E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 vjetori i Gjykatës Kushtetuese pajton Topin me Berishën

Krerët më të lartë të shtetit shqiptar u bashkuan dje në 20 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti  Bamir Topi, kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli si dhe gjyqtarë të lartë ishin të pranishëm në konferencën me temë, Ndarja dhe balancimi i pushteteve, roli i kontrollit kushtetues. Drejtuesi e lartë të shtetit vlerësuan rolin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që Topi dhe Berisha gjatë këtij takimi për hir të etikës janë detyruar të shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin.

Topi:

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në fjalën e tij gjatë 20 vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese  është shprehur se ajo është shndërruar në institucionin garant të frymës dhe parimeve demokratike kushtetuese. Duke theksuar se vendimet e Kushtetueses duhet ti rezistojnë presioneve të politikës Topi tha “Në procesin e marrjes së vendimeve gjyqtarët kushtetues duhet të mos shkëputen nga parimet mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës dhe kushtetutshmëria. Të evitojnë vullnetet apo subjektivizmit të lidhura me situata të caktuara duke e parë çështjen e shtruar për zgjidhje në tërësinë e vetë, parimisht dhe në perspektivën e zgjidhjeve afatgjata. Vendime të tilla të rëndësishme duhet ti rezistojnë mandateve politike, dhe të sigurojnë jetëgjatësinë e parimeve themelore të ndërtimit të shtetit të së drejtës”.

Berisha

Kreu i qeverisë shqiptare duke vlerësuar punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese në plotësimin e vakuumit në ligjin themeltar të shtetit, vuri në dukje rëndësinë që ka roli i këtij institucioni në integrimin e vendit në BE.  Berisha tha se Roli i Gjykatës Kushtetuese vjen e bëhet gjithnjë e më i madh, për faktin se Shqipëria ka si aspiratë kryesore aspiratën e integrimit të vendit në Evropë. Në këtë proces ecet duke vendosur një univers të tërë ligjesh, normash, praktikash të domosdoshme, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë ato liri e të drejta që gëzojnë qytetarët evropianë. Ndërsa Kryeparlamentarja Topalli vlerësoi maksimalisht rëndësinë e këtij institucioni si garantë e demokracisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›