REUTERS: Kompromis i paarritshëm
Partitë politike i rezistojnë presionit të BE për kompromis. Zgjedhja e presidentit ka rëndësi kyçe për shpresat e Shqipërisë për statusin kandidat. Konfrontimi politik ka shtyrë reformat dhe shkurtimet në buxhet
Ligjvënësit shqiptarë dështuan të premten për herë të tretë për të zgjedhur një president të ri, ndërsa qeveria dhe opozita i rezistuan presionit të BE për të lënë mënjanë rivalitetin dhe për të pranuar një kandidat kompromisi.
BE po bën presion mbi vendin ballkanik, anëtar i NATO-s, për të lehtësuar tensionet politike, që kulmuan me dhunën fatale në rrugë vitin e shkuar, përpara se Bashkimi Europian ta bëjë Shqipërinë një vend zyrtarisht kandidat për anëtarësimin në bllok.
Por parlamenti dështoi për herë të tretë kur u thirr për të zgjedhur një president të ri me tre të pestat e votave, një proces që do reflektonte unitetin kombëtar rreth një presidence kryesisht ceremoniale.
Raundi tjetër, nga pesë në total, kërkon shumicën e thjeshtë me 71 vota, çka do të thotë se qeveria e kryeministrit Sali Berisha, që kontrollon shumicën në parlament, mund të kalojë çdo kandidat.
Shumica kishte mbështetur gjykatësin Xhezair Zaganjori, të cilin opozita socialiste e kishte kundërshtuar si kandidat kukull, por të premten ai u tërhoq nga votimi i katërt, duke i lënë sërish barrën qeverisë për të zgjedhur një tjetër kandidat të ri konsensual.
Nëse do të kalohej një kandidaturë që nuk pëlqehet nga opozita, kjo do bënte që të mos çtensionohej atmosfera e konfrontimeve të hidhura politike, të cilat kanë ngadalësuar reformat e kërkuara që vendi i varfër me 2.8 milion banorë që të përparojë drejt qëllimit të saj, anëtarësimit në BE.
Statusi i kandidatit është refuzuar dy herë në të shkuarën. Përpjekjet për të zgjedhur një president të ri kanë shtyrë tashmë punën për shkurtimet e reja në buxhet.
Rivalitet, anarki
Dështimi mban emrin e liderit të mazhorancës, tuajin personalisht zoti Berisha, sepse ju nuk u përpoqët asnjë moment të vetëm të punoni për një zgjidhje konsensuale, tha në parlament Gramoz Ruçi, lideri parlamentar i opozitës socialiste.
Berisha akuzoi socialistët për dogma dhe mashtrime, duke thënë se lideri i tyre, Edi Rama, ka minuar përpjekjet për të arritur një kompromis me një editorial ku bënte thirrje për të festuar Pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor pa Berishën në detyrë.
Ai ka vetëm një qëllim madhor, bllokimin e statusit kandidat, tha Berisha për Ramën. Të dy palët megjithatë treguan se do vazhdojnë të kërkojnë konsensusin.
Që prej rënies së komunizmit në vitin 1990, Shqipëria është përçarë nga një rivalitet i ashpër politik dhe ndonjëherë edhe me anarki në rrugë.
Drejtori i Zgjerimit në BE, Stefano Sanino, vizitoi Tiranën të enjten dhe takoi liderët politikë dhe ambasadorët e BE. Ambasadorët ishin të premten edhe në seancën parlamentare.
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu ishte, por u largua përpara se raundi i tretë të përfundonte pa votuar.
Berisha tha se Zaganjori përfaqëson një kompromis pasi ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, ai është gjykatës dhe jo anëtar i lartë i demokratëve.
Unë nuk jam më kandidat për raundin e katërt. Opozita nuk më beson dhe mund të kundërshtojë çdo iniciativë timen, tha Zaganjori në një intervistë televizive pas seancës parlamentare.
Edhe pse një figurë ceremoniale, presidenti ka fuqinë për të vulosur legjislacionin dhe cakton prokurorin e përgjithshëm dhe shefin e shërbimit sekret.