Pse u bojkotua bojkoti
Dritan Ylli
Protesta e thirrur nga Rama dhe disa politikanë të tjerë, për të kërkuar hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të fundit, e shprehur figurativisht arriti të mblidhte më shumë autobusë, sesa njerëz. Në një fotografim nga lart “edhe pse zotin Rama dukej ta kishte pezmatuar pa masë”, një e përditshme shqiptare kishte arritur të fiksonte vetëm një grusht njerëzish, që maksimumi mund të numëronin deri në 3 mijë vetë, dhe një seri autobusësh të vendosur në radhë, që mund të ishin 50 ose më tepër, të ardhur me protestues nga rrethet. Stafi i zotit Rama të bindur që protesta dështoi, me ngut nxituan që të hidhnin në media idenë se nuk ka rëndësi sesa njerëz ishin mbledhur në protestë, por e rëndësishme është të mblidhen 20 mijë firma për projektligjin që do të mundësojë hapjen e kutive. Nuk është ndonjë problem që të hidhen në letër 20 mijë firma, sepse nuk është çudi që lidershipi i PS të paraqesë letra ku mund të gjenden edhe 2 milionë emra dhe firma fantazmë. Por kjo shkon në kundërshtim me vullnetin e shprehur nga socialistët që e bojkotuan protestën e lajmëruar me shumë bujë. Pjesëmarrja në protestën e së shtunës që shkoi, ishte nga njëra anë numerikisht më e rrudhura që ka bërë PS-ja në katër vitet e fundit në opozitë. Ndërsa nga ana tjetër ishte një demonstrim fare i akullt dhe pa entuziazmin apo energjinë që i karakterizojnë përgjithësisht protestat që janë bërë në bulevardin kryesor të Tiranës. Ka disa arsye që u bojkotua protesta e thirrur nga Rama, Gjinushi, Milo, Veliaj, Ngjela, Ndoka e Legisi, politikanë që mund të kenë shumë të përbashkëta apo të veçanta, por që momentalisht bashkohen në një pikë. Të tërë gjenden jashtë Kuvendit të Shqipërisë dhe të tërë bëjnë thirrje donkishoteske për bojkot.
Arsyeja kryesore pse u bojkotua protesta është se mungonte kauza madhore që të frymëzonte dhe të motivonte njerëzit për të dalë në shesh. Tashmë zgjedhjet kanë katër muaj që kanë përfunduar dhe të gjithë institucionet e ngarkuara me ligj e kanë thënë fjalën e tyre. KQZ e ka certifikuar rezultatin, përmes një votimi 7 me zero të anëtarëve të majtë dhe të djathtë. Edhe Kolegji Zgjedhor e ka dhënë verdiktin e tij, pas shqyrtimit të ankimimeve të kërkuara nga të gjithë partitë. Pas certifikimit të rezultatit nga institucionet kushtetuese shqiptare, kanë folur edhe organizmat ndërkombëtare përmes raporteve të tyre. Në të gjithë këto raporte thuhet qartë se këto zgjedhje kishin progres të dukshëm dhe të prekshëm dhe se nuk ka asnjë provë që vërteton manipulimin e votave. Madje nga BE dhe SHBA kanë ardhur sinjale të qarta që këto zgjedhje i quajnë kapitull të mbyllur dhe se presin bashkëpunimin me qeverinë aktuale për të përmirësuar disa mangësi që janë vënë re, por që nuk e cenojnë rezultatin. Vetë komisionerët e PS, nuk kanë dëshmuar deri tani asnjë provë të vetme, ku të jetë bërë tjetërsimi i votës. Edhe nëse do të kishte ndonjë të tillë, propozimi i zotit Berisha që t’i drejtohen Prokurorisë për hetime, ishte shumë i drejtë. Por nuk ka asnjë fakt, asnjë provë që të jetë dëshmuar nga PS, ku të duket qartë që një votë të jetë vjedhur apo tjetërsuar. Ndaj këtu kemi të bëjmë me një trill personal të zotit Rama dhe të interesave të një rrethi të ngushtë dhe me një kauzë të munguar, që të mund të udhëheqë PS dhe socialistët në protesta. Një arsye tjetër pse u bojkotua protesta sigurisht që ka lidhje me sjelljen me standarde të dyfishta të lidershipit të PS dhe veçanërisht të kryetarit të saj, në funksion të interesave thellësisht personale dhe aspak në dobi të socialistëve apo të majtëve në tërësi. Të gjithë e dinë që z.Rama së bashku dhe me z.Berisha ideuan dhe ndërtuan Kodin Zgjedhor dhe infrastrukturën zgjedhore. Por, ishte z.Rama ai që këmbënguli në krijimin e një Kodi Zgjedhor aspak demokratik, madje përjashtues për një pjesë të spektrit të politikës shqiptare, përfshirë edhe LSI. Kreu i PD, Berisha, u distancua krejtësisht nga diskriminimi që iu bë LSI që u fut si koalicion më vete, pa pasur komisionerë në zgjedhje, duke deklaruar se për këtë ishte i kushtëzuar nga lidershipi i PS. Sot Rama kërkon standarde demokratike, kur për qëllimet e veta i injoronte plotësisht këto standarde përpara zgjedhjeve. Madje është pikërisht ky politikan, që sot nuk lë gjë pa thënë kundër KQZ, kompozimin e së cilës e bëri ai vetë. Madje ai bekoi atë lloj kompozimi, që linte jashtë anëtarin përfaqësues të Presidentit, si një garanci mbipartiake në Komision Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa sot ai kërkon ndihmën e Presidentit për një vendim regresiv të hapjes së kutive. Rama ofron standarde të dyfishta edhe në qëndrimet e tij lidhur me procesin zgjedhor. Në ditët e para pas përfundimit të zgjedhjeve kreu i PS, e vlerësoi pozitiv në tërësi procesin, kur nuk e dinte akoma rezultatin përfundimtar. Ndërsa menjëherë sapo u njoh me rezultatin e zgjedhjeve, për të mos pranuar humbjen, ku për pasojë duhej të jepte dorëheqjen, ai ngriti alibinë artificiale të vjedhjes së votave. Fakti që Rama iu bëri thirrje socialistëve, duke pasur në krah Gjinushin, Milon, Veliajn, Legisin, Ngjelën dhe Ndokën, ku përveç këtij të fundit të gjithë të tjerët e kanë akuzuar Ramën dhe PS se me skenarë të caktuar ju kanë vjedhur votat, përbën një tjetër arsye të shëndoshë të mosbindjes së socialistëve për të dalë në protestë. Gjinushi dhe Milo nuk lanë ekran televiziv dhe hapësirë mediatike pa shfrytëzuar menjëherë pas daljes së rezultatit, duke akuzuar Ramën dhe PS se ju kanë vjedhur votat. Veliaj gjithashtu ka deklaruar se në qarkun e Beratit i janë vjedhur votat nga kandidatët e PS. Legisi ka dhënë disa intervista përpara ditës së zgjedhjeve ku thoshte se Rama po bën një Kod Zgjedhor dhe një infrastrukturë zgjedhore, duke përgatitur një skenar të qartë për vjedhjen e votave të majta. Por rasti më kuptimplotë është ai i Ngjelës, i cili në zgjedhjet bashkiake, ku ishte kandidat rival me të, e akuzonte Ramën për vjedhje të votave, duke kërkuar hapjen e kutive. Socialistët duket qartë se nuk mund të dilnin të protestonin duke pasur në krye Gjinushin, i cili kur përfiton nga votat e PS hesht, por bërtet me të madhe kundër PS, siç ndodhi edhe në këto zgjedhje, duke i akuzuar socialistët se e kanë vjedhur. Në protestën e fundit Gjinushi, Milo dhe Veliaj kërkuan hapjen e kutive, sepse janë vjedhur votat, po nuk e thanë më që i kishte vjedhur PS. As Legisi, që nuk është asnjëherë aty ku gjendet, nuk e përmend më skenarin ogurzi të Ramës kundër votave të majta, duke bërë ujdi me Berishën, siç ka shkruar në intervistat e tij dhënë në gazetën “Integrimi”, të ruajtura në arkiva. Socialistët nuk mund të përkrahin kurrsesi këta politikanë që janë kthyer në qesharakë, në varësi të interesave të tyre të momentit. Arsyeja e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është se socialistët bojkotuan politikën e bojkotit. Pavarësisht politikës uzurpuese të lidershipit, socialistët e thjeshtë duket se e kanë ndarë mendjen të bëhen pjesë e axhendës së integrimit, duke mos mbështetur axhendën e krizës dhe të bojkotit. Ndërkohë që institucionet e BE-së duket se kanë shenjuar vitin 2010 për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, një moment unanimisht i shumëpritur nga shqiptarët, lidershipi i PS po shkon në një rrjedhë tjetër të turbullt. Duke qenë se 2010 nuk është ndonjë vit i largët, por viti i ardhshëm në prag, koha nuk pret për të përmbushur edhe detyrimet më të fundit, në kuadër të kushteve të vendosura për lëvizjen e lirë. Por, kur shihet një angazhim me ritme të plota në përmbushjen e detyrimeve më të fundit nga mazhoranca, lidershipi i PS ka zgjedhur që t’i shërbejë interesave të veta dhe jo të shqiptarëve. Edhe brenda grupit parlamentar të PS duket se po shtohen gjithnjë dhe më shumë zërat e përgjegjshëm, kundër politikës së bojkotit. Pavarësisht se janë deputetë liste, ata po e kuptojnë gjithnjë e më tepër se politika që po ndjek Rama i shërben vetëm atij dhe jo shqiptarëve, pavarësisht nëse janë të majtë apo të djathtë. Prandaj u bojkotua bojkoti dhe ithtarët donkishotë të tij!