E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: U rihap mundësia për konsensus

Share

Kryetari i PS, Edi Rama gjatë një deklaratë për shtyp të mbajtur pasditen e së premtes lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës ka vlerësuar se tërheqja e kandidatit jokonsensual i rihapi rrugë konsensusit.

Pas tërheqjes së kandidatit që nuk garantonte konsensus, fati europian i Shqipërisë në 100-vjetorin e pavarësisë së saj mbetet në duart e partive që përfaqësojnë në parlament që të gjithë shqiptarët. Seanca e paradites së sotme në Kuvend, retorika e papërshtatshme dhe djegia e raundit të tretë pa konsensus, nuk ishin një ogur i mirë për raundin e katërt. Por tërheqja më pas e kandidatit jokonsensual, e rihap rrugën e konsensusit dhe i jep mundësinë opozitës të konfirmojë qëndrimin e vet publik.

Ne jemi plotësisht të vullnetshëm të japim konsensus për një kandidaturë që duhet identifikuar, pa humbur kohë, përmes dialogut mes të gjitha palëve. Nëse çdo palë ka të njëjtin vullnet, janë absolutisht të gjitha mundësitë që kështu të ndodhë dhe zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës me konsensus, të kthehet në një shprehje të fuqishme të aftësisë së Shqipërinë për të ecur përpara, në kërkim të statusit të kandidatit për Bashkimin Europian.

Dua ta risiguroj qoftë kryetarin e shumicës e qoftë partnerët e tij në koalicionin qeveritar, se opozita parlamentare në këtë proces ka vetëm një interes: Interesin tonë kombëtar në vigjilje të provimit të Shqipërisë në 12 tetor në Bruksel, tha Rama.

Kemi vetëm një kërkesë: Dialogun konstruktiv, pa parakushte e as paragjykime, mes palëve për të identifikuar një kandidaturë konsensuale.

Kemi vetëm një shtysë: Domosdoshmërinë që tia dalim së bashku, duke u ngritur në lartësinë e sfidës së madhe të marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, pa lejuar që Shqipëria të vendoset përballë të panjohurave që vitin e ardhshëm mund të kushtëzojnë vetë Bashkimin Europian në raport me Shqipërinë, në rast mbetjeje në provimin e vjeshtës për herë të tretë këtë vit.

Vizioni ynë në këtë përpjekje ishte dhe mbetet i pandryshuar:

1. Të zgjedhim Presidentin e ri të Republikës me votat e qeverisë dhe të opozitës.

2. Të hapim menjëherë bashkërisht procedurën për heqjen/kufizimin e imunitetit.

3. Të bëjmë kompromisin e nevojshëm për Reformën Parlamentare dhe ta votojmë bashkërisht.

4. Të përmbyllim Reformën Zgjedhore dhe ta votojmë bashkërisht.

5. E po bashkërisht qeveria e opozita, me siguri edhe me mbështetjen e Presidentit të ri, ti drejtohemi Familjes Europiane para përfundimit të këtij sesioni parlamentar për të kërkuar njëzëri që Shqipëria ta marrë statusin e kandidatit në 12 tetor, vijoi kreu i PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›