E Diel, 1 Nëntor 2026

20-vjetori i Gjykatës Kushtetuese, Topi shtrëngon duart me Berishën dhe Topallin

Share

Presidenti Bamir Topi ka qenë i pranishëm gjatë ditës së sotme në 20-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, së bashku me kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren Topalli. Pavarësisht akuzave të ashpra që kanë shkëmbyer me njëri-tjeterin, presidenti Topi ka shtrënguar duart si me Berishën, ashtu edhe me Topallin.

Gjatë fjalës së tij, Topi theksoi se pavarësisht presioneve politike Gjykata Kushtetuese ia ka dalë të garantojë frymën kushtetuese dhe parimet demokratike.  Presidenti tha se krijimi i kësaj gjykate plotësoi një boshllëk dhe hapi një kapitull të ri në një vend, në të cilin më shumë se gjysëm shekulli u shkelën të drejtat e njeriut.

Topi theksoi se Gjykata Kushtetuese e një vendi është institucioni më i rëndësishëm për garantimin dhe kontrollin e zbatimit të Kushtetutës. Sipas tij, ky funksion dhe mision nuk mund të cënohet dhe as të përvetësohet nga pushtete apo institucione politike, të cilat me gjithë rëndësinë e madhe në sistemin politik e qeverisës, nuk kanë dhe nuk mund të kenë atributet për të vendosur në mënyrë përfundimtare dhe me fuqi, atribute detyruese të përgjithshme për interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, pra për të qenë garant i saj.

Ndërsa Berisha ka deklaruar se gjatë këtyre viteve Gjykata Kushtetuese ka pasqyruar përpjekjet e mëdha të shqiptarëve për konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Historia e demokracisë ka faktuar se Gjykata Kushtetuese përbën një nga shtyllat ku demokracia nuk mund të ekzistojë dhe kjo gjykatë parandalon krijimin e regjimeve totalitare dhe diktaturave. Në tërësi, pavarësisht nga vështirësitë, debatet, dritëhijet, Gjykata Kushtetuese ku ka përmbushur me dinjitet rolin e saj dhe pa këtë rol Shqipëria nuk do të kishte një demokraci funksionale. Ju jeni përballur me presione, me kufizime, por e vërteta është se sot të drejtat e qytetarëve dhe ndarja e pushteteve janë më të konsoliduara si anjëherë më parë, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›