PRESIDENTI/ Sannino: Palët të dalin mbi interesat partiake
Procesi i zgjedhjes së Presidentit me konsensus dhe ecja më tej me reformat e kërkuara në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të KE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE ishin në qendër të bisedës mes kryeministrit Sali Berisha dhe Drejtorit të Zgjerimit në Komisionin Europian Stefano Sannino, i cili ishte dje në Tiranë për një vizitë zyrtare. Kryeministria ka zbardhur pak momente më parë atë çka u bisedua në këtë takim të rëndësishëm, që vjen në një moment kur Kuvendi do të vendosë ditën se kur do të mbahet raundi i tretë i zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit, raund për të cilin kërkohet shumicë e cilësuar, prej 84 votash. Sannino u takua dhe me kreun e opozitës por ky e fundit e kaloi pa koment takimin duke mos lëshuar asnjë deklaratë për shtyp.
Takimi me Berishën
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të qeverisë thuhet se kryeministri Berisha vlerësoi angazhimin e Komisionit dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në ndihmën që i jep Shqipërisë për çuarjen përpara të reformave të nevojshme për integrimin evropian. Në përgjigje të interesit të zotit Sannino për vazhdimësinë e këtyre reformave, kryeministri Berisha e siguroi atë për angazhimin e plotë të mazhorancës për përmbylljen e tyre sa më shpejt në përputhje me rekomandimet dhe prioritetet që Shqipëria ka në procesin e integrimit.
Zgjedhja e presidentit
Në takim u bisedua edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kryeministri Berisha garantoi se në respekt të angazhimit të tij të bërë publik prej kohësh, procesi që po zhvillohet është në përputhje të plotë me germën dhe frymën e Kushtetutës, i bazuar në negociata dhe konsultime. Berisha shprehu besimin se procesi që po zhvillohet në Parlament dhe kandidatura e ofruar nga mazhoranca, përmbush më së miri kushtet dhe kriteret, që ky proces të përmbyllet me zgjedhjen e një Presidenti të Republikës, që siguron konsensus dhe mbështetje të gjerë të forcave politike dhe opinionit publik.
Holtkemper ripërsërit apelin: President që përfaqëson palët
Ambasadorja gjermane Karola Myler Holtkemper deklaroi se partitë politike duhet të zgjedhin një president që të përfaqësojë sa më mirë dhe denjësisht palët. Duke folur nga Durrësi, diplomatja tha se shpreson që të ketë kompromis në raundin e tretë dhe politika të zgjedhë njeriun e duhur brenda limiteve që përcakton Kushtetuta. “Iu bëj apel të gjithë politikanëve shqiptarë që të zgjedhin atë njeri që do të përfaqësojë më mirë që të dyja palët. Është mjaft e rëndësishme që kjo të bëhet brenda afateve që përcakton Kushtetuta shqiptare. Jemi në raundin e tretë dhe ka akoma 2 mundësi. Mendoj se ky është një proces që iu takon shqiptarëve dhe duhet të jetë një njeri që ti përfaqësojë”, deklaroi ambasadorja gjermane. Deklaratat diplomatja gjermane i beri pas përurimit të qendrës komunitare “Sot për të ardhmen” në zonën e ish-kënetës, që financohet nga qeveria gjermane. Kjo qendër do të shërbejë për integrimin e komunitetit të zonës së ish-kënetës në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore të Durrësit.
Nano thirrje PS-së për mbështetje: Rrezikojmë statusin
Kandidati i vetëshpallur për president Fatos Nano i bën thirrje kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, kryetarit të Grupit parlamentar Gramoz Ruçi, dhe të gjithë deputetëve socialistë që të marrin vendime të drejta në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur, duke i dhënë Shqipërisë Presidentin më të mirë, i cili do të jetë mbi palët, garant i kushtetutës, jo noter partish. Ai kundërshton qëndrimet e mbajtura nga partia socialiste përmes kryetarit Rama për të mos propozuar një emër me argumentin se socialistët janë pakicë, dhe shprehet kundër kësaj mendësie jodemokratike dhe bllokuese të garës dhe konkurrencës së lirë. Ai thotë se Edi Rama duhet të kuptoj se ka momente kur vendi është më i rëndësishëm sesa partia, dhe se opozita nuk mund të heqë dorë nga mundësia për ti dhënë Shqipërisë Presidentin më të mirë, dhe të mos mjaftohet me një proces që prodhon vetëm konsensus kryetarësh.