si pjesë e historisë së Shqipërisë. Duke iu referuar aspiratave të popullit shqiptar gjatë këtyre 20 vjetve për liri, demokraci dhe institucione të pavarura, ai i bëri thirrje politikës që të përligjë këto aspirata, duke theksuar se ardhmja e vendit varet vetëm nga shqiptarët. “E ardhmja e Shqipërisë është në duart tuaja, ju përket juve ta përcaktoni të ardhmen, nëse do të punoni për një qëllim të përbashkët. E nëse bëni këtë, të jeni të sigurt se SHBA-të do të jenë në anën e shtetasve shqiptarë. Faleminderit për 20 vjet të mrekullueshëm dhe për këtë natë të magjishme”, - nënvizoi Arvizu. Ambasadori amerikan i siguroi gjithashtu shqiptarët se SHBA-të do të vijojnë ta mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj, ndërkohë theksoi se e ardhmja e vendit është në duart e shqiptarëve.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Topi i cilësoi SHBA-të si mikun më të mirë të shqiptarëve dhe nuk ngurroi të falënderonte ambasadorin Arvizu për gjithçka kanë bërë në 20 vjet. Presidenti gjeti rastin të falënderojë SHBA-të edhe për rolin që luajtën në pavarësinë e Kosovës. “Ju falënderojmë që i dhatë Kosovës pavarësinë”, - tha ai.

Ndërsa Kryeministri Berisha deklaroi se rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të është mjaft e rëndësishëm për të gjithë shqiptarët.

Një dolli pa shtrëngime duarsh

Pritja e zhvilluar dje në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së ka nisur me një takim paraprak në një nga ambientet e brendshme të godinës. Në të kanë marrë pjesë Presidenti, Kryeministri, kryetarja e Kuvendit të shoqëruar dhe dy ish-kryetarët e shtetit Moisiu dhe Meidani. Mësohet se në pritjen e dhënë Arvizu ka preferuar t’u servirë politikanëve pijen tradicionale, rakinë, duke ngritur dhe një dolli në këtë 20-vjetor të rilidhjes së marrëdhënieve. Ndërsa është vënë re se si në takimin e zhvilluar para nisjes së ceremonisë si dhe pas nisjes së saj nuk ka qenë prezent kryetari i PS Edi Rama. Madje, pavarësisht se në këtë takim ishin deputetët e PS, u mendua se kreu i socialistëve nuk do të merrte pjesë. Por se pas rreth 15 minutave vonesë Rama është ulur në vendin e rezervuar për të dhe bashkëshorten e tij.

Por duket se jo vetëm rakia ka folur shqip në këtë takim. Në fjalën e tij ambasadori i SHBA vuri theksin në përpjekjet që duhen ndërmarrë për zhvillimin e demokracisë së vendit. Gjë që kërkon dhe një reflektim të politikës.

Por se në ambientet e festës sërish është vënë re mungesa e kompromisit. Kështu as Rama e as Berisha nuk kanë tentuar të arrijnë paqe në kujtimin e 20-vjetorit të themelit të parë të demokracisë në Shqipëri. Ndërsa Presidenti Topi veçse ka përshëndetur në një moment kreun e opozitës. Ndërkaq vetë administrata e ambasadës ka ndjekur rregullat strikte të protokollit duke vendosur si në krahë të ambasadorit kryetaren e Kuvendit Topalli, si dhe bashkëshorten e Kryeministrit. Ndërsa si Berisha ashtu dhe Topi kanë qëndruar në krah të bashkëshorteve të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›