E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal në FSHF, Apeli jep dy vendime

 

Skandal në Federatën Shqiptare të Futbollit! Komisioni i Apelit, që konsiderohet i pavarur, ka marrë dy vendime të ndryshme për mbrojtësin e Tiranës, Andi Lila, ndërsa të shtunën e ka falur atë me dy ndeshje. Ky veprim ka ngjallur dhe reaksionin e drejtuesve dinamovit, të cilët janë shprehur se nuk mund të ketë dy standarde në gjykim. Në fakt, Andi Lila është dënuar pesë javë për goditje me grusht të kundërshtarit në ndeshjen me Gramozin, ndërsa vendimi i Komisionit të Disiplinës mban datën 19 shtator. Vetëm pas një jave, më 26 shtator, Komisioni i Apelit ka marrë në shqyrtim çështjen e Lilës dhe ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës. E si për çudi, Apeli mblidhet sërish për këtë futbollist, ndërsa ul vendimin e Disiplinës nga 5 në 3 javës, që do të thotë se Lila është i gatshëm për derbin me Dinamon. E gjithë ky veprim, që shkel rregulloren haptazi, ka acaruar dinamovitët. Sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, i cili ka folur në emër të klubit dinamovit, sekretari i përgjithshëm nuk dinte gjë për çfarë ka ndodhur. “Duhet t’iu bëj të ditur – mësohet t’u ketë thënë sekretari Prodani dinamovitëve – që e kam marrë vesh nga shtypi se Komisioni i Apelit ka rigjykuar dy herë një çështje. Megjithatë më jepni kohë një ditë që t’iu jap një përgjigje më të saktë, ndërsa pres prej jush një kërkesë ankimore për këtë çështje”. Dinamovitët acarohen sepse, përtej asaj që nuk mund të ketë gjykim me dy standarde, duhet të ishte Komiteti Ekzekutiv dhe presidenti Duka që duhet ta shqyrtonte këtë problem. “Përderisa Komisioni i Apelit e ka dhënë një vendim nuk ka se si të jap një të dytë, ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi që në FSHF kanë ngelur disa mbetje toksike që po i prishin imazhin topkëmbës shqiptare. Sepse kanë ardhur disa djem të rinj, në kuadër të reformës në FSHF, që njohin mirë rregulloret e UEFA-s dhe të futbollit shqiptar”, ka nënvizuar Saliaj. Dhe i vetmi që ka mbajtur një qëndrim të ftohtë për këtë çështje është trajneri Muça: “Është çështje e klubit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›