E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucion epokal për të drejtat televizive

05/10/2011  Pronarja e një lokali të vogël në qytetin britanik të Portsmuthit, ka fituar një betejë që do të revolucionarizojë plotësisht sistemin e të drejtave televizive në Evropë. Gjykata e Bashkimit Evropian pranoi apelin e Karen Mërfit, e cila u gjobit me 8 mijë stërlina (9300 euro) vetëm pse transmetoi në barin e saj një ndeshje të kampionatit anglez nëpërmjet një dekoderi me skedë të një televizioni me pagesë në Greqi. Kjo metodë është mjaft e përhapur në Britaninë e Madhe sepse abonimet e kolosëve “Sky” apo “Espn” janë shumë të kushtueshme. Vendimi i Gjykatës me qendër në Luksemburg e justifikoi vendimin me “shkëmbimin e lirë të informacioneve që nuk mund të konsiderohen pronësi intelektuale”. “Klientja ime është shumë e lumtur. Ky vendim do të kontribuojë për të kthyer çmimet e favorshme në merkaton e transmetimeve”, u shpreh Pol Dikson, avokati i Karen Mërfit. Hidhërimi i drejtuesve të kampionatit anglez është i kuptueshëm pasi skuadrat do të humbin shuma kolosale nëse liberalizohet tregu i të drejtave televizive. “Nuk është vendimi që Premier liga dhe skuadrat e tjera dëshironin”, theksoi Xhez Moksei, drejtor ekzekutiv i Ligës angleze. “Kjo ishte një goditje shumë e fortë për Premier Ligën dhe gjigantët Sky e Espn”, shton Dejvid Bond, përgjegjësi i sektorit të sportit në “BBC”.

Çfarë do të ndodhë?

Liberalizimi i merkatos sjell një dëm të konsiderueshëm ekonomik për televizionet që kanë blerë të drejtat e transmetimit të ndeshjeve në vendet më të rëndësishme të Evropës. Dega britanike e televizionit Sky (BSkyB) shet për 10 mijë paund në vit (11 500 euro) paketën e plotë të ndeshjeve për qëllime komerciale (jo për abonentët e thjeshtë). E njëjta paketë kushton me 5 mijë paund në Greqi. Është e kuptueshme që klientët do të bëjnë zgjedhjen më ekonomike pasi edhe transmetimi i ndeshjeve mund të zgjidhet në gjuhën angleze. “Sky Italia” e “Mediaset” kanë paguar 2.5 miliardë euro për të blerë të drejtat e transmetimit të kampionatit italian për 3 vitet e ardhshme. Kjo mund të rezultojë një investim krejt pa vlerë sepse një tjetër shtet i BE që ka paguar jo më shumë se 10 milionë euro për Serinë A, ka tashmë të drejtën për të shitur dekoder me çmime qesharake në Itali. E njëjta gjë mund të thuhet për Spanjën, Gjermaninë, Francën apo Holandën. Në një situatë të tillë vlera e të drejtave televizive do të bjerë në shifra qesharake në krahasim me më parë. Parashikimet bëhen të pamundura kur dihet se 70% e të ardhurave të klubeve vijnë nga të drejtat televizive. Mjafton të thuhet se Barcelona e Reali i Madridit marrin nga 150 milionë euro në vit vetëm nga e drejta televizive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›