Oketa: Jam për president konsensual. Tensioni për presidentin, për të mbuluar krizën ekonomike dhe kriminalitetin
Kryetari i grupit nismëtar të partisë Fryma e Re Demokratike, Gazmend Oketa, në një intervistë për Shqip ka përsëritur se vota e tij do të shkojë për një president konsensual, sepse kështu e do interesi i vendit. Oketa e quan një dështim të madh faktin që kërkohet një president jashtë radhëve të politikës.
Dështimi më i madh i politikës besoj se është fakti që detyrohet të gjejë zgjidhje për presidentin e ardhshëm jashtë radhëve të saj, duke pranuar kështu paaftësinë për ti mundësuar një politikani me integritet të ngjitet në atë pozicion dhe të jetë president i të gjithë shqiptarëve dhe president i vetë klasës politike shqiptare. Ky është dështim i modelit të vjetruar të politikës sonë, e ndërtuar mbi sistemin e baltosjes së cilitdo në politikë, dështim i cili fatkeqësisht kalohet në heshtje nga vetë klasa politike, tha Oketa.
Por drejtuesi i FRD është i mendimit se kjo krizë dhe ky tension politik synon të mbulojë problemet e vërteta, krizën ekonomike dhe kriminalitetin në rritje.
Fatkeqësisht një proces që duhej të ishte krejt normal nuk është i tillë dhe për më tepër shërben si mbulesë për çështje të tjera të rëndësishme për qytetarët. Pakkush po merret me krizën ekonomike, e cila po shfaqet hapur dhe po rrezikon jetesën e përditshme të qytetarëve, pakkush po merret me kriminalitetin, i cili po mbush çdo ditë kronikat e zeza të lajmeve. Pas zgjedhjes së presidentit, me apo pa konsensus, do të fillojë debati për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare e sërish pakkush do të merret me ekonominë apo kriminalitetin.