200 birra për golin e parë jashtë fushe
Mungojnë bomberat, motivimi apo finalizimi?! Kemi marrë dy pikë në ndeshjet e luajtura në transfertë gjatë kualifikimeve për Kupën e Botës 2010, por kemi shënuar...0 gola. Në të dyja ndeshjet kemi barazuar 0-0, pikërisht kundër Portugalisë dhe Maltës. Gjatë gjithë këtij edicioni nuk kemi shënuar asnjëherë jashtë fushës sonë dhe shansi i fundit për të “thyer” akullin është pikërisht kundër Suedisë. Duhet të shënojmë dhe nëse e bëjmë shpresojmë edhe për pikë. Gjithsesi, e rëndësishme është që të prishim “syrin e keq” për këtë edicion. Por, jo vetëm kaq. Nuk është i vetmi motivim. Kompania e “Birrës Korça” ka vendosur në dispozicion një premio prej 200 litrash birrë për autorin e golit shqiptar në Suedi. Ai që do të shënojë i pari, do të ketë edhe një dhuratë “simbolike” dhe mbi të gjitha e një prodhimi prestigjioz vendës. Duke marrë shkas edhe nga precedentët e huaj, një gjë e tillë do bëhet edhe në Shqipëri për herë të parë. Nëpërmjet “Panorama Sport”, oferta bëhet e vlefshme për të gjithë futbollistët e ekipit kombëtar, të cilët kanë shansin të fitojnë “garën” me njëri-tjetrin, me tifozët dhe mbi të gjitha me kundërshtarët. Duhet shënuar jashtë Shqipërisë dhe ndaj një rivali as më pak dhe as më shumë, por si Suedia. Përsa i përket çmimit të ofruar për autorin e golit, kjo nuk është hera e parë që ndodh në botën e futbollit.